2011-05-21 14:23:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar. Krishti, bariu ynë i mirë është udha që na sjell tek Ati Qiellor, është e vërteta që na bënë të lirë, është jeta që na mbush me gëzim.

Në këto dy të diela të fundit të kohës së Pashkëve, Kisha na ofron leximin e fjalimit të lamtumirës së Jezusit drejtuar nxënësve të vet para se vdes mbi kryq, edhe pse tashmë jemi në kohën e Pashkëve e këndej në periudhën në të ciklën Krishti e ka kaluar pragun e vdekjes. Këto fjalime të lamtumirës të Jezusit, në këtë kohë, i paraprijnë festës të Shëlbuemit, do të thotë të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, e përmbajnë porositë e fundit të Jezusit drejtuar nxënësve të tij para se të vdiste, të ngjallej e të ngjitej tek Ati në qiell, duke i ftuar të vetët të mos jenë të trishtuar sepse ai shkon për t’ua përgatitur një vend atyre. Jezusi fillon duke thënë: “Mos t’ju shqetësohet zemra”, dhe i këshillon të kenë besim, të kenë fe në Zotin e në Të, sepse në shtëpinë e Atit “ka shumë banesa”.
Jezu Krishti i Gjallë, bari i mirë, i bashkon rreth vetes disa njerëz duke i thirrur në misionin e tij jetëdhënës, sepse dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë pjesë e meshtarisë mbretërore, njerëz të shenjtë, tempulli i lavdisë së tij. Ndër ta jemi edhe ne.

Leximi i parë (Vap 6, 1-7)

Duke lexuar këta rreshta mund të nënkuptojmë egzistencën e konflikteve mes të krishterëve të Palestinës dhe atyre që jetonin jashtë saj. Përgjegjësit e bashkësisë së krishterë duhet të zgjidhnin problemin e shërbimit për të varfërit. Për këtë vendosën t’ia besojnë këtë detyrë një grupi vëllezërish. Bashkësia e krishterë nuk ka nevojë vetëm të shpallë Fjalën, por dhe tu shërbejë vëllezërve në nevojë.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas, pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre.
Atëherë të Dymbëdhjetat bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë: “Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht lutjes dhe shërbesës së fjalës.”
Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenindhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë.
Fjala e Zotit
Psalmi 33 (32)
Ref:
Kthehu drejt nesh, o Zot, sepse në ty shpresojmë.

Ose: Aleluja, aleluja, aleluja.

_____________________________

Galdoni, o të drejtë në Zotin,
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

_____________________________

Sepse e drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

________________________________


Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
_____________


Leximi i dytë (1 Pjt 2, 4-9)

Pjetri përkufizon Kishën si tempullin e ri. Ajo nuk është më një ndërtesë që mirëpret lavdinë e Hyjit, por një bashkësi besimtarësh që dëshmojnë praninë e Zotit në jetën e përditshme dhe në çdo vend. Të krishterët janë gurët e gjallë të Kishës, Krishti është themeli.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Krishtit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, tëndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtarí e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«
Për ju, pra, që besoni – nder; kurse për ata që nuk besojnë – guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit«.
E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi, nga thyhet qafa«. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.
Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtarí mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.

Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti:
askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.
Aleluja.

V Ungjilli (Gjn 14, 1-12)
Jezusi shpall largimin e tij nga kjo botë dhe parashpall fundin e tij dramatik në kryq. Edhe për ata që besojnë egziston turbullimi: Ati fshihet gjithmonë, udha është ajo e kalvarit, jeta takon vdekjen. Hyjin askush se ka parë, por fytyra e vetme që ne mund të shohim është ajo e Jezusit. Kush sheh Jezusin, sheh Atin. Në këtë mënyrë Hyji nuk është më i padukshëm, por kthehet në një njeri që ecën pranë nesh.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thosha: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”
“Zotëri - i tha Toma - Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigj: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua. Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Që tani e njihni dhe e keni parë.”
Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”
“O Filip - i tha Jezusi - kaq shumë kohë jam me ju, e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.
Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave! Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.
Fjala e Zotit
“Unë jam rruga e vërteta dhe jeta” – thotë Jezusi në ungjillin e kësaj të diele. Përsiatja jonë zhvillohet kryesisht rreth këtij pohimi të Jezusit kur dishepujt e pyesin: “O Zot ne nuk e dimë ku shkon e si mund ta dimë rrugën?”. Jemi në të dielën V të kohës së Pashkëve. Rrugëtimi ynë drejt Rrëshajëve bëhet gjithnjë e më i shpejtë e ndërkohë jetojmë në gëzimin e kohës së Pashkëve. Është një gëzim shpirtëror që vjen nga vetëdija se me ngjalljen tij Krishti na ka shkëputur nga kthetrat e vdekjes përfundimisht.

Leximi i parë vazhdon të na tregojë mbi jetën e bashkësisë së krishterë pas Pashkëve. Një bashkësi ne hapat e pare por e shndritur nga misteri i Pashkës. Veprat e Apostujve na përshkruajnë këtë bashkësi e cila fillon e rritet e shumohet. Ungjilli krijon efektin e tij dhe dishepujt e ungjillit shtohen gjithnjë e më shumë. Pavarësisht nga klima e gëzimit dhe entuziazmit, që dallon bashkësitë e para, nuk duhet të harrojmë asnjëherë që problemet nuk kanë munguar as atëherë. Shpeshherë hiperbolizimi po mitizimi i krishterimit te pare si një bashkësi ideale mund te çoje ne gabime. Kisha jeton ne bote dhe me problemet qe sjell natyra njerëzore e cila është e shënjuar nga mëkati. Kjo ka ndodhur atëherë e kjo ndodh ende sot.

Leximi i parë na tregon për një problem që kishte lindur nga ana e helenëve të kthyer, të cilët ankoheshin se vejushat e tyre ishin anashkaluar në ndihmën ndaj të varfërve. Kështu apostujt vendosin krijimin e një grupi i cili do të merret me të varfrit kurse apostujt do t’i kushtoheshin predikimit.

Kisha ka nevojë të strukturoret për mirëfunksionimin e saj, në mënyrë që çdonjëri të kryejë detyrën për të cilën është thirrur, secili sipas gjendjes së tij. Kështu pra zgjidhen disa njerëz emrat e të cilëve na sillen nga tradita e Shkrimit të Shenjtë. Njëri prej tyre, Shtjefni do të jetë martiri i parë i Besëlidhjes së re, i epokës së re të ringjalljes. Këta njerëz i kushtohen krejtësisht shërbimit të të varfërve. Është një nga mënyrat me anë të së cilës Kisha primitive shpall ungjillin dhe jeton jetën e saj të brendshme. Në fakt qysh në fillim Kisha ka krijuar strukturat e saj me anë të të cilave ushtron dashurinë e krishterë në ndihmë të të varfërve. Por nga ana tjetër nuk harron predikimin e Fjalës arsyeja themelore e ekzistimit te saj. Kështu në Kishë dy gjërat, ushtrimi i dashurisë dhe predikimi i ungjillit, janë të pandashme nga njëra tjetra. Çfarë vlere mund të ketë njëra pa tjetrën? Kështu gjithmonë kisha ka lidhur bashkë këto dy përmasa të jetës së saj dhe që janë kërkesa të vetë Ungjillit, të vetë Mbretërisë së Hyjit që Krishti ka ardhur të përurojë e që kisha vazhdon në jetën e saj.

Leximi nga letra e parë e Pjetrit na flet për Krishtin si gur themeli, për ata që besojnë, e si gur në të cilin mund të rrëzohesh, per ata që nuk e besojnë. Në Krishtin gjithsecili nga ne bëhet gur themeli për ndërtimin e Kishës. Të shartuar në Krishtin me anë të pagëzimin ne kemi hyrë në jetën e tij dhe brenda jetës tonë banon jeta e tij. Ngjashmëria jonë me Hyjin arrin në shkallen më të lartë të saj kur ne jetojmë jetën e Krishtit. Jeta e shenjtërve në të gjitha kohërat është pikërisht kjo përngjarje gjithnjë e më e madhe me jetën e Krishtit e sidomos në mundimet e tij. Në këtë mënyrë të krishterët bëhen gurë të gjallë të kishës e në këtë mënyrë banorë të mbretërisë së Hyjit ku i presin banesat e amshuara.

Në ungjillin e Gjonit gjejmë në qendër të fjalimit të Jezusit, nisjen dhe kthimin e tij. Ai po niset dhe po ndahet nga dishepujt e tij, por jo për gjithmonë dhe me një qëllim të caktuar, që ai vete e zbulon. “Po shkoj – thotë – t’ju përgatis një vend...” Një vend ku dhe për çfarë? Një vend në zemrën e Zotit, një vend në Mbretërinë e qiellit. Njeriu është krijuar për këtë gjë dhe Jezusi e kthen atë në situatën e tij zanafillëse. Nëpërmjet ringjalljes së Krishtit njeriu rifiton edhe njëherë lumturinë që pat humbur Adami me mëkatin origjinal. Nëpërmjet Jezusit bëhet i mundur edhe një herë ky bashkim jete me Zotin, mu në zemër të Atit. “Po shkoj...” në këto fjalë është përmbledhur dhembja dhe mallëngjimi që Jezusi ndjen për largimin nga dishepujt e tij. Por në këtë mënyrë ai i përgatit ata. “Mos t’ju trazohet zemra. Kini besim në Hyjin e kini besim në mua”. Ai e di mirë se nisja e tij do t’i trazojë zemrat e dishepujve, por pas ringjalljes ata do t’i kuptojnë më mirë të gjitha gjërat që Jezusi u kishte thënë kur ishte me ta.

Të dashur vëllezër e motra! Në shtëpinë e Atit ka vend për ne të gjithë. Vetëm duke menduar parajsën e me zemrën drejtuar atje, mund ta jetojmë atë edhe këtu në tokë. Jeta jonë duhet të jetë e përshkuar nga një optimizëm i shëndetshëm. Kjo është e mundur vetëm nga besimi. Besim do të thotë të mbështetësh ekzistimin tënd diku, në një person. Të kesh besim do të thotë të hidhesh në krahët e atij personi që është Jezu Krishti. Besimi nuk është vetëm diçka e arsyes ose më mirë të themi që Zoti ekziston. Kjo nuk mjafton! Besim do të thotë që unë kam besim te ky Zot që ekziston, sikurse të një mik, më shumë se një mik, më shumë se vetë njerëzit më të dashur, sepse edhe nëse ata më braktisin, Hyj nuk më braktis kurrë. Besim do të thotë braktisje në duart e dikujt tjetër. E ky dikush tjetër është për ne Jezusi nga Nazareti, Zoti ynë dhe Hyji ynë.

“Unë jam rruga e vërteta dhe jeta”. Rruga e vërteta dhe jeta për të shkuar në banesat e amshuara. Por është rruga e vërteta dhe jeta edhe për të filluar këtu mbretërinë e Hyjit. Këtu Jezusi nuk na thotë vetëm, unë po ju tregoj rrugën, të vërtetën dhe jetën. Jo jo! Ai vetë është rruga e vërteta dhe jeta. Një rrugë të cilën ai e ka shkelur vetë. Ai është bërë rrugë për njeriun duke ecur me të dhe pas tij njeriu gjen drejtimin e vërtetë të shtegtimit të tij. Askush nuk mund të shkojë tek Ati pos nëpërmjet Jezusit. Ja atëherë rruga për të hyrë në zemrën e Atit, vetë Jezusi. Ja rruga për të hyrë në banesat e amshuara, në jetën e amshuar.

Kjo bëhet e mundur nëpërmjet njohjes së Jezusit, pasi njohja e tij do të thotë njohje e Atit. Si është e mundur të njohësh Jezusin? Njohja për të cilën na flet Shkrimi i Shenjtë është një njohje jete, një përvojë e jetuar me dikë. Kjo lloj njohje nuk kryhet nëpër shkolla apo neper libra, por duke jetuar vetë jetën e Jezusit. Takimi me të, nëpërmjet Fjalës së tij në Shkrimin e Shenjtë, është rruga e parë dhe e drejtpërdrejtë e njohjes së Jezusit. Por kjo Fjalë duhet të kthehet në lutje, sepse vetëm kështu ne bashkohemi me autorin e jetës e duke u bashkuar me të ne e njohim pasi ai bëhet vetë jeta e jonë. Ndoshta nuk do të dimë shumë ide apo koncepte mbi Jezusin, por do të nuhasim menjëherë praninë e tij, hapat e tij. Vetëm duke qëndruar me të do të dimë të dallojmë çdo shenjë të pranisë së tij. Është sikurse ndërmjet dy të dashuruarve që e njohin njëri tjetrin edhe pa e pasur afër. Njohin zërin, hapat, mënyrën se si ecën, se si merr frymë, se çfarë profumi ka trupi i tij apo i saj. Kështu është e mundur njohja e Jezusit. Kështu e kanë njohur atë shumë shenjtër dhe shenjtëresha të të gjitha kohërave edhe pa qenë shumë të shkolluar.

Për ne Jezusi është fytyra e Atit. Kush ka parë atë ka parë Atin e gjithëpushtetshëm. Në Jezusin për herë të parë Ati tregon fytyrën e tij. Një fytyrë që shpërfytyrohet nga njerëzit, por që të tretën ditë ngjallet e tani është një fytyrë e lavdishme. Të dashur vëllezër e motra! T’i kërkojmë Zotit që të sodisim fytyrën e Atit nëpërmjet zotit tonë Jezu Krishtit i cili është për ne Rruga e vërteta dhe jeta.! Programin tonë të plotë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, mund ta dëgjoni këtu...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.