2011-05-11 15:59:06

Grevë e përgjithshme në Greqi kundër planit antikrizë


(11.05.2011 RV)Greqia në grevë të përgjithshme. Mijëra vetë demonstruan sot në qytetet kryesore të vendit kundër planit antikrizë të qeverisë. Në Athinë, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit. Jo më larg se dje, mbërritën përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane, të cilët duhet të vendosin nëse është rasti t’i jepen fonde të tjera qeverisë së Athinës. Pikërisht nga kryeqyteti na flet me telefon gazetari italian Stefano Verxhine:
Pati disa kortezhe në Athinë, njëri prej të cilëve është organizuar nga Pame, lëvizje e Partisë Komuniste Greke; pastaj, një tjetër i anarkistëve përreth Politeknikumit dhe; një kortezh i madh, organizuar nga dy sindikatat kryesore greke. Në thelb, të gjithë kërkojnë të mos paguajnë ata për krizën, duke kundërshtuar masat e rrepta, që ka marrë qeveria greke, e shtrënguar – siç thonë protestuesit – nga trojka ndërkombëtare. Është greva e dhjetë brenda një viti, që kur Greqia pranoi planin e Evropës dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Por kjo e sotmja është e veçantë, sepse kujton tri viktimat e grevës së një viti më parë, që humbën jetën brenda një banke, të asfiksuar nga tymi i bombave molotov.
Ç’ka ndryshuar në Greqi, në krahasim me vitin e kaluar?
Gjendja është keqësuar e Greqia është varfëruar për shkak të masave të marra. Të paktën, me sa shohim e me sa na tregojnë grekët… Shpenzimet publike janë shkurtuar rëndë, grekët nuk marrin më rrogën e 13-të e të 14-të si më parë, janë zvogëluar pensionet e pagat, si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat. Njëkohësisht, është shtuar presioni fiskal, janë rritur taksat. Tani, benzina kushton 1,80 euro për litër, ndërsa vitin e kaluar çmimi ishte 50% më i ulët. Pra, gjendja është tepër shqetësuese.
Trojka ndërkombëtare ndodhet aktualisht në Greqi. Është folur për rishikimin e ndihmave, por edhe për daljen e vendit nga euro. Cili është opinioni juaj?
Po, janë të gjitha zëra, hipoteza të vazhdueshme, përgënjeshtruar nga qeveria greke. Dje, fola me zëdhënësin e kryeministrit Papandreu, i cili e përjashtoi absolutisht mundësinë e një paketi të ri ndihmash, prej 60 miliard eurosh. Popullsia i konsideron ndihmat si lajm të keq, pasi e kupton se ato shkojnë më tepër në favor të bankave ndërkombëtare, me të cilat Greqia është në borxh, por njerëzit përfitojnë vetëm ndikimet negative të këtyre fondeve. Prandaj, grekët protestojnë kundër qeverisë. Gjithsesi, duhet të kujtojmë se vetëm kur erdhi Papandreu në pushtet, në vitin 2009, doli në shesh e vërteta mbi borxhin publik, i cili ishte shumë më i lartë se ai, që deklarohej për vite me radhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.