“Dëshmoni shpresën e krishterë për njeriun modern”: ky, mandati i Benediktit XVI për
besimtarët e Verilindjes së Italisë.
Përfundoi udhëtimi dy ditor i Papës Benedikti XVI në Akuilea e në Venedik të Italisë,
që kishte në qendër temën e zgjedhur nga ipeshkvijtë e vendit: “Ti përforcoje fenë
tonë”. E vërtet, Ati i Shenjtë u tregoi me shembuj e me fjalë se si i duhet dëshmuar
njeriut të sotëm, njeriut modern, shpresa e krishterë, pa pasur frikë nga ndryshimi
i kushteve politike në kohët që po kalojmë. Dy ditë, që mblodhën
në dy qytete njerëz nga krejt Verilindja e Italisë, por edhe nga Istria e afërt e
madje, edhe nga shtete të tjera. Papa në gondolën tradicionale venedikase ishte një
spektakël, që e shijuan me ëndje jo vetëm të pranishmit, por edhe ata që e ndiqnin
përmes televizionit, megjithatë, pavarësisht nga ky udhëtim piktoresk për të shkuar
në Bazilikën e Shëndetit të qytetit, duke përdorur të njëjtën gondolë që patën përdorur
para tij, edhe Papa Pali VI e Papa Gjon Pali II, ngjarja kryesore e ditës ishte pa
dyshim mesha në Parkun e Shën Gjulianit në Mestre, zonë e qytetit të Venedikut, por
jashtë qendrës së tij. 160 mijë besimtarë brenda parkut, por 200 mijë me ata që
mbetën jashtë tij, e mbushën plot e përplot livadhin e gjelbërt e zonat përreth për
të dëgjuar homelinë e Meshës, gjatë së cilës Papa vuri gishtin mbi plagën aktuale
të shoqërisë vendase, atë të mospranimit të të huajve, përballë krizës ekonomike.
Benedikti XVI i ftoi vendasit ta kapërcejnë frikën nga e reja, nga e ndryshmja, duke
u bërë thirrje të krishterëve ta shndërrojnë trishtimin e kohës së tashme në shpresë
e gëzim, sipas shembullit të dishepujve të Emausit, që u kthyen për vepër të Krishtit
të ringjallur, Zot i jetës. Kishat e lindura nga Akuilea, theksoi Papa, janë të thirrura
sot ta përforcojnë bashkimin e tyre të lashtë shpirtëror, në dritën e fenomenit të
emigracionit e të rrethanave të reja gjeopolitike: “Ashtu si në të kaluarën,
kur këto Kisha u dalluan për zjarrin apostolik dhe dinamizmin baritor, kështu edhe
sot, duhen promovuar e mbrojtur me guxim e vërteta dhe uniteti i fesë. Duhet t’i dëshmojmë
shpresën e krishterë njeriut modern, jo rrallë të dërmuar nga problematikat shqetësuese,
që çojnë drejt krizës së bazave të ekzistencës e të veprimtarisë së tij”. Benedikti
XVI nuk mungoi të kujtonte se krishterimi i ka shoqëruar me shekuj popujt në rrugën
e tyre të historisë. Kjo fe dëshmohet sot në shumë kisha, në art, në spitale, në bibliotekat
e territorit dhe në kujdesin për ambientin. Por Papa vuri në pah edhe rrezikun që
krishterimi ta ndriçojë vetëm pjesërisht rrugën e njeriut: “Problemi i së keqes,
i dhimbjes dhe i vuajtjes, problemi i padrejtësive dhe i shtypjes, frika nga të tjerët,
nga të huajt e nga të largëtit, që vijnë në këto troje e duket sikur na cënojnë, i
bëjnë të krishterët e sotëm të thonë me trishtim: ne shpresonim që Zoti të na lironte
nga e keqja, nga dhimbja, nga vuajtja, nga frika, nga padrejtësitë”. Vërtet,
vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe një popull katolik si ai italian, mund t’i ndjejë negativisht
goditjet e një kulture, e cila i shtyn njerëzit drejt një mënyre të menduari, që e
refuzon, ose e pengon mesazhin ungjillor: “Ju inkurajoj të mos dorëzoheni kurrë
para tundimeve të shpeshta të kulturës hedoniste dhe para thirrjeve të konsumizmit
materialist”. Në përshëndetjen që i drejtoi Papës, Patriku i Venedikut, kardinali
Angjelo Skola kujtoi rrënjët e përbashkëta të krishtera të popujve latinë, sllavë
dhe gjermanë, duke pohuar se Kishat e linduar nga Akuilea, 57 dioqeza të Venedikut,
Friulit, Trentinos, Lombardisë e të vendeve evropiane fqinjë deri në Bavarisë, kanë
edhe sot një detyrë të re, të përbashkët, në favor të vëllezërve, për t’u shpallur
bukurinë e Krishtit të gjithë njerëzve. Në përfundim të Meshës në parkun e Shën
Gjulianit, shndërruar në park publik në vitin 2003 e ku sot, për herë të parë u kremtua
një meshë, Benedikti XVI tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke kërkuar mbrojtjen
e Zojës për tokën e lashtë të Akuilesë, në të cilën shumë shenjtërore, kisha e kapela,
i janë kushtuar pikërisht Nënës së Krishtit: “Dhashtë Zoti, që ju, banorë të
këtyre tokave të pasura me një histori të gjatë të krishterë, ta jetoni Ungjillin
sipas modelit të Kishës së parë, në të cilën shumica e atyre që ishin kthyer në fenë
e Krishtit kishin një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”.