2011-05-10 16:10:09

Trojka ndërkombëtare në Greqi, për ta nxjerrë vendin nga kriza


Filloi sot në Greqi, inspektimi i trojkës së përbërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane për të verifikuar zbatimin e planit të Athinës për daljen nga kriza. Ekspertët ndërkombëtarë do të shqyrtojnë reduktimin e shpenzimeve shëndetësore, gjendjen në sektorin e punës, reduktimin e shpenzimeve në firmat publike, në perspektivën e përshpejtimit të privatizimeve, nga të cilat autoritetet duan të fitojnë 50 miliard euro. Këto ditë u përvijua mundësia e daljes së Greqisë nga euro, si edhe rishikimi i planit të ndihmave nga Brukseli, por të dyja hipotezat u përgënjeshtruan si nga Athina, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, Greqia shet në treg tituj për 1,62 miliardë euro. Për këtë masë të fundit, të dëgjojmë opinionin e ekonomistit Alberto Kuadrio Kurcio, pedagog në Universitetin Katolik të Milanos:
Është një provë si për Greqinë, ashtu edhe për Evropën. Vërtet, gjatë ditëve të fundit, dolën zëra se Athina nuk do të arrinte t’i paguante titujt e shtetit, por ato u përgënjeshtruan nga Greqia e nga burime zyrtare evropiane. Nga ana tjetër, ai vend vuan nga spekullimet, aq sa interesat e titujve dy vjeçarë kanë arritur në gati 25%. Kjo nuk ka kuptim, pasi e barazon Greqinë me vende vërtet të pazhvilluara, që s’kanë asgjë të përbashkët me vendet evropiane.
Sa të vërteta mund të jenë zërat se Greqia do të dalë nga euro?
E konsideroj të pamundur që nga zona e euros të dalë një anëtar, sepse kostoja e një operacioni të tillë do të ishte shumë më e lartë se ajo e mbështetjes së një vendi në vështirësi, pavarësisht se në rastin konkret, duhet gjetur një formë ndihme më afatgjatë. Me fjalë të tjera: kredia prej 110 miliard eurosh, që Evropa i ka dhënë Greqisë, duhet kthyer në kredi me kohë më të gjata se afati aktual 3-vjeçar e interesat e saj duhen ndryshuar. Duke vepruar kështu, Evropa parandalon dëme më të mëdha ndaj vetvetes, sidomos ndaj bankave franceze e gjermane.
Sipas jush, cila do të jetë politika e Bashkimit Evropian në Greqi?
Duke e rishikuar kredinë për Greqinë e duke e zgjatur afatin e pagimit të borxhit, Evropa u thotë tregjeve ndërkombëtare se nuk ka ndërmend ta braktisë vendin. Atëherë, spekullimi mund të ndryshojë kahun e titujt grekë, në vend që të shiten, duke ulur kështu çmimin e tyre, mund të blihen, duke i ngritur çmimet. Uroj që Evropa ta dërgojë të qartë këtë sinjal.







All the contents on this site are copyrighted ©.