2011-05-19 16:05:40

“Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”, është tema e zgjedhur nga Papa për Ditën Botërore të Paqes.


(19.05.2011 RV)“Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”, është tema e zgjedhur nga Papa për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2012. Tema, nënvizohet në një Komunikatë të Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, thekson me forcë një nga problemet më urgjente, që presin zgjidhje në botën e sotme: vlerësimin e rolit të breznive të reja në veprimtarinë për të mirën e përbashkët e për ndërtimin e një rendi shoqëror të drejtë e paqësor. Të rinjtë duhen dëgjuar, duhen aktivizuar, u duhen krijuar kushtet e nevojshme për të shprehur mendimin e tyre e për të realizuar plotësisht një botë, e cila i respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Është, prandaj, detyra më e rëndësishme e breznive të sotme, vijon Komunikata, t’u lënë trashëgim breznive të ardhshme një botë më të re, më të mirë, më paqësore, në të cilën do të mund ta vijojnë me përgjegjësi, impenjimin e etërve. Kisha, vijon nota, i pranon të rinjtë dhe instancat e tyre si shenjë e një pranvere gjithnjë më premtuese e u tregon Jezu Krishtin si model të dashurisë, që i bën të reja të gjitha sendet (Ap 21,5). Njerëzit, që përgjigjen për pasurinë publike, nënvizon më tutje dikasteri i Drejtësisë e Paqes, janë të thirrur të punojnë që institucionet, ligjet e mjediset, ku jetohet e punohet, të përshkohen nga fryma e humanizmit transhendent, që u ofron breznive të reja realizim të plotë e punë, për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë vëllazërore, koherent me kërkesat për të vërtetën, lirinë, dashurinë e drejtësisë, për të cilat kanë nevojë të gjitha breznitë e posaçërisht, të rejat.
Prej këndej, mund të themi se tema e zgjedhur nga Ati i Shenjtë ka përmasa profetike. Përshkohet nga fryma e pedagogjisë së paqes, skicuar nga Papa Gjon Pali II. I kujton njerëzimit se të rinjtë duhet të jenë veprimtarë të drejtësisë e të paqes, në një botë të ndërlikuar e të globalizuar. E kjo kërkon aleancë të re pedagogjike të të gjitha subjekteve, që përgjigjen për formimin e breznive të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.