2011-05-13 18:07:42

Benedikti XVI: nga Fatima vjen një mesazh, që të ngushëllon e të mëson të shpresosh në Zotin.


(13.05.2011 RV)Mesazhi, që vjen nga Fatima, shkon përtej kërcënimeve e tmerreve të historisë! Flet për shpresë e besim në Zotin. Benedikti XVI e përsëriti këtë bindje në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, më 19. 05. 2010, gjatë së cilës kujtoi etapat kryesore të vizitës së tij apostolike në Portugali.

Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues. Benedikti XVI e fton një botë, e cila tepër shpesh e shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, 94 vjet më parë, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton. Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes.
Benedikti XVI riktheu në Sheshin e Shën Pjetrit, ditët që i jetoi në Portugali. Përvojë prekëse, tejet e pasur me dhurata shpirtërore – e quajti - që nga ora e parë e nga perceptimi i parë, i cili të bën ta ndjesh veten shok udhe me njeriun, nën shenjën e Zojës së Fatimës, në atë vend ku Virgjëra Mari na drejtoi të gjithëve ftesën për ta parë tokën si vend të shtegtimit tonë drejt atmes përfundimtare, drejt Qiellit. Gjatë gjithë shtegtimit (…) e ndjeva pranë meje paraardhësin tim të dashur, të përnderuarin Gjon Pali II, që shkeli tri herë në Fatima, duke falënderuar atë dorë të padukshme, që e çliroi nga vdekja në atentatin e 13 majit, këtu në Sheshin e Shën Pjetrit – kujtoi Papa.
Në Kova d’Iria njeriu zhytet në një atmosferë misticizmi real, në të cilin thuajse preket me dorë prania e Zojës së Bekuar. Papa u bë shtegtar, ndërmjet shtegtarëve për t’ia besuar Nënës së Virgjër shpresat e vuajtjet e botës, por edhe jetën e meshtarëve, atyre që ia kushtojnë zemrën-zemrës së papërlyer të Nënës së Krishtit. E lumi i flakës së procesionit me qirinj të ndezur, që zbresin për disa çaste qiellin në tokë, në sa mbi të dyndet errësira – e bën të prekshme edhe forcën e fesë së një turme, që thotë në kor Rruzaren shenjte:“Kjo lutje, aq e dashur për popullin e krishterë, gjeti në Fatima një qendër shtytëse për Kishën e botën mbarë. “Zoja e Bardhë”, në dukjen e 13 qershorit, u tha barinjve të vegjël: “Dëshiroj ta thoni çdo ditë Rruzaren”. Mund të themi, prandaj, se Fatima e Rruzarja janë gati –gati fjalë sinonime”, kujtoi Benedikti XVI. Kujtim, që tingëllon si porosi, për ta thënë sa më shpesh Rruzaren, këto ditë të majit, kushtuar Zojës së Bekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.