2011-05-09 17:51:03

Patriku Skola: vizitë që i tejkaloi të gjitha parashikimet.


Vizita baritore e Papës në Akuile e në Venedik ishte e shkurtër, por jashtëzakonisht e ngarkuar me veprimtari, takime, emocione. Një ditë pas përfundimit të saj, Patriku i Venedikut, kardinali Anxhelo Skola, bën bilancin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ia kaloi çdo parashikimi. Ishte vërtet një lëvizje popullore, posaçërisht në Meshën e madhe, që mblodhi mbarë besimtarët e Verilindjes në Parkun e Shën Julianit, në atmosferën e Takimit II të Akuilesë. Atmosferë, që i çuditi të gjithë: falënderojmë Zotin, për rezultatin, e falënderojmë edhe organizatorët, që e kryen vërtet mirë punën e tyre, duke ruajtur rendin, në gjirin e një turme dyfish më të madhe, se ajo që parashikohej. E në sa kujtoj turmën vigane, mendoj se një masë e tillë njerëzish nuk mund të lëvizë që në orën 4-4.30 të mëngjesit e të qëndrojë deri në orën 1.00 në një park, nën diellin përvëlues, thjesht për kureshtje…. Diçka shumë më e madhe i shtyu këta njerëz. E kjo më ngushëllon, më bind se zemra e njeriut vijon të ketë etje për të vërtetën. E jam i vetëdijshëm edhe se Ungjilli, i shpjeguar me autoritet nga Pasardhësi i Shën Pjetrit, është në gjendje t’u prijë njerëzve pikërisht drejt së vërtetës, duke i dhënë përgjigje pyetjes më të thellë të zemrës së çdo njeriu: asaj mbi kuptimin e jetës. E kjo, e përsëris, është shumë ngushëlluese, ndonëse të ngarkon me përgjegjësi të madhe.

Pyetje: - Cili është mesazhi, që i la Papa Verilindjes së Italisë?

Përgjigje: - Papa i kujtoi Verilindjes se nuk duhet ta jetojë traditën e vet të madhe në mënyrë pasive, por në mënyrë plotësisht aktive, duke e praktikuar, në se mund të shprehemi kështu, lidhur ngushtë me ndryshimet e së sotmes, që Ungjilli i Krishtit të jetë edhe sot, ashtu si dje, burim kryesor për mbarë popujt e Verilindjes. Zoti, duke medituar me dishepujt e Emausit, na ftoi të kalojmë nga dëshpërimi në shpresë, nga trishtimi në gëzim, e na tregoi edhe rrugën, duke na mësuar ta thellojmë bashkimin kishtar, përqendruar tek forca e Eukaristisë, ndriçuar nga Fjala e Zotit; t’i ndajmë bashkërisht të gjitha të mirat, materiale e shpirtërore, duke nisur, jo me fjalë të thata, por me vepra, nga më të fundmit; të kemi lidhje të bukura me krijesën – e këtu kujtoj se Venediku dje ishte vërtetë rrezëllues e Papa, duke e soditur, u mahnit e u prek thellë – e pastaj, të kemi guximin për ta dëshmuar Krishtin me përvujtëri, por qartë e drejtpërdrejt, në të gjitha fushat e mjediset e jetës njerëzore. Kështu çdo njeri, që ndjek Jezusin, mund të realizohet plotësisht e, mbi të gjitha, mund të bëhet njeri vërtet i lirë. Pastaj Papa e zhvendosi gjithë këtë posaçërisht në takimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile: e zhvendosi këtë lexim, që po e quajmë ungjillor, në rrugën tonë drejt ardhmërisë e na dha këshilla me vlerë edhe për risimin e shoqërisë civile. Lexoi bukuritë e Venedikut, duke u nisur nga tri fjalë kryesore: nga fjala ‘ujë’, nga fjala ‘shëndet’ e nga fjala ‘e përndritur’. Realizoi, kështu, gati-gati një manifest për impenjimin shoqëror e qytetar të Venedikut. E duke pasur parasysh se Papa i flet mbarë njerëzimit, kjo tingëllon si thirrje për impenjimin e të gjithë burrave e të të gjitha grave të botës. Fjalimet e Papës janë tekste, që duhen rilexuar, duhen thelluar, për t’i kuptuar plotësisht e për të hyrë në hollësirat e tyre, duke pasur parasysh se mësimi i Atit të Shenjtë, që të tërheq aty për aty, më pas kërkon studim, zbërthim, impenjim, punë. Me një fjalë, kërkon përvetësim. Papa na la një vizion kishtar e shoqëror me rëndësi të dorës së parë, e kjo na nxit të impenjohemi me entuziazëm për të realizuar detyrat që na presin, për të krijuar atë, që Ati i Shenjtë e quajti “Verilindja e re”. Nuk duhet harruar se dje u mblodhën së bashku rreth 5 mijë vetë, të ardhur nga Kishat e lindura prej Akuilesë: nga Sllovenia, Kroacia, Hungaria, Austria e Gjermania. Mund të themi, prandaj, se për Kishat tona e për shoqëritë tona hapet një horizont i ri e krijohet një impenjim, që të rrëmben.

Pyetje: - Përsa i përket emigracionit, Papa bëri përsëri thirrje për solidaritet e ju folët për një ‘Plan të ri Marshall”….

Përgjigje: - E përdora këtë shprehje, për të kujtuar se Papa foli hapur, qartë. Jam i kënaqur për sinjalet, që erdhën menjëherë nga Lampeduza, nga mënyra sesi populli ynë po e përballon këtë takim me njerëzit nevojtarë. E, përsa i përket çështjes së Planit Marshall, kjo ishte një shprehje, të cilën e përdora për të kujtuar se, duke përgatitur Akuilenë II, reflektuam thellë ç’ka qenë e ç’ mund të jetë Verilindja: Verilindja ishte udhëkryq, vend ku u takuan e u shkrinë popujt gjermanikë, sllavë e latinë, gjatë boshtit Lindje-Perëndim. Sot kemi një detyrë tjetër, atë të zinxhirit, që lidh Veriun me Jugun, duke pasur parasysh se përmes Adriatikut, Mesdheu hyn në zemër të Evropës. Atëherë problemi i Jugut nuk paraqitet më vetëm si problem i Magrebit, por, siç po e shohim nga emigrantët e dy javëve të fundit, edhe si problem i popujve të Jugut të Saharës, të cilët përpiqen të lëvizin drejt nesh, sepse jetojnë në kushte edhe më të vështira, se ato të Magrebit. Atëherë bëhet vërtet urgjente që Evropa dhe vendet e pasura ta konceptojnë mirë sesi mund të bashkëpunohet me “subjektin Afrikë”, duke krijuar një model zhvillimi në vetë Afrikën, në Afrikën Sub-Sahariane: ky mund të jetë një burim real për zhdukjen e mjerimit në këto vende, për perspektivat e ardhmërisë, por edhe për krijimin e një rendi të ri botëror, të një tregu të shëndoshë, me një drejtpeshim të ri, që i përgjigjet kërkesave të njeriut e i shërben së mirës së përbashkët, së mirës të çdo njeriu e të të gjithë njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.