2011-05-18 12:29:20

Ndeshje ndërmjet socialistëve dhe policisë për zgjedhjet në Tiranë


(18.05.2011 RV)Rezultati i zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë akoma nuk është bërë i njohur zyrtarisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon mbledhje pas mbledhjesh për të numëruar edhe votat për kryetarin e bashkisë, që janë hedhur gabimisht në kutitë për votimin e këshillit bashkiak. Vonesat e kanë rritur tensionin para selisë së Komisionit, ku u mblodhën shumë përkrahës të socialistëve, të cilët kërkuan të marrin pjesë në mbledhje. Nuk u lejuan, pasi dje bllokuan për gjashtë orë punën e Komisionit Zgjedhor. Deputetë socialistë arritën të hyjnë sot paradite brenda oborrit, por u ndaluan nga policia, që krijoi kordonë të gjatë me forcat e RENEA-s dhe të FNSH-së përreth godinave kryesore të qeverisë.
Ndërkaq, Edi Rama, i cili deri tani deklaron se ka arritur të marrë 10 vota më shumë se kundërshtari i tij, Lulzim Basha, ish-ministër demokrat, pohon se askush nuk mund ta ndryshojë rezultatin në tavolinë. Nga ana e tij, Lulzim Basha bën thirrje që të numërohen të gjitha votat, pasi ato janë shprehje e vullnetit të popullit, pavarësisht se janë hedhur në kutitë e gabuara. Ambasadorët e huaj vazhdojnë frenetikisht bisedimet me krerët e qeverisë. Edhe sot, Berisha është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Etore Sekui, ndërsa ambasadori amerikan, Arvizu ka biseduar me presidentin Bamir Topi dhe me vetë Edi Ramën. Edhe nga Brukseli, Bashkimi Evropian kërkon që votat për Tiranën të numërohen sa më shpejt. Zëdhënësja e komisarit evropian për zgjerimin, Natasha Batler u kërkoi partive të rivendosin atmosferën konstruktive për vazhdimin e procesit zgjedhor, gur prove për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Të respektohet ligji i vendit për zgjedhjet”, deklaroi zëdhënësja e Stefan Fules.
Për të kuptuar se për çfarë po rrezikohet jeta e njerëzve, disa shifra: kanë votuar 38.1% e zgjedhësve, që e kanë këtë të drejtë në Qarkun e Tiranës; edhe këta janë ndarë përgjysëm ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës; kushdo që do të ketë fatin, apo fatkeqësinë të fitojë kolltukun e kryetarit të bashkisë së Tiranës do të qeverisë me 10 vota diferencë e me gati 60% të zgjedhësve, krejtësisht të painteresuar për politikën e tij në kryeqytet.







All the contents on this site are copyrighted ©.