2011-05-09 12:49:08

Me 9 maj Kisha katolike përkujton Shën Pakomin, abat.


(09.05.2011)Pakomi lindi në Egjiptin e Epër në vitin e largët 287. Ishte bir i një familjeje pagane. Sapo i kishte mbushur 20 vjetët, u rekrutua në ushtrinë perandorake. Përfundoi shumë shpejt në burgjet e Tebës, së bashku me të gjithë rekrutët që u mobilizuan së bashku me të. Shpëtuan nga vdekja, falë ndihmës së disa të krishterëve vendas të cilët, duke përfituar nga errësira e natës, u çonin të burgosurve ushqim sa për të mbajtur frymën gjallë. Ky gjest kaq fisnik nga ana e këtyre njerëzve fare të panjohur, e preku thellësisht Pakomin, i cili nuk mundi të mos e pyeste veten se kush i shtynte të silleshin kaq bujarisht. “Zoti i qiellit” - iu përgjigjen të krishterët. Si dëgjoi këtë përgjigje, Pakomi iu lut Zotit të të krishterëve ta çlironte nga zinxhirët dhe i premtoi se do t’ia shpërblente, duke ia kushtuar gjithë jetën. Zoti ia dëgjoi lutjen: ai u lirua. E sapo fitoi lirinë, bëri çmos ta përmbushte kushtin. Hyri, për këtë qëllim, në bashkësinë e krishterë të një fshati jugor, që sot njihet me emrin Kasr-es-Sajad, ku u përgatit për të marrë sakramentin e Pagëzimit. Për një farë kohe jetoi si vetmitar, duke iu kushtuar Zotit e shërbimit të banorëve vendas. Pastaj u lidh ngushtë me murgun Palamon, i cili u bë për shtatë vjet me radhë ati i tij shpirtëror. U tërhoq pastaj në vetmi të plotë në shkretëtirë. Një zë misterioz e ftoi të ngulte banesën në këtë vend, ku do ta ndiqnin shumë dishepuj. E ashtu ngjau. Kur vdiq Shën Pakomi, aty ishin ngritur nëntë kuvende mashkullore e një femëror. Në sa të dhënat për jetën e shenjtit janë të sigurta, pak dihet për vdekjen e varrimin e tij. E kjo sepse në prag të vdekjes, ai vetë i kërkoi dishepullit të tij më besnik ta varroste në një vend të fshehtë, për të shmangur nderimin nga ana e ndjekësve të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.