2011-05-19 16:02:25

Papa në audiencë me “Terezianum”: gjithë të krishterët kanë nevojë për drejtues shpirtëror, që t’u prijë në lidhjen me Zotin.


(19.05.2011 RV)Duhet të jeni të aftë ta doni Kishën e t’i shërbeni me pasion gjithnjë më të madh: kjo është porosia kryesore, që i dha sot Papa bashkësisë së Fakultetit Teologjik Papnor “Terezianum”, duke e pritur në audiencë me rastin e 75-vjetorit të themelimit. Ati i Shenjtë kujtoi posaçërisht përshpirtërinë e Shën Terezës së Avilës. Pastaj theksoi me forcë se për besimtarët ka rëndësi të dorës së parë të kenë një drejtues shpirtëror, që i shoqëron në rrugën e përditshme të takimit të tyre me Zotin.
Nga ana e “Terezianum”, Benediktin XVI e përshëndeti atë Severino Kanistra, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Karmelitanëve të Zbathur.

“Të jetojnë, duke thelluar gjithnjë më shumë aftësinë për ta dashur Kishën e për t’i shërbyer me pasion”: kjo, kujtoi Papa, është sfida kryesore, që duhet të përballojnë anëtarët e bashkësisë së Karmelitanëve të Zbathur të Terezianum. Historia e këtij institucioni, kujtoi Ati i Shenjtë, nisi më 16 korrik 1935, në festën e Zojës së Karmelit, kur Kolegji Ndërkombëtar i Karmelitanëve të Zbathur në Romë, u bë Fakultet Teologjik, duke nisur punën shkencore për thellimin e teologjisë shpirtërore, në kuadrin e çështjes antropologjike. Në vijim Papa i ftoi profesorët dhe studentët të ndjekin shembullin e Shën Terezës së Jezusit e të Shën Gjonit të Kryqit, që shkrinë gjithë jetën për ta përtërirë Kishën e, me zellin e zjarrtë të jetës së tyre kundruese, përflakën mbarë botën:
“Të dashur studentë, në gjurmët e kësaj karizme vijon edhe puna juaj shkencore antropologjike e teologjike, detyra për të depërtuar në misterin e Krishtit, me inteligjencën e zemrës, që është njëkohësisht dije e dashuri. Kjo kërkon që Jezusi të jetë gjithnjë e gjithkund në krye të vendit në zemrën e në mendjen tuaj, në kohën e studimit, të veprimtarisë, të vetë jetës”.
E për ta konkretizuar këtë porosi, Papa nënvizoi përvojën shpirtërore, që jetoi Shën Tereza para Kryqit, duke pohuar fjalët e mistikes spanjolle, e cila vijon të na kujtojë se njeriu nuk mund të jetë indiferent përballë dashurisë së Zotit:
“Dashuria e Shëlbuesit meriton gjithë vëmendjen e zemrës e të mendjes, e mund të realizojë edhe ndër ne atë rreth mahnitës, në të cilin dashuria e dija ushqejnë njera–tjetrën. Gjatë studimeve tuaja teologjike, mos harroni kurrë se kujt i shërbejnë. Kujtoni, prandaj, se janë në shërbim të Jezusit, që na deshi e dhuroi edhe jetën për ne”.
Pjesën më të rëndësishme të fjalimit, Benedikti XVI ia kushtoi rolit të drejtimit e të drejtuesit shpirtëror. Praktikë kjo, theksoi Papa, e pazëvendësueshme, që duhet ta kenë mirë parasysh jo vetëm ata, që dëshirojnë ta ndjekin nga afër Zotin, por të gjithë të krishterët, që duan ta jetojë me përgjegjësi Pagëzimin. Secili, vërejti Benedikti XVI, ka nevojë të shoqërohet personalisht nga një prijës i sigurtë në doktrinë e specialist në punët e Zotit:
“... ai mund të na ndihmojë të mos i besojmë lehtësisht vetvetes, duke na vënë në dispozicion bagazhin e njohurive e të përvojës së jetuar në ndjekje të Krishtit. Është fjala për të krijuar po atë marrëdhënie personale, që kishte Zoti me dishepujt e tij, po atë lidhje të posaçme, përmes së cilës ai i tërhoqi pas vetes, duke i mësuar të rrokin vullnetin e Atit qiellor, që do të thotë, të rrokin kryqin”.
Edhe ju, tha në përfundim Papa duke iu drejtuar bashkësisë së Karmelitanëve të Zbathur, duhet ta përdorni thesarin e dijes, që fituat gjatë studimeve tuaja, për t’i ndihmuar besimtarët, duke i udhëhequr në rrugën e përsosurisë shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.