2011-05-11 15:38:23

Kryeipeshkvi i Kietit: “Lutja është fryma e jetës”.


11.05.2011 RV)Në audiencën e përgjithshme të 4 majit të kaluar, Papa shpjegoi se do të fillonte një cikël të ri katekizmash, për t’i mësuar besimtarët ta jetojnë më thellësisht lutjen, gati-gati një shkollë, në bankat e së cilës duhet të ulemi, për të mësuar si të lutemi. I kërkuam një mendim kryeipeshkvit të Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Papa na kujton se kuptimi i jetës njerëzore mbetet i errët e i hidhur, në se nuk lidhet me misterin e Zotit e me planin e tij për botën. Këtë, në fund të fundit, e bën lutja. Lutja i lidh punët e ditët me misterin e shenjtë; na bën ta ndjejmë veten të mbrojtur në prehërin e Trinisë Hyjnore, e pikërisht kështu i hap horizonte shprese e besimi udhës sonë. Ja, pra, pse lutja është si fryma. I ngjet fymëmarrjes, pa të cilën nuk ka jetë e, për besimtarin, është burim i pashterrshëm drite e paqeje, që e bën të lirë e të aftë të lërë gjurmën e vet në histori, sipas vullnetit të Atit e në gjurmët e Krishtit.

Pyetje: - Papa, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, theksoi: “Në çdo lutje, shprehet e vërteta e krijesës njerëzore”…

Përgjigje: - Në kuptimin më të thellë, sepse njeriu nuk është monadë*: njeriu u krijua nga Zoti si partner për një besëlidhje dashurie: njeriu është “Tjetri”, të cilit Zoti i dhuroi jetën, e bëri të lirë, në përkim me vetveten. Zoti na krijoi për të kundruar fytyrën e tij. Shën Agostini e thotë këtë me pasion, në hyrje të veprës së tij të famshme “Rrëfimet’: “E bëre zemrën tonë për vete, e ajo nuk gjen paqe, derisa të pushojë në Ty”. E atëhere, duke u lutur, njeriu gjen plotësisht vetveten, si krijesë, që gjunjëzohet me gjithë zemër para Zotit të vet e Krijuesit të vet.

Pyetje: - Papa vërejti edhe se lutja nuk është gjë që dihet. Duhet mësuar. Duhet, prandaj, të mësojmë vazhdimisht si të lutemi…

Përgjigje: - Shumë e bukur shprehja “shkollë e lutjes”. Është një formulë, që edhe mua, personalisht, më pëlqen; e më pëlqen shumë, aq sa në dioqezën time, themelova pikërisht ‘shkollën e lutjes’. Po pse qenka kaq e rëndësishme të flitet për shkollën e lutjes? Po të gërmojmë në rrënjën e fjalës shkollë’ do të arrijmë tek etimologjia “ndalesë për të mësuar”. Është, pra, njëlloj si të themi se lutja nuk improvizohet, nuk krijohet aty për aty, pa menduar fare. Njeriu duhet të edukohet për t’u lutur, pikërisht sepse lutja e lidh plotësisht gjithë qenien njerëzore me Zotin, duke i hapur burimet e amshuara.

Pyetje: - Lutja nuk të largon nga jeta, nuk i kundërvihet veprimtarsisë së përditshme. Shembullin më të freskët të një lidhjeje të tillë ndërmjet kundrimit e veprimtarisë konkrete, e gjejmë në figurën e ndritur të Karol Vojtilës…

Përgjigje: - Gjon Pali II, të gjithë atyre, që patën fatin t’i qëndrojnë pranë, qoftë edhe për pak çaste, gjatë kremtimit eukaristik, u dukej njeri krejt i shkrirë me Zotin e, njëkohësisht, pikërisht për këtë arsye, edhe thellësisht njerëzor. Kjo vërteton se shprehja ‘shkolla e lutjes”, që përdori Benedikti XVI, ka dy këndvështrime. Këndvështrimi i parë është se lutja të bën të zhytesh thellësisht në Zotin, në Trininë Shenjte; ndërsa i dyti, se, duke u lidhur me Zotin, njeriu lidhet plotësisht edhe me jetën, aftësohet për të përkuar me çka është e vërtetë, e bukur, me çka kemi më njerëzore në shpirtin tonë.
* Fjala ‘monadë’ rrjedh nga greqishtja μονάς monas dhe ka kuptimin ‘një’, ‘i veçantë’, ‘individ’, ‘unik’.








All the contents on this site are copyrighted ©.