2011-05-07 18:49:27

Papa në Akuilea: vetëm në Krishtin njerëzimi mund të gjejë shpresë e ardhmëri.


(07.05.2011 RV)Ati i Shenjtë filloi sot vizitën baritore dyditore në Verilindje të Italisë. Viziton Akuilenë, Venedikun, Mestren, që e pritën me moton: “Ti përforcoje fenë tonë!”.
Ati i Shenjtë u nis nga Vatikani drejt aeroportit të Çampinos në orën 15.00. Arriti në Aeroportin “Friuli-Venecia-Xhulia” të Ronkit, rreth orës 16.15. Për ta pritur kishin dalë autoritetet më të larta shtetërore, politike e kishtare, ndërmjet të cilëve, patriku Skola, kryeipeshkvi i Goricies, imzot Dino de Antoni dhe i Udines, imzot Andrea Bruno Macolato; kryetari i rajonit, i nderuari Renco Tondo dhe autoritete të tjera. U ndalua, së pari, në Akuilea, qytet që i përket kryedioqezës së Goricies, seli e lashtë e Patriarkatit, në provincën e Udines. E pritën, në Sheshin e Kapitolit, para Bazilikës, autoritetet më të larta kishtare e shtetërore vendase. Pas urimit të mirëseardhjes nga ana e kryetarit të bashkisë akuilease, Ati i Shenjtë u drejtoi pëshëndetjen e tij të përzemërt të pranishmëve, banorë të një zone në evolucion, që përpiqet të përballojë pasojat e krizës ekonomike e të golobalizimit, të cilat ndikojnë fuqimisht mbi vendin dhe mbi jetën e njerëzve, duke krijuar mundësi të reja tekniko-shkencore, rend të ri botëror e marrëdhënie të reja ndërpersonale, por edhe rreziqe të reja, siç është humbja e identitetit. E Verilindja Italiane nuk dëshiron të heqë dorë nga rrënjët e veta të lashta, ku mund të gjejë edhe çelësin për planifikimin e ardhmërisë. Prandaj i viziton Papa këto troje: për t’u kujtuar të gjithëve se Jezusi, Biri i mishëruar i Hyjit, është bashkëkohas me ne. E kemi shok udhe. Vizita baritore papnore është përvojë konkrete. Tregon ç’do të thotë të jesh popull, që dëshiron të jetë pranë vëllezërve në praninë e Shëlbuesit, për të menduar së bashku për një verilindje të re, si urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, por edhe ndërmjet Veriut e Jugut.
Aktuale, vizita Papnore. Na nxit të gjithëve të reflektojmë për gjendjen e sotme shpirtërore, shoqërore, ekonomike të mbarë botës, pa harruar se kur Papa flet, prej ngado që të flasë, i drejtohet njerëzimit.
Sapo arriti në Akuilea, Benedikti XVI përshëndeti jo vetëm besimtarët e Trivenetos, por edhe ata të Sllovenisë, të Kroacisë, të Austrisë e të Bavarisë e më pas, duke cituar vargjet e ipeshkvit-poet Paolinit, kujtoi lashtësinë e këtij qyteti që, i lindur në vitin e largët 181, lulëzoi në shekujt e mëpasëm, duke u bërë një nga qendrat më të bukura të zonës e, sidomos, më i famshmi për klerin e për kishat, që i kushtoi Krishtit.
Nga zanafilla e Akuilesë, mendimi i Papës shkoi në provincën e largët të Sirisë, ku lindi Biri i Zotit. Nga Jeruzalemi, përmes Kishës së Aleksandrisë, lajmi i mirë i shëlbimit të Krishtit, arriti edhe këtu, duke u bërë farë për lulëzimin e shpresës së madhe, që i dhuroi këtij qyteti, asokohe i nënti në Perandori e i katërti në Itali, për nga rëndësia, një bashkësi martirësh e dëshmitarësh heroikë të besimit në Krishtin e ngjallur, që e përhapen me guxim Ungjillin edhe në zonat fqinje.
Tokë e bekuar, i quajti Papa këto troje, sepse të vaditura me gjakun e martirëve, të cilëve iu lut të ndërmjetësojnë që kësaj Kishe të mos i mungojnë kurrë dishepujt e guximshëm të Krishtit, të bindur e bindës.
Vijoi me një sintezë të historisë së kësaj Kishe të lashtë Papa, duke nisur nga liria e kultit të krishterimit, në shekullin IV, deri tek sfidat e ditëve tona, e duke u ndaluar posaçërisht tek figura e Bariut të lashtë, Kromacit, të cilit, kujtoi Ati i Shenjtë, i kam kushtuar katekizmin e 5 dhjetorit 2007.
“Jam sot ndërmjet jush pikërisht për të përtërirë traditat e lashta të Kishës së Akuilesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, por sidomos për t’ju përforcuar në fenë e thellë të etërve tuaj. Në këtë orë të historisë, rizbulojeni e praktikojeni me gjithë shpirt këtë të vërtetë themelore: ‘Vetëm nga Krishti njerëzimi mund të marrë jetë, shpresë, ardhmëri; vetëm në të mund të gjejmë forcën për të falur, për të kërkuar drejtësinë e për të vendosur paqen”.
Pastaj, thirrja e fuqishme e Atit të Shenjtë drejtuar të pranishmëve, duke i ftuar të jenë për Kishat e tyre e në gjirin e shoqërisë, “quasi beatorum chorus”, siç pohonte Jeronimi i klerit të Akuilesë, domethënë të punojnë të bashkuar për unitetin e fesë, studimin e Fjalës së Zotit, dashurinë vëllazërore, harmoninë gazmore e shumëplanëshe të dëshmisë kishtare.
Duke i ftuar të kujdesen në mënyrë të veçantë për të varfërit, Papa u kërkoi barinjve të Kishës së Verilindjes së Italisë të jenë gjithnjë të bashkuar rreth “Grazhdit”, siç shprehej Kromaci, domethënë rreth elterit…
“…ku ushqim është vetë Krishti, Bukë e jetës, forcë në persekutime, shujtë, që të shpëton nga çdo mosbesim e ligështi, gjellë e guximit dhe burim i flakës së pashuar të dashurisë së krishterë”.
Kujtimi i Kishës Shenjte Nënë të Akuilesë ju ndihmoftë e haptë para jush shtigje të reja misionare, në këtë periudhë të trazuar historike, duke ju bërë luftëtarë të unitetit e të mirëkuptimit ndërmjet popujve të trojeve tuaja, tha Papa, që e përfundoi përshndetjen, duke iu drejtuar edhe përfaqësuesve të kishave të tjera, në gjuhët përkatëse: gjermane, sllovene e kroate.









All the contents on this site are copyrighted ©.