2011-05-17 16:31:45

Anëtarët e Komisionit Arcic mblidhen në Boze, për fazën e tretë të dialogut katoliko-anglikan.


(17.05.2011 RV)Manastiri i Boze-s është përsëri qendër e një takimi të rëndësishëm ekumenik. Që sot e deri më 27 maj mikpret takimin e parë të fazës së tretë të dialogut ndërmjet Kishës katolike e Bashkimit anglikan. Është fjala për mbledhjen e Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik-Arcic. Njoftimin për fillimin e kësaj faze të re të dialogut e dhanë Benedikti XVI dhe kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiljams, në takimin e tyre, një vit e gjysëm më parë, në Romë. Tema e bashkimit do të jetë në qendër të vëmendjes gjatë punimeve, në të cilat palën katolike e përfaqëson Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Për këtë takim të rëndësishëm, folëm me imzot Mark Langam, punonjës i dikasterit të Vatikanit, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3


Përgjigje: – It’s a theme that really arose out of the discussions of the Holy Father and …
Në të vërtetë, tema lindi nga bisedimi i Atit të Shenjtë me kryeipeshkvin Rouan Uiljams, në takimin e tyre në Romë, gjatë të cilit u prekën argumente, që kanë të bëjnë nga afër me Bashkësinë anglikane në këtë periudhë. Temat trajtojnë problemet e harmonizimit të pjesëve përbërëse të Kishës, të qëndrimit të kishave të veçanta, në lidhje me bashkimin më të gjerë kishtar. Ja, pra, pse pika themelore e bisedimeve mbetet ajo e bashkimit: e bashkimit në nivel universal e lokal. Një argument ky, që është shumë i rëndësishëm brenda Bashkimit anglikan: si për Arcic (Komisionin ndërkombëtar anglikano-katolik) ashtu edhe për të tjerët, kemi të bëjmë me një dialog, që mund të japë ndihmesë shumë të çmuar, për të kuptuar ç’duhet bërë për të vijuar ecjen në rrugën e nisur, në rrugën ekumenike, rrugë e bashkimit të të gjithë të krishterëve.

Pyetje: - Cilat janë problemet etike, që duhen zgjidhur nga ana e të dyja Kishave? Besoj se do të flitet për këto çështje?

Përgjigje: - Yes: inevitably, those are very much part of the scene that we’ll be looking at. …
Po, është e pashmangshme që çështje të tilla të jenë pjesë e rëndësishme e argumenteve, që do të na duhet t’i përballojmë. Por, duhet të shtoj edhe se impenjimi ynë nuk është vetëm ai i prekjes së këtyre argumenteve ‘të vështira’. Nuk e kemi në mend të flasim vetëm për to: do të përpiqemi të shkojmë më tej, për të kërkuar zanafillën e ndryshimeve ndërmjet nesh. E kjo na krijon mundësinë të rikthehemi tek ajo, që është themelore për vetë dialogun ekumenik, të cilin e nisëm duke nënvizuar gjithçka kemi të përbashkët e duke përcakuar edhe fushat, në të cilat mund ta praktikojmë së bashku fenë tonë. Pikërisht prej këtu mund të nisemi, për të kuptuar kur e pse filluan mosmarrëveshjet tona. Kjo është mënyra më e mirë e më krijuese për të prekur pikat e ndryshme kritike gjatë bisedimeve. Në se do të merreshim vetëm me grindjet shekullore, nuk do të arrinim askund. Aspekti entuziazmant i dialogut ekumenik është se ka prirjen pikërisht t’i kapërcejë grindjet, përçarjet, kundërvëniet, duke kërkuar atë, që mund ta ndajmë së bashku: vetëm kështu mund të ecim përpara në rrugën e bashkimit të plotë të të krishterëve.

Pyetje: - Ç’të reja priten nga kjo fazë e dialogut? Shumëkush mendon se Bashkimi anglikan duhet të zgjidhë më parë problemet e veta të brendshme e pastaj të merret me dialogun ekumenik…

Përgjigje: - Ecumenical conversation is not just about discussing things when we’ve got …
Dialogu ekumenik nuk zhvillohet vetëm kur i kemi zgjidhur problemet: dialog ekumenik do të thotë të njohësh vullnetin e Zotit, që na dëftohet përmes Shpirtit Shenjt, këtu e tani. E në këtë çast, pa dyshim të vështirë, është ndoshta më e rëndësishme se kurrë që të dyja Kishat të impenjohen, për të kuptuar cili është vullneti i Zotit për mbarë Kishën. Ne përsërisim vazhdimisht se ekumenizmi nuk është vepër e dorës njerëzore: është dëshirë e Zotit, është lutje e vetë Krishtit për Kishën e tij. Ne përpiqemi vetëm të davarisim retë e keqkuptimeve njerëzore, në mënyrë që të mund ta kuptojmë sa më mirë vullnetin e Zotit për Kishën e vet. Nën këtë dritë duhet të punojmë, e të punojmë edhe më me zell në kohë të vështira, për të arritur bashkimin, për ta shpallur së bashku Ungjillin. E, për t’u rikthyer tek pyetja juaj: është shumë e vështirë të themi cilat janë shpresat tona, ç’presim nga takimet e edhe nga ky takim, sepse gjithçka është në dorë të Zotit. E megjithatë theksoj se ka shumë rëndësi të takohemi, të bisedojmë, në këtë çast të vështirë, për të ripohuar atë, që kemi të përbashkët e, sidomos, për të ripohuar me bindje se Zoti na bën thirrje për bashkim!







All the contents on this site are copyrighted ©.