2011-05-19 18:56:54

Obama ofron ndihma për Lindjen e Mesme


(19.05.2011 RV)Në një fjalim të shumëpritur për të lënë gjurmë në ngjarjet e pështjelluara të Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme, presidenti amerikan Barak Obama paraqiti sot planin e tij në mbështetje të demokracive të reja. Shumë i ngjashëm me planin e propozuar për Evropën Lindore, pas rënies së komunizmit, ai bazohet mbi politikën e shkopit e të karrotës, por edhe në perspektivën e vendit që zë Amerika në botë, pas vdekjes së Osama Bin Ladenit. Obama godet ashpër me sanksione presidentin sirian Bashar Al-Asad për mënyrën e reagimit ndaj revoltave të popullsisë, por premton ndihmat amerikane për ato vende, që ecin drejt demokracisë. Egjipti e Tunizia janë shtetet, që do të përfitojnë më shumë. Uashingtoni do t’i falë Kajros 1miliard dollarë nga borxhi i jashtëm, ndërsa 1 miliard të tjerë do t’i jepen Egjiptit përmes investimit të kapitalit privat, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Gjithashtu, SHBA-të do të realizojnë marrëdhënie të reja tregtare me Lindjen e Mesme dhe me Afrikën e Veriut, duke i nxitur institucionet ndërkombëtare të ndihmojnë sidomos Egjiptin dhe Tunizinë. Obama do të merret personalisht me paqen izraelito-palestineze. Ai u bëri të qartë palëve se do të rrezikojnë më shumë, nëse nuk do të merren vesh për paqen. Nesër, presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin izraelit, Netanijahu.







All the contents on this site are copyrighted ©.