2011-05-17 16:31:34

Përfundoi vizita e kardinalit Sarah në Japoni


(17.05.2011 RV)Kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, e përfundoi vizitën në Japoni, ku, në emër të Papës, vizitoi zonat e dëmtuara nga tërmeti dhe tsunami shkatërrimtar, më 11 marsin e kaluar.
Ditën e fundit të vizitës, i dërguari i Papës vizitoi qytetin bregdetar Matsushima, një nga zonat më të bukura të vendit, ku u prit solemnisht në pallatin komunal të këtij qyteti turistik, në veri të Tokios. Gjatë takimit me kryetarin e bashkisë, i dorëzoi ndihmën ekonomike të Papës dhe frytin e dhuratave të mbledhura pranë nunciaturës apostolike, pas tragjedisë. Matsushima është prekur më pak se zonat e tjera, sepse e mbrojtur nga një mori ishujsh, që e rrethojnë e që ia pritën hovin valës shkatrrimtare. Prandaj është aktivizuar kryesisht për të ndihmuar popullsinë e zonave përqark.
Pasi vizitoi tempullin e lashtë të Zuiganjit, muret e të cilit u dëmtuan rëndë nga tërmeti, kardinali Sarah vijoi vizitën me anije në zonën detare, ku u lut për viktimat dhe për familjet e tyre. Pastaj, së bashku me nuncin apostolik, me kryetarin e Konferencës ipeshkvnore dhe zevendës-sekretarin e Cor Unum, hodhi lule në oqean.
Para se të rikthehej në Tokio, u takua me kryebashkijakun e Sendai-së, për t’i dorëzuar, edhe atij, ndihmën ekonomike të Benediktit XVI. Edhe një herë, siç bëri vazhdimisht kudo shkeli këto ditë, shpjegoi se po i vizitonte këto troje, për t’i çuar përqafimin simbolik të Papës të gjithë familjarëve të viktimave, të shpërngulurve dhe vullnetarëve, që vijojnë pa pushim punën për ta rikthyer jetën në viset e shkretuara nga fatkeqësitë e rënda të natyrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.