2011-05-08 19:22:31

Benedikti XVI në takimin me botën e kulturës e të ekonomisë: bëhuni si qyteti “i përndritur”, si Jeruzalemi i ri qiellor


(08.05.2011 RV)Pasditen e sotme, Benedikti XVI shkoi në Bazilikën e Shën Markut, ku ishte mbledhur asambleja për mbylljen e vizitës baritore dioqezane. Më pas, Papa lundroi me gondola nga sheshi i Shën Markut në Bazilikën e Zojës së Shëndetit, gjithnjë në Venedik. Këtu, në takimin me botën e kulturës e të ekonomisë, Ati i Shenjtë u nis nga tri elemente “uji”, “shëndeti” dhe “serenissima” (e përndritura), për t’u lënë venedikasve këshillat për jetën e tyre të krishterë.
Uji, theksoi Benedikti XVI është simbol i jetës, por edhe i vdekjes, siç e dinë mirë popullsitë e dëmtuara nga përmbytjet. Uji është i rrjedhshëm, ikën e shkon, siç mund të ikë e të shkojë edhe kultura e një vendi, edhe politika e tij. Papa i ftoi venedikasit të mos ndërtojnë qytetin “ e ujshëm”, por atë “të amshuar”:
“ Duhet zgjedhur ndërmjet qytetit “të ujshëm”, atdheu i një kulture, që priret gjithnjë e më shumë kah ajo e relativizmit dhe e shkujdesjes, dhe një qyteti që e përtërin vazhdimisht bukurinë e vet, duke e ngjyer penën në burimet e artit, të dijes, të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve e popujve” – tha Ati i Shenjtë, i cili më pas kaloi tek fjala “shëndet”.
“Shëndeti”, tha Benedikti XVI, është një realitet gjithëpërfshirës, integral: shkon nga “jam mirë”, që na lejon të jetojmë qetësisht studimin, punën apo pushimet e deri tek “salus animae” (shëndeti i shpirtit), nga i cili varet fati ynë për amshim. Jezu Krishti, theksoi Papa, është shëndeti ynë, sepse na zbulon se Zoti e do jetën dhe dëshiron ta çlirojë nga çdo e keqe, deri tek e keqja më e thellë, që është shpirtërore, është mëkati - rrënja e helmatisur që prish gjithçka. Është Jezusi ai, që e shëron ndjekësin e dishepullin e vet, nga ngurtësia e zemrës, nga mbyllja në vetvete dhe e bën të shijojë mundësinë për të gjetur vetveten, duke e humbur atë, për dashurinë ndaj Zotit e ndaj të afërmit.
Fjala e tretë, nga e cila u nis Benedikti XVI për t’i folur botës së kulturës dhe të ekonomisë, është pikërisht ajo me të cilën cilësohet Republika e Venedikut: “Serenissima”, e përndritura. Papa kujtoi se “i përndritur” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, është Qyteti qiellor, Jeruzalemi i ri. Së bashku me etërit e Koncilit II të Vatikanit, të cilët i citoi, Ati i Shenjtë u vuri në dukje të pranishmëve se emri “Serenissima” flet për një qytetërim paqeje, themeluar mbi respektin e ndërsjelltë, mbi njohjen e miqësinë. Venediku, theksoi Papa, ka një trashëgimi shpirtërore e artistike të tillë, sa mund të ofrojë një kontribut të çmuar për t’i ndihmuar njerëzit të besojnë në një të ardhme më të mirë e të impenjohen për ta ndërtuar atë. Por për këtë, nënvizoi Benedikti XVI, është i nevojshëm një element tjetër, që bën pjesë në stemën e Shën Markut: Ungjilli.
“Ungjilli – u la këtë fjalë Papa, qytetarëve të Republikës detare të Italisë Verilindore – është forca më e madhe shndërruese e botës, por nuk është utopi, as ideologji. Brezat e para të krishtera e quanin “udhë”, pra mënyrë të jetuari, praktikuar fillimisht nga Krishti, i cili na fton ta ndjekim. Në qytetin “e përndritur” arrijmë përmes kësaj udhe, që është rruga e dashurisë në të vërtetën”.
Në përfundim të udhëtimit të tij në Verilindje të Italisë, pas takimit me botën e kulturës e të ekonomisë në Bazilikën e Zojës së Shëndetit në Venedik e, para nisjes për në aeroportin “Marko Polo” për t’u kthyer në Vatikan, Papa bekoi Kapelën e Trinisë Shenjte, në të cilën ka përfunduar restaurimi dhe përuroi Bibliotekën e Studium Generale Marcianum të Venedikut. Në orën 20.30 arriti në aeroportin e Çiampinos në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.