2011-05-13 18:32:10

Numërimi i votave në Shqipëri, me ambasadorë


(13.05.2011 RV)Numërimi i votave të zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri vazhdon vetëm në Tiranë. Është ndoshta numërimi më i çuditshëm, pasi tërheq veçanërisht ambasadorët e huaj. Edhe sot, ka qenë i pranishëm ambasadori i OSBE-së në vend, Eugen Volfarth pas vizitave të mbrëmshme të ambasadorit të SHBA-ve dhe të atij të Bashkimit Evropian në kutitë e votimit. Garancia për numërimin e saktë të votave: ky duket se është qëllimi i ecejakeve të përfaqësuesve të huaj nëpër qendrat e votimit, si përgjigje ndaj deklaratave plot frikë të politikanëve shqiptarë për manipulime të mundshme.
Në rang vendi, “Aleanca për të Ardhmen”, koalicioni i majtë, ka fituar në 37 bashki, ndërsa të djathtët me “Aleancën për Qytetarin” në 28, megjithëse numri i votave, që i kanë shkuar kësaj të fundit në total, është më i madh se shuma e votave për të majtët. Një anomali jo vetëm shqiptare, që i jep një koalicioni mundësinë të komandojë, pavarësisht se njerëzit kanë votuar tjetrin. Edhe në Tiranë, sido që të përfundojë votimi, kryetari i bashkisë do të ketë gjysmën e popullsisë kundër, një legjitimitet ky, në fije të perit.
Kujtojmë për të gjithë, fjalët e ministrit të jashtëm polak, Radoslav Sikorski, i cili do të marrë në dorë presidencën e Bashkimit Evropian në korrik. Ai i ftoi shqiptarët të lenë mënjanë pasionet e partizanëritë politike dhe të përqendrohen tek objektivat për anëtarësimin në strukturat e Brukselit. “Për ta arritur këtë – theksoi ministri i jashtëm polak, duke iu drejtuar politikanëve të Shqipërisë – ju nevojitet këmbëngulje kombëtare në favor të integrimit në Bashkimin Evropian e kjo presupozon konsensus politik dhe uljen e temperaturës së mosmarrëveshjeve politike”. Synimi kryesor i gjashtëmujorit polak në presidencën evropiane është promovimi i demokracisë në vendet ish-komuniste të kontinentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.