2011-05-16 17:48:24

Papa: t’u jepet fund spekulimeve dhe ndarjes së pabarabartë të pasurive të tokës.


(16.05.2011 RV)“E vërteta, dashuria, drejtësia janë të domosdoshme, për të kapërcyer çekuilibrimet e sotme botërore”: këtë theksoi sot Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në Kongresin botëror, organizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, me rastin e 50–vjetorit të Enciklikës “Mater et magistra”, shkruar në vitin 1961 nga i Lumi Gjoni XXIII, 70 vjet pas Enciklikës Rerum Novarum të Leonit XIII.RealAudioMP3
Duke sintetizuar elementet themelore të Mater et magistra, Benedikti XVI ripohoi se është urgjente t’i jepet fund pabarazive, që trondisin fatet e njerëzve të veçantë e të mbarë njerëzimit. Drejtësia - theksoi - duhet vendosur në nivel universal: mund të flitet për drejtësi, vetëm atëhere kur e gëzojnë të gjithë, e jo vetëm një grusht njerëzish. E duke bërë të vetat fjalët e Gjonit XXIII, Benedikti XVI kujtoi se Doktrina shoqërore e Kishës ka si dritë të Vërtetën; si forcë lëvizëse, Dashurinë; si objektiv, Drejtësinë:
“E vërteta, dashuria, drejtësia, që, së bashku me parimin e përkatësisë universale të pasurive, Nëna e Mësuesja i tregon si kritere themelore për të kapërcyer çekuilibrimet shoqërore e kulturore, mbeten shtyllat kryesore për të shpjeguar e për të zgjidhur edhe çekuilibrimet e globalizimit të sotëm”.
Përballë këtyre çekulibrimeve – nënvizoi Papa - është e domosdoshme të rikthehemi tek arsyeja integrale, që ia hap zemrën Zotit e rilind mendimin moral, i cili e kapërcen stilin e etikave shekullare, siç janë ato neoutilitaristike e neokontratualiste.
Papa foli me shqetësim për pabarazitë e shumta, që karakterizojnë epokën tonë e që dëmtojnë, në radhë të parë, të varfërit. E me shqetësim edhe më të thellë, theksoi fenomenet, që lidhen me një financë e cila, pas fazës më të mprehtë të krizës, rifilloi të praktikojë në mënyrë të pakontrolluar kontratat e kreditit, të cilat shpesh i hapin udhën spekulimeve pa asnjë kufi:
“Fenomene të dëmshme spekulimi vërtetohen edhe në fushën e prodhimeve ushqimore, të ujit, të tokës, gjë që i katandis në një varfëri edhe më të thellë, ata që edhe kështu janë tejet të varfër. Njëlloj, edhe rritja e çmimeve të burimeve energjitike të domosdoshme, me pasojë kërkimin e energjive alternative, nganjëherë, duke u udhëhequr vetëm nga interesat ekonomike afatshkurtëra, ka pasoja negative mbi ambientin, e jo më pak, edhe mbi vetë njeriun”.
Çështja e sotme sociale - nënvizoi me forcë Papa - është, pa dyshim çështje e drejtësisë sociale botërore; çështje e ndarjes së barabartë të pasurive materiale dhe jo materiale, e globalizimit të demokracisë themelore e shoqërore, që krijon mundësi për pjesëmarrjen e të gjithëve, në vendosjen e fateve të të gjithëve. Një drejtësi e tillë mund të realizohet vetëm në se rrënjoset në të mirën njerëzore universale:
“Përsa i takon planit të realizimit, drejtësia shoqërore duhet zbatuar në shoqërinë civile, në ekonomi, në treg, nga të gjithë, e sidomos nga autoritete politike të ndershme e transperente, në nivel ndërkombëtar”.
Duke u ndaluar tek roli i Kishës në çështjen shoqërore, Papa ripohoi protagonizmin e besimtarëve laikë, që duhet të jenë të përgatitur shpirtërisht, profesionalisht e etikisht. Në përfundim, citoi Enciklikën ‘Mater et magistra’, lidhur me pluralizmin e ligjshëm të katolikëve në konkretizimin e Doktrinës shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.