2011-05-08 19:17:04

Papa në Bazilikën e Shën Markut: mos kini frikë të shkoni kundër rrymës për të takuar Jezu Krishtin


“E dashur Kishë e Venedikut! Imito shembullin e Xakeut dhe shko përtej! Shko përtej e ndihmoje njeriun e sotëm të kapërcejë pengesat e individualizmit, të relativizmit; mos lejo të të tërheqin në llum mungesat, që mund të kenë bashkësitë e krishtera. Përpiqu ta shohësh nga afër fytyrën e Krishtit, i cili ka thënë: Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta”. Si pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, duke vizituar këto ditë tokën tuaj, ju përsëris secilit prej jush: mos kini frikë të shkoni kundër rrymës për të takuar Jezusin, për ta ngritur kokën lart, që të ndeshni vështrimin e Tij”.
Porosi, amanet, këshillë? Në orët e para të pasdites, në takimin me asamblenë e mbylljes së vizitës baritore dioqezane në Bazilikën e Shën Markut, Papa u la ndoshta fjalët më të rëndësishme të gjithë udhëtimit, qytetarëve të Venedikut. U dha atyre shembullin e Xakeut, tagrambledhësit të Ungjillit, që nuk u verbua nga pasuria, por bëri ç’është e mundur të shihte Krishtin e t’i hapte dyert e shtëpisë së vet. E ishte edhe takimi, ku Papa përmendi specifikisht qëllimin e vizitës së tij në Akuile e në Venedik:
“Vij t’ju dorëzoj Ungjillin juve, bijve të Shën Markut, për t’ju përforcuar në fe e për t’ju inkurajuar para sfidave të çastit aktual”.
E më pas:
“Ecni me besim në shtegun e ungjillëzimit të ri, në shërbimin plot dashuri për të varfërit e në dëshmimin e guximshëm brenda realiteteve të ndryshme shoqërore. Të jeni të vetëdijshëm se mbartni një mesazh, që është për çdo njeri e për njeriun në tërësi; një mesazh feje, shprese e dashurie”.
Benedikti XVI u tha përfaqësuesve të asamblesë dioqezane se Kisha ka nevojë për entuziazmin dhe talentet e tyre. Iu drejtua në veçanti meshtarëve, rregulltarëve e laikëve, duke i nxitur t’i thonë “po” Krishtit, që i thërret për t’u bërë dishepuj të vet, për t’u bërë shenjt:
“Dua të kujtoj edhe një herë se “shenjtërim” nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por të ndjekësh çdo ditë vullnetin e Zotit, ta jetosh mirë thirrjen personale, me ndihmën e lutjes, të Fjalës së Hyjit, të Sakramenteve e të përpiqesh përditë të jesh koherent. Po, na duhen besimtarë laikë, që i tërheq ideali i “shenjtërimit” të jetës, për të ndërtuar një shoqëri të denjë për njeriun, për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë”.
Papa përmendi punën e dioqezave në ungjillëzimin e katekizimin e të rriturve, duke filluar nga bashkësitë e vogla e nga dëshmia e tyre, që vë në pah edhe aspektin misionar të veprimtarisë së çdo famullie. E pastaj, përfundoi me fjalët:
“Ju bëj thirrje të mos i kurseni energjitë për shpalljen e Ungjillit e për edukimin e krishterë, duke promovuar si katekizmin në çdo nivel, ashtu edhe ato oferta formuese e kulturore, që janë pjesë e trashëgimisë suaj të rëndësishme shpirtërore. Të dini t’i kushtoni kujdes të veçantë formimit të krishterë të fëmijve, të adoleshentëve dhe të të rinjve. Ata kanë nevojë për pika të vlefshme referimi: të jeni për ta shembuj koherence njerëzore dhe kristiane”.







All the contents on this site are copyrighted ©.