2011-05-18 17:46:43

Zgjidhet kreu i ri “i përkohshëm” i Al Kaedës


(18.05.2011 RV)Është ish-anëtar i forcave speciale egjiptiane, kreu i ri i organizatës terroriste Al-Kaeda, i cili do ta zëvendësojë Osama Bin Ladenin derisa të mund të mblidhet këshilli i pleqve. I njohur si Seif al-Adel, pseudonim që do të thotë “shpata e drejtësisë”, kreu “ad interim” quhet Muhamad Ibrahim Makaui. Një tjetër, Mustafa al-Jemeni, është zgjedhur në krye të operacioneve ushtarake. Lajmi u dha nga televizioni arab “al-Zhazira”, sipas të cilit të dy janë zgjedhur nga 6-8 drejtuesit e lëvizjes xhihadiste, aktivë në zonat ndërmjet Afganistanit e Pakistanit.
Emërimi i Seif al-Adelit si pasardhës i Bin Ladenit konfirmon zyrtarisht rolin e rrymës egjiptiane të Al Kaedës, udhëhequr nga i mirënjohuri Ajman al-Zauahiri. Al-Adel u lirua vitin e kaluar nga autoritetet iraniane, që e mbanin nën mbikqyrje që nga viti 2002, kur hyri në vend për t’u shpëtuar bombardimeve amerikane në Afganistan. Ka marrë pjesë në atentatet kundër ambasadave amerikane në Kenia e në Tanzani në vitin 1998, ka qenë një nga organizatorët e atentatit kundër presidentit egjiptian Anuar al-Sadat, është bashkuar me muhaxhejdinët kundër ushtrisë sovjetike në Afganistan, por ishte kundër atentateve të 11 shtatorit në SHBA-të, për të cilat e ka kritikuar hapur Osama Bin Ladenin. Më shumë se ai, në sytë e militantëve xhihadistë, vlen vetëm jemeniti Anuar al-Aulaki.







All the contents on this site are copyrighted ©.