2011-05-18 14:31:34

Lutja e Papës për Kishën kineze (Tekst i plotë)


(18.05.2011 RV)Në përfundim të audiencës të përgjithshme, Papa i lartoi Zotit lutjen për Kishën kineze. Më poshtë, teksti i plotë:RealAudioMP3

“Gjatë kohës së Pashkëve, liturgjia këndon Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi vdekjen e mbi mëkatin, të gjallë e të pranishëm në jetën e Kishës e në ngjarjet e botës. Lajmi i mirë i Dashurisë së Zotit, dëftuar në Krishtin, Qengjin e flijuar, Bariun e Mirë, që jep jetën për të vetët, përhapet pambarimisht deri në skajet më të largëta të tokës e, njëkohësisht, has kundërshtime e pengesa në të katër anët e botës. Si atëherë, akoma sot: nga Kryqi, tek Ngjallja!
Të martën, më 24 maj, është dita kushtuar kujtimit liturgjik të Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të madh në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai: mbarë Kisha mblidhet në një lutje korale me Kishën në Kinë. Atje ku, ashtu si në disa vende të tjera të botës, Krishti vijon të pësojë mundimet e Kalvarit. Ndërsa shtohet numri i atyre, që e pranojnë si Zotin e tyre, shumë të tjerë akoma nuk duan ta njohin, e mohojnë, e persekutojnë: “Saul, Saul, pse po më salvon?” (At 9,4). Kisha në Kinë, posaçërisht në këtë çast, ka nevojë për lutjen e Kishës universale. I ftoj, në radhë të parë, të gjithë katolikët kinezë, ta vijojnë e ta thellojnë lutjen, duke ia drejtuar posaçërisht Marisë, Virgjërës së fortë. Por edhe të gjithë katolikët e botës duhet ta shikojnë si impenjim të rëndësishëm, sepse këta besimtarë kanë të drejtë për lutjen tonë, kanë nevojë për lutjen tonë.
E dimë, nga Veprat e Apostujve, se kur Pjetri ishte në burg, të gjithë u lutën me forcë e nxorën nga Zoti hirin që një engjëll ta lironte. Edhe ne bëjmë të njëjtën gjë: lutemi me gjithë shpirt, të gjithë së bashku, për këtë Kishë, me besim se me lutje, mund të bëjmë diçka reale për të.
Katolikët kinezë, siç e kanë pohuar shumë herë, duan të jenë të bashkuar me Kishën Universale, me Kryebariun, me Pasardhësin e Pjetrit. Me lutje mund të nxjerrim hirin që Kisha në Kinë të jetën një, e shenjtë e katolike, besnike dhe e vendosur në doktrinën edhe në disiplinën kishtare. Ajo e meriton gjithë dashurinë tonë.
E dimë se, ndërmjet vëllezërve tanë ipeshkvij, disa vuajnë dhe e ushtrojnë shërbimin ipeshkvnor nën presion. Atyre, meshtarëve dhe të gjithë katolikëve, që kapërcejnë vështirësi të panumërta në përpjekjen për praktikimin e lirë të fesë, u shprehim afërsinë tonë. Me lutjen tonë mund t’i ndihmojmë të gjejnë rrugën për ta mbajtur të gjallë fenë, të fortë shpresën, të zjarrtë dashurinë e krishterë për të gjithë e të pacënuar, besën dhënë Kishës, që e trashëguam nga Zoti e nga Apostujt e që na u transmetua besnikërisht deri në ditët tona. Me lutje mund të nxjerrim hirin, që dëshira e tyre për t’i përkitur një Kishe të vetme e universale, ta kapërcejë tundimin për të ecur në një rrugë të pavarur nga Pjetri. Lutja mund të nxjerrë, për ta e për ne, hirin e gëzimit e të forcës për ta kumtuar e për ta dëshmuar, me guxim e pa pengesa, Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, Njeriun e ri, ngadhënjimtar mbi mëkatin e mbi vdekjen.
Me të gjithë ju i lutem Marisë të ndërmjetësojë që secili prej tyre të lidhet gjithnjë më ngushtë me Krishtin e t’i dhurojë gjithnjë më bujarisht vetveten vëllezërve. Marisë i lutem t’ua ndriçojë mendjen atyre, që dyshojnë; t’i thërrasë përsëri, ata që dredhuan rrugë; t’i ngushëllojë të munduarit; t’i përforcojë të gjithë ata, që tundohen të bien në grackën e joshjeve të oportunizmit. Virgjër Mari, Ndihma e të krishterëve, Zoja jonë e Sheshanit, lutu për ne!








All the contents on this site are copyrighted ©.