2011-05-12 15:50:39

Kardinali Sarah me mision në Japoni, për të vizituar, në emër të Papës, zonat e dëmtuara nga tërmeti


(12.05.2011 RV)Kardinali Robert Sarah, president i Këshillit Papnor Cor Unum, u nis sot për në Japoni, ku në emër të Papës, do të vizitojë zonat e dëmtuara dy muaj më parë nga tërmeti shkatrrimtar. Benedikti XVI, njofton një komunikatë e dikasterit, dëshiron, kështu, t’i shprehë popullit japonez afërsinë e tij, ta sigurojë se lutet për të e t’i dërgojë edhe ndihmë konkrete. Kardinali Sarah do t’u çojë përqafimin simbolik të Papës të gjithë familjarëve të viktimave, të shpërngulurve dhe vullnetarëve, që vijojnë pa pushin punën për ta rikthyer jetën në viset e shkretuara nga fatkeqësitë e rënda të natyrës. Karitasi niponik, i mobilizuar që në orët e para, vijon të jetë pikëmbështetjeje për të gjitha ndihmat e Kishës katolike, në këtë fazë emergjence, për rindërtimin e jetës së bashkësisë japoneze.
Kryetari i Cor Unum do të shkojë pasnesër në Saitama, për të vizituar qendrat e strehimit të Kishës katolike, ngritur për të pastrehët. Pastaj do të shkojë në Tokio, ku, së bashku me ipeshkvijtë japonezë, do të kremtojë një Meshë falënderimi për Lumnimin e Gjon Palit II. Më 15 do të jetë në Sendai, epiqendër e kataklizmës, ku do të kryesojë Meshën në katedrale. Më 16 do të vizitojë dy qendra strehimi për të shpërngulurit e do të takohet me drejtuesit e organizatave bamirëse, të pranishme në vend.
Kardinali Sarah do të shoqërohet nga zevendës-sekretari i Cor Unum, monsinjor Segundo Tejado.







All the contents on this site are copyrighted ©.