2011-05-21 19:14:04

DBR e Madridit: më shumë kontrolle për pakistanezët, që duan të marrin pjesë


Qeveria spanjolle e ndërpreu lëshimin e vizave për shtegtarët pakistanezë, që do të dëshironin të merrnin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë të Madridit, gushtin e ardhshëm. Njoftimin e jep agjencia Zenit. Sipas burimeve të organizatorëve të DBR-së, çdo kërkesë për vizë do të shqyrtohet me kujdesin më të madh, para se të lëshohet. Autoritetet, sipas agjencisë UcaNjuz, e morën këtë vendim, për t’i prerë rrugën emigracionit të paligjshëm nga Pakistani. E kjo, sepse shumë njerëz kanë kërkuar të qëndrojnë në Evropë pas përfundimit të DBR-së, si emigrantë ilegalë, konfirmuan burime të organizatorëve të DBR-së. E ky është edhe shkaku, që e shtyu qeverinë spanjolle t’i ndërpresë vizat.
Ndërprerja e shqetëson Kishën në Pakistan, e cila po zhvillon bisedime me ambasadën spanjolle, që të vijojë t’i japë vizën së paku shtegtarëve të vërtetë, të caktuar nga vetë bashkësia katolike. Ipeshkvi i Karaçit kritikoi sjelljen e disa kishave, duke i konsideruar përgjegjëse për kufizimet, sepse në vend që të kërkojnë viza për të rinjtë, kanë bërë kërkesa për mbarë farefisin e tyre. Shumë nga ata që janë shkruar në lista, nuk kanë të bëjnë fare me Kishën, që duhet të jetë partner i besueshëm. Për këtë besueshmëri punon prej kohe, gjë që e tregon fakti se të gjithë shtegtarët e rekomanduar prej saj, janë kthyer rregullisht në vend, pas përfundimit të shtegtimeve të përshpirtshme në Spanjë.Nga ana tjetër, Kisha nuk harron të vërë theksin mbi situatën e vështirë në një vend, ku ka shumë varfëri, shumë dhunë e pak punë. Kjo i shtyn të rinjtë të kërkojnë të gjitha rrugët e mundshme për t’u larguar nga Pakistani.







All the contents on this site are copyrighted ©.