2011-05-11 15:57:48

Rritet shqetësimi për dhunën kundër të krishterëve në botë


(11.05.2011 RV)Rritet në botë, shqetësimi për fatin e të krishterëve të persekutuar e të diskriminuar, objekt sulmesh në shumë vende ku ata janë pakicë, në Afrikë e në Azi, në vendet arabe e gjetiu. Argumenti ishte në qendër të bisedës së djeshme në Vatikan, ndërmjet sekretarit të shtetit, kardinal Bertone dhe ministrit të jashtëm italian, Franko Fratini. Gjatë një ore, u fol për gjendjen aktuale evropiane në kontekstin ndërkombëtar, për krizën e konfliktet në Afrikën e Veriut e në Lindjen e Mesme, si edhe për persekutimin e të krishterëve e mundësitë e mbrojtjes së tyre. Mbi këto argumente, i drejtuam mikrofonin drejtorit të agjensisë AziaNjuz, atë Bernardo Çervelera:
Unë mendoj se për ne të krishterët është e rëndësishme të solidarizohemi me vëllezërit e motrat tona të persekutuara. Solidarizim do të thotë të lutemi, të impenjohemi për të garantuar lirinë e fesë në vendin e tyre, duke i ndihmuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, sepse janë një mjet i rëndësishëm përparimi, zhvillimi e inteligjence në shoqëri, sidomos në vendet arabe si Egjipti, në vendet e Lindjes së Mesme si Iraku, por edhe në Pakistan e gjetiu. Njëkohësisht, u duhet garantuar atyre liria e plotë fetare dhe barazia me qytetarët e tjerë. Vetë shtetet duhet të shqetësohen, që liria fetare të mos mbetet një parim i OKB-së, por të jetë e sanksionuar me kushtetutë e të zbatohet.
Për shumë vjet, as që është folur mbi mungesën e respektimit të lirisë fetare në vende të ndryshme të botës…
Po. Kjo ka ndodhur, sepse Perëndimi është bërë më materialist dhe interesohet veçanërisht për aspektet ekonomike, tregtare të marrëdhënieve me vendet e tjera, pa u marrë me aspekte më kulturore si ndihma për shkollat, konfrontimi ndërmjet vlerave kulturore të Perëndimit e të Lindjes. Kështu, filloi të mungojë prania e mbrojtësit të të drejtave të njeriut, flamurin e të cilave e mbante dikur Perëndimi. Tani, ato janë thjesht një shtesë në fund të kontratave tregtare.
Nga njëra anë, kemi ata që duan të ndërhyjnë me forcë në mbrojtje të të krishterëve; nga ana tjetër, ata që nuk flasin për hir të kompromisit fitimprurës. Ç’qëndrim duhet mbajtur, sipas jush?
Mendoj se ekuilibri qëndron në garantimin e lirisë fetare jo vetëm për pakicën e krishterë, por për të gjitha bashkësitë fetare. Për shembull, në Pakistan, nuk persekutohen vetëm të krishterët, por edhe sikhët, budistët… shiitët e sunitët janë në konflikt me njëri-tjetrin e kështu, edhe në vende të tjera. Duke pasur parasysh se liria fetare është ajo që sjell më shumë përparim në një vend, kërkesa për respektimin e saj nuk do të thotë më tepër privilegje për të krishterët, por zhvillim i përgjithshëm i shoqërisë. Evropa duhet ta kuptojë se nëse lindin konflikte fetare, edhe kontratat e saj ekonomike i merr lumi.







All the contents on this site are copyrighted ©.