2011-05-21 19:07:09

Kuvend mbi popujt e Mesdheut në Firence


Gjatë javës së kaluar u zhvillua në Firencë të Italisë, kuvendi me temë “Mesdheu e qytetet. Perspektiva ekonomike, kulturore e shpirtërore ndërmjet rajoneve e popujve”. Takimi dy ditor, që përfundoi të mërkurën, u organizua nga Fondacioni “Gjon Pali II për dialogun, bashkëpunimin dhe zhvillimin”.
Deti i Mesdheut ka qenë gjithnjë vend konfrontimi e takimi ndërmjet Evropës, Afrikës dhe Azisë. E jo vetëm për arsye gjeografike, por edhe për shkak të globalizimit ekonomik e së fundi, edhe politik e shoqëror të rajonit. Atë Ibrahim Faltas, i Rojtarisë françeskane të Tokës Shenjte vuri në dukje se sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, duke e bërë atë gjithnjë e më frytdhënës. Françeskanët e bëjnë këtë duke filluar nga poshtë, nga baza. Kanë hapur shkolla, vende takimi e strehimi, kanë promovuar iniciativa dialogu ndërmjet të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve. Pastaj, impenjimi i përditshëm për të ndalur eksodin e familjeve të krishtera, në mënyrë që atje ku ka lindur Jezusi, nesër e pasnesër, të ketë akoma ndjekës të Tij. “Nëse nuk do të vendoset paqja në Jeruzalem – citoi atë Faltas, fjalët e të Lumit Gjon Pali II – e gjithë bota nuk do të ketë paqe”.
Interesante, ndërhyrja e kryetarit të bashkisë së Sarajevës, Alija Behmen, i cili, duke kujtuar periudhën e dhimbshme të luftës në ish-Jugosllavi, nënvizoi rëndësinë e kontributit të bashkësisë ndërkombëtare për të kaluar nga diktatura në demokraci. E më pas, edhe përvoja e qytezës së paqes në Areco të Italisë, që quhet “Dallëndyshe”. Aty, rusë, çeçenë e gjeorgjianë, izraelitë, palestinezë e libanezë, indianë e pakistanezë, pra, armiq të përhershëm në vendet nga vijnë, takohen, studiojnë e punojnë së bashku për t’u kthyer në atdhe me valixhen plot me vlerat e bashkëjetesës e të tolerancës. Jo më kot, vendi i takimit ishte Firence, pasi kuvendi i javës së shkuar frymëzohej nga takimet “Colloquia mediterranea” të organizuara nga Xhorxhio La Pira, kryetar historik i bashkisë së qytetit, promovues i palodhur i dialogut dhe i paqes në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.