Atë Federiko Lombardi kujton Gjon Palin II: Duc in altum!(Dilni në det të hapur)
(08.05.2011 RV)Kaloi një javë nga lumnimi i Papës Gjon Pali II, por ajo ngjarje
e mrekullueshme akoma ndjehet thellë në zemrat e njerëzve në të gjithë botën. Ishte
një ditë historike, intensive, që u përforcoi besimtarëve fenë në Krishtin dhe, ashtu
siç thoshte Papa Vojtila, i shtyu në det të hapur për aventurën e ndjekjes së Ungjillit.
Këtij argumenti ia kushton komentin e sotëm javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë
Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë: “Kur pashë arkivolin,
që mbante trupin e tij, të ngrihej lart jashtë varrit të hapur, mendova: ja, kthehet
mes nesh!”. Kardinali Xhivish shprehu kështu, gjatë Lutjes të së shtunës mbrëma, ndjenjat
që përshkuan zemrat e të pranishmëve në atë çast, si edhe të atyre që deshën të viheshin
në rresht plot mallëngjim për të kaluar edhe një herë pranë trupit të të Lumit të
ri, në qendër të Bazilikës, afër varrit të Shën Pjetrit, ashtu si në ditën e vdekjes.
Sigurisht, për besimtarët, Gjon Pali II mbetet gjithnjë i gjallë e i pranishëm, por
nuk mund të mohohet se në ditët e Lumnimit, ai u kthye me forcë në mesin e popullit
të Zotit, që lutej e festonte. Prandaj, ishin ditë hiri hyjnor. Prandaj e kuptojmë
domethënien dhe rëndësinë e çdo Lumnimi, por në veçanti të këtij, në jetën e Kishës
Katolike. Në turmën e panumërt, që qëndronte aty që nga nata, në pritje
për t’u afruar në sheshin e Shën Pjetrit, ishin shumë familje të reja, me fëmijët
e lindur pas vitit 2000, fëmijë, që natyrisht nuk e kanë njohur Papën Vojtila, por
janë trashëgimtarë të brezit të të rinjve “të tij”. Gjon Pali II e dinte
se misioni i tij ishte udhëheqja e Kishës drejt mijëvjeçarit të tretë e, në përfundim
të Jubileut të Madh të vitit 2000 na tha, i tha krejt popullit të Zotit: “Duc in altum!
Dilni në det të hapur!”. Kisha lundron në detin e thellë të mijëvjeçarit të tretë,
por e di se mund të mbështetet në përkrahjen nga qielli të atij pape, që ndërhyn pranë
Zotit dhe e fton të mos ketë frikë. Benedikti XVI i bën jehonë në lutje: “Vazhdo të
mbështesësh nga Qielli, fenë e popullit të Zotit. Shumë herë na ke bekuar. Sot po
të lutemi: O Atë i Shenjtë, na beko!”.