2011-05-19 18:57:35

Faqja e kalendarit: Shën Çelestini, Vetmitar e Papë.


(19.05.2011 RV)Pjetri nga Marrone, lindur në Izarnia të Italisë rreth vitit 1215 e vdekur në Frozinone, po në Itali, më 19 maj 1296, u zgjodh papë më 29 gusht 1294. E drejtoi barkën e Pjetrit deri më 13 dhjetor 1294, kur hoqi dorë nga papnia, për t’i kaluar ditët e fundit larg intrigave, në vetminë e qelës murgare, që i pëlqente aq shumë.
Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si vetmitar. Themeloi Urdhërnm “Vëllezërit e Shpirtit Shenjt”, që më vonë u njohën me emrin “Çelestinët”, miratuar nga Papa Urbani IV. Ngriti 36 manastire me frymëzim benediktin, populluar nga 600 murgjër, si dhe një një mori strehësh vetmitare. I zgjedhur papë, në sa shkelte në vitin e 80-të jetës, pas një konklavi, që zgjati më se dy vjet, mori emrin Çelestini V. Njeri i thjeshtë e shenjt, e kuptoi shumë shpejt se kishte rënë, pa dashur, në një rrjet të ngatërruar interesash politike dhe ekonomike, të cilave i shtoheshin, nga jashtë, edhe ndërhyrjet e Karlit, mbret i anzhuinëve. I lodhur nga manovrat lidhur me personin e tij, hoqi dorë nga papnia, duke vdekur pak kohë më pas, krejtësisht i vetmuar, mbyllur në kështjellën Fumone. I akuzuar nga Dante si “ai që, për ligështi, hoqi dorë nga detyra e vështirë”, më vonë nisi të shikohej si Papë me fe e me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, shembull heroik i përvujtërisë dhe i aftësisë për t’u flijuar në të mirën e Kishës. U shpall Shenjt nga Papa Klementi V, në vitin 1313. Reliket e tij nderohen në Akuila, në Kishën e Shën Marisë së Kolemagjos, rindërtuar pas dëmtimeve të rënda, që pësoi nga tërmeti i vitit 2009-të, e cila aktualisht shërben si katedrale.







All the contents on this site are copyrighted ©.