Papa Universitetit katolik: vizioni i krishterë nuk i kundërvihet shkencës e fitoreve
të gjenisë njerëzore.
(21.05.2011 RV)“Universiteti katolik është i thirrur të jetë vend, ku hapen
të gjitha rrugët e dijes, ku edukohet pasioni për të vërtetën e nis interesimi për
historinë e njeriut, tipik për përshpirtërinë e krishterë. Këtë pohoi Papa, duke pritur
sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, drejtuesit, pedagogët e studentët e
Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, themeluar 90 vjet më parë, me nismën
e Institutit Gjuzepe Toniolo e falë intuitës së atë Agostino Gjemelit. Gjatë fjalimit
drejtuar të pranishmëve, Benedikti XVI theksoi edhe një herë me forcë, se feja e kultura
lidhen në mënyrë të pazgjidhshme e se përmasa fetare nuk mund të mbyllet në sferën
private, sepse pa fenë, njeriu nuk mund të arrijë kurrë tek e vërteta e plotë e as
tek zhvillimi i mirëfilltë. Pa fe, kultura bie në relativizëm, në tundimin për t’i
përdorur zbulimet shkencore si mjete, në shërbim të pushtetit, jo të njeriut. Por,
theksoi Papa, horizonti që frymëzon punën universitare, mund e duhet të jetë pasioni
i vërtetë për njeriun. Shkenca zhvillohet si kultivuese e rojtare e universit, vetëm
në shërbim të njeriut: “Kjo është detyra jonë, posaçërisht në kohë krize:
historia e kulturës dëshmon se në dritën e fesë së krishterë, dinjiteti i njeriut
njihet në mënyrë vërtet të plotë e të gjithanshme”.