Mbretëresha Elizabeta e Anglisë në stadiumin “Croke Park”, teatër përgjakjesh më 1920
(18.05.2011 RV)Në ditën e dytë të vizitës së saj historike në Irlandë, mbretëresha
Elizabeta e Anglisë shkoi sot në stadiumin “Croke Park” të Dublinit, ku në vitin 1920,
trupat britanike qëlluan mbi turmën, duke vrarë 16 civilë, si raprezalje për vrasjen
e disa policëve nga organizata irlandeze IRA. Ishte 21 nëntor, ditë e dielë, prandaj
masakra u quajt “Bloody Sunday” (E diela e përgjakur), emër, që u përdor edhe 52 vjet
më vonë, në një masakër edhe më të përgjakur në Derry, ku policia britanike qëlloi
për vdekje 26 protestues të paarmatosur, të cilët manifestonin për të drejtat e njeriut. Vizita
e sotme e mbretëreshës në “Croke Park” ishte po aq e guximshme sa vendosja e kurorës
me dafina në Kopshtin e Kujtesës, gjatë ditës së djeshme. Aty, sovrania britanike
dhe presidentja e Irlandës, Meri MekAlis mbajtën një minut heshtje për viktimat irlandeze,
që luftuan për pavarësinë e vendit. Por Elizabeta II vizitoi edhe Monumentin e Ushtarit
të Panjohur, kushtuar të rënëve në Luftën II Botërore, takoi deputetët e parlamentit
irlandez e madje, shkoi edhe në birrarinë Guiness, krenari e irlandezëve në të gjithë
botën. Pavarësisht nga ndeshjet e djeshme të disa republikanëve integralistë me policinë,
e cila arrestoi 21 vetë, kjo vizitë, e para e një sovrani britanik në Irlandë pas
100 vjetësh, i vendos mbi baza të reja marrëdhëniet anglo-irlandeze.