2011-05-16 17:48:35

Papa ipeshkvijve indianë: punoni me durim për lirinë fetare në vendin tuaj


(16.05.2011 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite ipeshkvijtë indianë, në vizitë Ad Limina në Vatikan. India, u tha Ati i Shenjtë prelatëve, është vatër e shumë feve të lashta, përfshirë krishterimin, prandaj shpallja e Ungjillit kërkon një proces delikat inkulturimi. Për këtë, meshtarët e njerëzit e Kishës në përgjithësi, duhet t’i përvetësojnë mirë gjuhët e vendit si edhe ato besime të popullit, që shërbejnë për shpalljen e Lajmit të Mirë. Nga ana e tyre, ipeshkvijtë duhet ta kontrollojnë këtë proces, duke u bërë garantë të trashëgimisë fetare indiane, së cilës duhet t’i qëndrojnë besnikë. E më tej:RealAudioMP3
“Kombinojeni atë besnikëri me ndjeshmërinë e veprimtarinë krijuese, në mënyrë që ta dëshmoni vërtet arsyen për shpresën brenda jush”.
Përsa i përket dialogut ndërfetar, Ati i Shenjtë vuri në dukje rrethanat e vështira për të krishterët, por i nxiti ipeshkvijtë të përpiqen të jetojnë në paqe e në harmoni me fetë e tjera. E rëndësishme për këtë, u tha Papa, është t’i referoheni vazhdimisht së vërtetës, bazë për dialogun ndërfetar. E nuk duhet harruar të punohet për afirmimin e të drejtave të njeriut në të gjithë shoqërinë, pasi prej kësaj varet edhe e drejta e katolikëve për të jetuar në harmoni me të tjerët. Papa premtoi se do të lutet për këtë e ia besoi punën baritore të ipeshkvijve indianë Nënë Terezës, bamirëses së madhe shqiptare, e cila jetoi e punoi në Indi, në mesin e më të varfërve:
“E Lumja Terezë e Kalkutës, shërbimi personal e plot durim i së cilës për të afërmin motivohej nga dashuria e Krishtit, nxjerrtë prej Zotit hire hyjnore, që sigurojnë fryte të shumta shpirtërore në punën tuaj baritore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.