2011-05-08 19:14:24

Venediku dhe kultura humaniste shqiptare


(08.05.2011 RV)Rrugët e lidhjes së kulturës shqiptare me kulturën humaniste të Rilindjes evropiane, kalojnë nëpër Republikën e Shën Markut.
Me fillimin e shekullit të pesëmbëdhjetë, fuqia politike dhe ekonomike plot dinamikë e 'Serenissima-s' e kishte shndërruar Adriatikun në një hapësirë ujore venedikase, duke përhapur brigjeve të tij, kulturën e idetë e Rilindjes evropiane. Kushtet që u krijuan pas pushtimit turk, i nxitën shumë shqiptarë të largoheshin nga vendi. Pjesa më e madhe, siç dihet, u vendos në Jug të Italisë. Por pati edhe nga ata, që zunë vend në Veri e sidomos, në Venedik, ku do të linin gjurmët e tyre në kulturën latine të Rilindjes evropiane. Ndërmjet tyre, mbrojtësit heroikë të Kështjellës Rozafa.
Të ikur nga Shqipëria veriore katolike, u vendosën në territoret e 'Serenissima-s', brenda dhe përreth Venedikut. Krijuan lagjet e shkollat e tyre, siç e dëshmon një rrugë, e cila mban edhe sot e kësaj dite emrin “Parruca” – që italianët e lexojnë “Parruka”, emër i familjes së lashtë shkodrane, ndër të parat që u vendosën në Venedik. Parrucë quhet ende një nga lagjet më të njohura të Qytetit të Veriut. Prej familjeve të ikura, dolën figura të shquara, që në historinë e letërsisë shqiptare njihen si "humanistët shqiptarë”. Po kujtomë vetëm tre prej tyre:

Gjon Gazulli (1400-1465) astronom e matematikan i njohur me prejardhje shqiptare. Studioi në Padovë, por jetoi në Venedik e në Dubrovnik, ku dha mësime filozofie, matematike e astronomie. Njihet si shpikës instrumentesh astronomike. Astronomi dhe matematikani bashkëkohës gjerman Johanes Myler (Johannes Müller, 1436-1476), i njohur edhe si Regiomontanus, e përmend në veprën e vet. Gazulli kryesoi një numër misionesh diplomatike në shërbim të Dubrovnikut e Venedikut dhe ishte aleat i heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut (1405-1468).

Historiani Marin Barleti (1450-1512), i lindur në Shkodër, mori pjesë në mbrojtjen e Kështjellës së rrethuar për herë të dytë nga turqit, më 1478. Kur Shkodra më në fund ra, Barleti, si shumë bashkatdhetarë, iku në Itali e u vendos në Venedik e më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane, të cilat e frymëzuan për të dokumentuar historinë e turbullt të Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Skënderbeut. Barleti është autor i tri veprave në gjuhën latine: De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës); Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis, Romë, rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); dhe Compendium vitarum summorum pontificium et imperatorum romanorum usque ad Marcellum II, Romë 1555 (Përmbledhje e jetës së papëve dhe perandorëve romakë deri te Marceli II).

Leonik Tomeu (456-1531), i lindur në Venedik nga një familje prej Durrësi. Studioi letërsi klasike dhe filozofi në Firence dhe u bë profesor i filozofisë në Padovë, ku thuhet se i dha mësim, ndërmjet të tjerëve, edhe Kopernikut. Më pas u vendos në Venedik dhe dha mësim në Scuola degli Albanesi (Shkolla e shqiptarëve). Tomeu, dijetar i shquar klasik, i çmuar mjaft nga Erazmi i Roterdamit, njeriu më i kulturuar i kohës, përktheu veprat e Aristotelit e të filozofëve të tjerë të Greqisë së Lashtë.

Për t’u njohur më hollësisht me lidhjet Shqipëri-Venedik, , mund të lexohet vepra “Shqiptaret ne Venedik, mërgim dhe integrim (1479-1552)” libër i studiueses italiane Lucia Nadin, përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Libri ështe burim i çmuar për të njohur marrëdhëniet e ndersjella te shqiptareve me venedikasit.
Lucia Nadin ka kryer edhe studime të tjera, në të cilat trajton lidhjet e shqiptareve me Venedikun, si “Statuti i Shkodrës në gjysmën e parë te shekullit 14-të”, ndërsa ka në shtypshkronjë librin “Skenderbeu ne Bucintorin e Venedikut”.









All the contents on this site are copyrighted ©.