2011-05-11 15:37:59

Papa në audiencën e përgjithshme: vetëm në Zotin, njeriu dixhital, si ai shpellave, gjen kuptimin e jetës.


(11.05.2011 RV)Njeriu, për vetë natyrën e tij, është i prirur të besojë e, natyrisht, edhe ta kërkojë Krijuesin e vet: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në vijim të ciklit kushtuar lutjes, nisur të mërkurën e kaluar. Pavarësisht nga parashikimet e atyre, që hamendësojnë zhdukjen e feve, shpjegoi Papa, sot vërehet se njeriu vijon të jetë në kërkim të ethshëm të Zotit:

“Dëshira për Zotin është e shkruar në zemrën e njeriut, sepse njeriu u krijua nga Zoti e për Zotin”. Benedikti XVI citoi katekizmin e Kishës Katolike, për të vënë theksin mbi natyrën fetare të qenies njerëzore. Natyrisht, pranoi Papa, jetojmë në një epokë, në të cilën vërehen qartë shenjat e shekullarizmit. E në sa të duket se Zoti është zhdukur fare nga horizonti i disa njerëzve, në të njëjtën kohë, shenja të shumta flasin për rizgjimin e ndjenjave fetare, për synimin e njeriut drejt qiellit. Në se disa njerëz e humbasin nga sytë Zotin, të tjerë e rizbulojnë e kuptojnë sa i rëndësishëm, madje sa i domosdoshëm, është për jetën e njeriut:
“Duke shfletuar historinë tonë të kohëve të fundit, vërejmë se ka dështuar plotësisht parashikimi i atyre që, në epokën e Iluminizmit, paraflisnin zhdukjen e feve, duke vënë në vend të Zotit, arsyen absolute, të shkëputur nga feja; një arsye, që do ta dëbonte errësirën e dogmatizmave fetare e do ta zhdukte ‘botën kishtare”, duke ia rikthyer njeriut lirinë, dinjitetin, pavarësinë nga Zoti”.
Përvoja e shekullit të kaluar, me dy luftëra tragjike botërore, tha në vijim Papa, e vuri në krizë të thellë atë proges, që u duk se mund ta garantonte arsyeja e pavarur, njeriu pa Zot. Papa ripohoi me forcë se njeriu ka nevojë për një dritë, që ta ndihmojë t’u japë përgjigje pyetjeve mbi kuptimin më të thellë të realitetit rrethues. E, ripohoi edhe se feja e njeriut nuk ka të bëjë vetëm me kohët e lashta, por përshkon gjithë historinë e njerëzimit:
“Njeriu dixhital, ashtu si ai i shpellave, kërkon në përvojën fetare, udhët për të kapërcyer papërsosurinë e tij e për të siguruar aventurën e tij të përkohshme tokësore. Pastaj, jeta pa një horizont të mbinatyrshëm nuk do të kishte kuptim të plotë, e lumturia, drejt së cilës rendim të gjithjë, projektohet vetvetiu kah e ardhmja, kah një e nesërme, që ende nuk është jetuar”.
Njeriu, shtoi Ati i Shenjtë, e di se nuk ka forcë t’i kuptojë të gjitha gjërat, që do të dëshironte t’i kuptonte. Sado ta ketë gënjyer e të vijojë ta gënjejë veten, se mund të bëjë gjithçka vetë, pa pasur nevojë për askënd, njeriu e provon shumë shpejt se vetvetja është tepër pak, nuk mjafton; se duhet t’ia hapë zemrën një tjetri, se ka nevojë për dikë, që mund t’i japë atë, çka i mungon:
Njeriu ka në shpirt një etje të pashuar për pafundësinë, ka mall për amshimin, ka nevojë për bukuri, ka dëshirë për dashuri, ka uri për dritë e vërtetësi: e pikërisht këto ndjesi e shtyjnë drejt Absolutit: njeriu e ka në vetvete dëshirën për Zotin. E njeriu e di, në një farë mënyre, se mund t’i drejtohet Zotit, e di se mund të lutet”.
Rikujtoi, kështu, atë që thoshte Toma i Akuinit, i cili e quan lutjen: “Shprehje e dëshirës së njeriut për Zotin”. Pikërisht kjo forcë, që e tërheq njeriun kah Zoti e që vetë Zoti e ka vënë në shpirtin e tij, tha Papa, është shpirti i lutjes. Por, vijoi të shpjegonte, nuk duhet harruar se të lutesh nuk është aspak e lehtë. Madje është tejet e vështirë, sepse lutja e ka qendrën e vet në thellësitë më të fshehta të njeriut. Prandaj, nuk mund të deshifrohet lehtë, e, prej këndej, mund t’i nënshtrohet edhe keqkuptimeve e falsifikimeve. Prandaj, vërejti Benedikti XVI, përvoja e lutjes është për të gjithë sfidë e hir, që duhet kërkuar, është dhuratë e Atij, të cilit i drejtohemi.
Më pas Papa shpjegoi gjestin e gjunjëzimit, shprehje tipike e lutjes:
“Është gjest me dy kuptime krejt të ndryshme: mund të më detyrojnë të ulem në gjunjë, të përulem si skllav; por mund edhe të ulem në gjunjë vetvetiu, duke e deklaruar haptas se jam i pafuqishëm e se kam nevojë për një Tjetër”.
Pra, vijoi Papa, mund të themi se lutja, që është hapje e zemrës e lartim kah Zoti, bëhet, kështu, lidhje personale me Të.
Benedikti XVI e përfundoi katekizmin duke i ftuar besimtarët të gjunjëzohen më shpesh para Zotit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, sepse kështu
“… mësojmë ta njohim në heshtje, në shpirtin tonë, zërin e tij, që na thërret e na prin kah thellësitë e jetës sonë, na çon tek burimi i jetës, burimi i shëlbimit, për të na ndihmuar të shkojmë përtej jetës sonë e t’i shembëllejmë, të lidhemi me Atë, që është Dashuri e pafundme”.
Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa i ftoi të gjithë shtegtarët, e posaçërisht të rinjtë, familjet e të sëmurët, ta vlerësojnë e ta thonë sa më shpesh Rruzaren Shenjte.Një përshëndetje të veçantë u drejtoi pjesëmarrësve të “Shoqërisë së Thirrjeve Hyjnore”, me rastin e Lumnimit të themeluesit, don Gjystino Rusolilo, duke i ftuar, sipas shembullit të të Lumit të ri, të vijojnë udhën e nisur, të ecin në gjurmët e Krishtit, në kërkim të vazhdueshëm të shenjtërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.