2011-05-14 17:26:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Pashkëve ‘A’


Ja përseri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Pashkëve, ciklit të parë sipas kalendarit kishtar.
Në këtë të diele të Pashkëve, Jezu Krishti i Ngjallur na paraqitet në takim me fytyrën e Bariut të mirë. Ky imazhë, kaq i dashur për dëftimin (zbulimin) biblik, shpreh përkushtimin e Zotit ndaj nesh. Nëse Zoti është bariu ynë, ne jemi grigja e tij. Në librin biblik të Daljes (Dl 19,5) lexojmë: “Tani, nëse do të ma dëgjoni zëri tim e do ta ruani dhe mbani Besëlidhjen time, ndër të gjithë popujt, ju do të jeni për prona ime e veçantë”.
Fjalën hebraike segullah që do të thotë “pronë”, mund ta përkthejmë edhe me fjalën “grigjë”. Izraeli, para besëlidhjes solemne në Sinaj, është pranuar e njohur si grigjë e Zotit, e mira e tij e patjersueshme ( e tillë është grigja për bariun). Segullah pastaj ngusht e lidhur me fjalën akadike sikiltu, që do të thotë thesar i çmueshëm i Zotit. Prandaj kur Jezusi pohon: “Unë jam bariu i mirë” (Gjn 10.11), jo vetëm mishëron përkushtimin e Hyjit Atë ndaj popullit, por shpall çdo njeri si pasuri të çmueshme të Atit Qiellor, si e mirë tejet e çmueshme e Tij.
Jezusi nënvizon edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm të fjalës “bari”, kualifikimin i “mirë” (kalos). Fjala greke kalos nuk do të thotë vetëm i “mirë” (cilësi morale) por edhe i “drejtë”, i “përshtatshëm”. Jezusi është pra bariu i drejtë, që realizon në vete dhe rreth vetes përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit Qiellor; një dashuri që dhuron jetën deri në vdekje. Ja se pse kalos përkthehet edhe me epitetin tjetër i “bukur”. Krishti është “i bukur” sepse është mishërimi i shkelqyeshëm i dashurisë dhuruese të Atit Hyjnor.
Ungjilli i sotëm në pjesën e parë paraqet (Gjn 10,1-5) kontrastin – kundërshtimin (kundërshtinë) ndërmjey ikonës (figurës) së Jezusit Bariut të mirë dhe tri tipologjive negative të barinjve: hajdutit (vjedhësit), cubit (banditit) e të huajit (armikut).
Kush janë këta? Janë ata që keqpërdorin pushtetin e postin e tyre në dëmë tè grigjes që u është besuar atyre. Prandaj edhe quhet vjedhës, sepse vjedhin me dinakëri e me mashtrim; pastaj cubat, sepse duke vjedhë përdorin dhunën; së fundi të huajtë apo armiqtë, sepse nuk vendosin marrëdhënien jetike me delet.
E mbi këtë aspekt të fundit inziston Jezusi, duke pohuar se ndërmjet tij e deleve ekziston një marrëdhënie tejet e veçantë, ekziston bashkimi i jetës, pjesëmarrje në Jetën e vërtetë e të përjetshme në Zotin.
Në pjesën e dytë të Ungjillit të sotëm (Gjn 10,6-10) kemi një tjetër imazh apo figurë, atë të derës. Jezusi do të thotë për veten: “Unë jam porta e deleve” ( Gj 10,7).
Të hysh e të dalesh
Ndërsa Jezusi i bënë këto dëftime të forta hyjnore është duke shikuar drejt Portës së deleve, që mundësonte hyrjen e besimtarëve në tempull të Zotit. Duke e shpallur veten “Derë të deleve” pohon se Ai vet është tempulli i ri (Gjn 2,13-22), ndërmjetësuesi i domosdoshëm për të takuar Zotin.
Nga kjo burojnë tri fryte. “ Nëse ndokush hyn përmes meje, do të shpëtohet”. Kush e zgjedh Krishtin e përcaktohet për Të, e gjenë jetëne vërtetë sepse lirohet nga trysnia (shtypja)e vdekjes (fryti i parë). Më tutje, “do të hyjë e do të dalë”. Dy fjalët “të hysh” e “të dalesh” përfaqësojnë dy polet e skajshme të jetës, një dalje nga bota për të hyr në Mbretërinë e Zotit. Prandaj këto dy pole përfaqësojnë tërësinë e jetës.
Besimtari që e ka pranuar Krishtin në zemër, e ndjek Atë gjatë tërë ekzikstencës së tij tokësore (fryti i dytë). Në Të, pra, di të gjej kullotat (ushqimin): “ E do të gjejë kullosë” (Gjn 10,9). Të gjesh kullosë apo ushqim do të thotë të mos vuash më nga uria, as nga etja (Gj6,35). Jezu Krishti e plotëson e shuan çdo pritje të zemrës së njeriut (fryti i tretë).
Dera përfaqëson kalimin nga një sferë në tjetrën, nga ajo tokësore në atë qiellore, nga ajo njerëzore në atë hyjnore, nga ajo private në atë publike, nga familja në Kishë, nga Kisha në shoqëri. Duke u identifikuar me portën, Jezusi jo vetëm që paraqitet porsi i vetmi ndërmjetësues i Zotit, sikur thash, por edhe si vend kalimi apo shtegu i vërtet, përmes të cilit njeriu mund të vijë në kontakt me vetveten.
Eshtë e njohur ngjarja e poetit italian Francesco Petrarca, i cili, në prill të vitit 1336, ndërsa ngjitej kodrës Monte Ventoso, në Provancë, arrini në maje e duke admiruar pejsazhin e bukurive natyrore, hapi veprën e shën Agostinit “Rrëfimet”, që e mbante përherë me vete.Shiki tij bie në një faqe e pikërisht mbi fjalët: “E njerëzit shkojnë për t’i admiruar bjeshkët e larta e valët e mëdha të detit e shtetërit e gjerë të lumenjve e madhështinë e oqeaneve e lëvizjen e mahnitshme të ujëve; e nuk kujdesen për vetveten” (X,8,15). I befasuar, tregojnë butimet, i mbylli sytë e u zhytë në meditim dhe filloj të zbret poshtë në heshtje.
Mrekullimi i poetit të Arezzos, lind nga fakti se njeriu do të donte të njihte deri edhe sekretin (misterin) e gjithësisë, ndërsa e injoron (lë anash e nuk e njeh) thellësinë e shpirtit të vet. E kush ia zbulon plotësisht njeriut njeriut, do të thotë veten, është pikërisht Jezu Krishti, sikur reciton dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit, “Gëzim e Shpresë “ - Gaudium et Spes në numrin 22 . Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë (Vap 2, 14.36-41)
Pjetri, duke u nisur nga Shkrimet e Shenjta që të gjithë dëgjuesit i njihnin, shpjegon se si këto fjalë biblike janë realizuar në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, i cili është Mesia i vërtetë i shumëpritur prej shekujsh. Në fund ai fton të pranishmit që të marrin një vendim të ri për jetën e tyre, duke pranuar pagëzimin në emër të Jezusit.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia!
Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.”
Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?”
Pjetri u dha përgjegj: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.”
Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!” Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë u kthyen rreth tri mijë vetë.
Fjala e Zotit Psalmi 23 (22)
Ref:
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
______________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
______________

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
______________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
______________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
______________

Leximi i dytë (1 Pjt 2, 20-25)
Kush lufton me të vërtetë për drejtësinë dhe për të vërtetën nuk duhet të presë komplimente. Mëkati i botës është pikërisht ky: të refuzojë atë që bën të mirën. Nëse dikush zbulon një të keqe që mbahet e fshehtë, në mënyrë të paevitueshme e keqja, e goditur që në rrënjë, hakmerret dhe vret. Ky qe fati i Krishtit i parathënë nga profeti Isaia.
Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, çfarë lumturie veç se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbarni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyrje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi.
Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me vërragët e të cilit jeni shëruar. Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj.
Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti:
i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja.
V Ungjilli (Gjn 10, 1-10)
Populli i Izraelit priste një Mesi Bari, i cili do të kishte kuruar delen e plagosur. Jezusi është bariu i vërtetë, që hyn nga dera dhe delet e njohin. Jezusi është dera: për të gjetur shpëtim është e nevojshme të kalohet nëpërmjet tij, të dëgjohet, të besohet në fjalën e tij, të ndiqet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve.
Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë mbas, sepse e njohin zërin e tij. Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”
Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.
Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë. Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.”
Fjala e ZotitMë tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit mund të dëgjoni këtu....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.