Jobi, figurë tepër e njohur në Bibël e në traditën e krishterë si model i shenjtërisë
dhe i durimit, lindi e jetoi në viset e Husit, të cilat shumë autorë i identifikojnë
me zonën ndërmjet Idumesë e Arabisë veriore. Gjithçka të bind se ai nuk ishte hebré,
por thjeshtë “njeri i drejtë që jetonte me frikën e Zotit”. Prej Shkrimit të Shenjtë
mësojmë se ishte njeriu më i pasur i Lindjes: kishte deve, qé, gomerë e skllevër të
panumërt. Ishte në kulmin e pasurisë dhe të lumnisë, kur papritmas i ranë mbi kokë
fatkeqësi të tmerrshme njëra pas tjetrës. Në një kohë tepër të shkurtër humbi gjithçka
kishte: pasuri, skllevër, bij e bija. Të thjeshta e kuptimplote fjalët që tha, kur
e pa veten duke u rrogomisur nga kulmi i begatisë në greminën e mjerimit: “Jahveh
m’i dhuroi e Jahveh m’i mori. Bekuar qoftë emri i Jahveh!”. Sikur të mos mjaftonin
gjithë këto kobe, ashtu i mjerë e i vetmuar, u prek nga një sëmundje që ia shndërroi
gjithë trupin në plagë. Por ai s’e humbi duresën, as atëherë kur e shoqja, që ishte
ende gjallë, nisi të tallej keqas me të. I dëbuar nga shtëpia, u detyrua t’i kalonte
ditët maje një grumbulli plehrash. Aty e gjetën tre miqtë e tij të ngushtë të cilët,
të njoftuar për mjerimet që i kishin rënë mbi kokë, vrapuan ta ngushëllonin. Ishin
Elifazi Temianit, Baldadi Suhit dhe Safari Naamatit. Këtu, në Librin e Jobit, një
nga librat e Shkrimit Shenjt, nis një dialog tepër i gjatë ndërmjet tyre. Diskutohet
me frymë të lartë poetike për problemet më të mprehta e më fisnike që kanë munduar
mendjen njerëzore në shekuj: për zanafillën e dhimbjes në botë, për lidhjen ndërmjet
njeriut e Zotit, lumninë e fatkeqësinë, për fatin e njeriut dhe kuptimin e jetës së
tij. I pari e merr fjalën Jobi i cili, në një monolog sinqerisht dramatik, shfren
gjithë dhimbjen që e bren, duke mallkuar ditën kur lindi e duke i bërë vetes pyetjen
e përjetshme: “Pse vjen njeriu në jetë, kur është i dënuar të jetë fatkeq!”. Atë çast
ai nuk e di se është djalli që e ka vënë në një provë, të cilën Zoti e ka lejuar,
duke pasur besim të patundur në duresën e Jobit. Prova është e gjatë dhe e vështirë.
Asaj i kushtohet pjesa kryesore e Librit të Jobit. E fjala e fundit i takon pikërisht
Zotit. Atëherë Libri i Jobit i afrohet me shpejtësi fundit. Jeta e Shenjtit që përkujtohet
sot, pas provës, përmblidhet në pak versete (42. 11-17). Zoti ia shpërblen durimin.
Ia kthen rishtas të gjitha pasuritë. I fal shtatë bij e tri bija e i jep jetë të gjatë
e të lume derisa vdes në moshën 140 vjeç, i ngopur me të mira e me ditë.