2011-05-12 13:34:24

Shqipëri: në pritje të numërimit të votave për Tiranën


Në Shqipëri procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 8 majit ka hyrë sot në ditën e katërt, dhe beteja e fundit bëhet për Tiranën. Një herë kalon në avantazh kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama dhe një herë rivali i tij demokrat Lulzim Basha. Të dhënat e fundit të azhornuara nga KQZ flasin për Bashën në avantazh me 507 vota, ndërsa kanë mbetur ende 53 kuti votimi pa u numëruar. Nuk ka përfunduar numërimi as në Elbasan. Ne Durres fiton Dako i PS, Shkodren e fiton Luka i PD-se.
Presidenti i Republikës Bamir Topi apelon se është tejet e rëndësishme që procesi i numërimit të votave për zgjedhjet administrative të 8 majit të përmbyllet sa më shpejt, e pa cënuar standardet demokratike. Thirrja e kreut të shtetit vjen gjatë takimit me Drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani e cila shoqërohej nga Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker.

Topi theksoi se është jetike për standardet e zgjedhjeve që procesi i numërimit të jetë korrekt e transparent. Në takim Presidenti Topi përshkroi ecurinë e zgjedhjeve vendore të 8 majit, veçanërisht situatën postzgjedhore.







All the contents on this site are copyrighted ©.