Të kujtojë me gëzim e mirënjohje 60 vjetët e punës përkrah të braktisurve të botës
e të ripohojë impenjimin e tij përballë varfërive të vjetra e të reja: Ky është objektivi
i dyfishtë i Asamblesë së 19-të të Karitasit Ndërkombëtar, e cila u hap sot në Romë
e do të vazhdojë deri më 27 maj. Marrin pjesë 300 delegatë nga 165 vende, anëtarë
të Konfederatës, së themeluar në vitin 1931, për të koordinuar veprimtarinë humanitare
të Selisë së Shenjtë. Sot, Karitasi Ndërkombëtar drejtohet nga kryeipeshkvi i Teguçigalpës
në Honduras, kardinali Oskar Rodrigez Maradiaga. Punimet e Asamblesë përqendrohen
në temën “Një familje e vetme njerëzore, varfëri zero”. Veçanërisht, do të diskutohet
mbi planin strategjik 2011-2015, në gjendjen aktuale botërore. Ndër manifestimet
për festimin e 60-vjetorit të Konfederatës, edhe udhëtimi nga Vatikani në Orvieto
i trenit “Caritas Express”, i cili sot në orën 10 u nis nga Stacioni hekurudhor i
Shtetit të Vatikanit, për të mbërritur në qytetin e Umbries në orët e mesditës dhe
për të përfunduar në stacionin e Romës, Termini. Një lokomotivë me avull e vitit 1915
dhe vagona të asaj epoke transportuan autoritetet fetare e civile, që duke blerë biletën,
i ofruan Karitasit fonde të reja për të ndihmuar viktimat e fatkeqësive natyrore.