2011-05-07 20:18:47

Benedikti XVI në Venedik bën thirrje për kulturën e mikpritjes e të ndarjes së përbashkët të të mirave materiale e shpirtërore.


(07.05.2011 RV)Pas përfundimit të takimit në Akuilea, Papa u nis me helikopter drejt Venedikut, për të arritur, pastaj, në Sheshin e Shën Markut, me motovedetë. Kujtojmë se Venediku është një nga qytetet më të veçanta të botës, i ndërtuar mbi ujëra, prej këndej, me udhë ujore, të cilat përshkohen me varkat tipike, të njohura me emrin gondola. Për ta pritur Papën, para Bazilikës kishin dalë kryetari i Zonës Venete, i nderuari Luka Zaja dhe autoritete të tjera të larta publike e kishtare.

“Vij mes jush për të forcuar lidhjen e thellë, që historikisht ju bashkon me Ipeshkvin e Romës. E këtë e dëshmojnë Barinjtë, të cilët nga kjo seli patriarkale, kaluan në atë të Romës” - me këto fjalë e nisi Papa përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Venedikut, duke kujtuar paraardhësit e tij, patrikë e pastaj papë, Gjon Palin I, të lumin Gjonin XXII e Shën Piun X si dhe vizitat që bënë në këtë vend Papët Pali VI dhe i Lumi Gjon Pali II:
“Në gjurmët e paraardhësve, vijoi Papa Racinger, vij mes jush për t’ju sjellë një fjalë dashurie e shprese e për t’ju përforcuar në fenë e Kishës, të cilën Zoti Jezus deshi ta themelojë mbi shkëmbin, që është Pjetrit e t’ia besojë udhëheqjes së Apostujve e të pasardhësve të tyre, në bashkim me Kishën e Romës, që kryeson në dashuri”.
Më pas Benedikti XVI përshkroi me emocion bukuritë e vendit ku ndodhej, në sa sodiste Pellgun e Shën Markut, Pallatin Dukal, bazilikën vigane, të mrekullueshme markiane dhe të gjithë profilin e qytetit, që me të drejtë njihet si ‘perlë e Adriatikut’:
“Venediku, udhëkryq ku takohen bashkësi të ardhura nga vise të ndryshme, pikë takimi për njerëzit e të të gjitha kontinenteve, i famshëm për bukurinë, historinë e traditat qytetare, pati në shekuj thirrjen të shërbente si urë ndërmjet Perëndimit e Lindjes. E edhe sot, është i thirrur të pranojë përgjegjësitë e veta për promovimin e kulturës së mikpritjes e të bashkëpunimit, kulturë që shërben si urë dialogu ndërmjet popujve e kombeve, kulturë e harmonisë dhe e dashurisë, me themele të patundura në Ungjill”.
Papa vijoi të flasë me admirim të thellë për monumentet dhe institucionet shekullore, dëshmi e gjallë e historisë së lavdishme e të karakterit të venecianëve, njerëz të ndershëm, punëtorë, me aftësi të shquara organizative, e në vijim kujtoi se pasuria e traditave civile, kulturore e artistike u krijua edhe në sajë të fesë së krishterë, që nisi të përhapej në këto brigje, që kur u ngritën banesat e para të lagunës. E me kalimin e viteve, feja e transmetuar nga ungjillëzuesit e parë, lëshoi rrënjë aq të thella në indin shoqëror, sa të bëhej pjesa më themelore e jetës. Për ta vërtetuar këtë pohim, Papa kujtoi Kishat mahnitëse e ndërtesat e ndryshme devocinale, që spikasin kudo ndërmjet ujërave, kanaleve, urave. Kujtoi, në mënyrë të veçantë, dy shenjtërore, ngritur pas kushtit që i bënë venecianët Provanisë Hyjnore, duke iu lutur t’i shpëtonte nga plaga e kolerës, që po shfaroste qytetin: Bazilikën e Shëlbuesit edhe Shenjtëroren e Zojës së Shëndetit, të dyja cak shtegtimesh të shumta. E kjo, theksoi Papa..
“.. sepse paraardhësit tuaj e dinin mirë që jeta njerëzore është në dorë të Zotit e njeriu, pa bekimin e tij, ndërton më kot”.
Prej këndej Benedikti XVI iu lut Zotit t’u japë gjithë banorëve të këtij qyteti të qindisur mbi brigjet e kaltra të Detit, fe të sinqertë e të frytshme, që ngjall shpresën madhe dhe dëshirën për të kërkuar të mirën e përbashkët.
E ndërsa dielli perëndonte dalëngadalë mbi ndërtesat madhështore e zhytej në det, duke i lëshuar vendin blusë së natës, qindisur me yje, Papa kujtoi se nesër, e diele, do të kremtojë Pashkët javore të Zotit, me gëzimin karakteristik për këtë kohë kishtare e me sigurinë se Krishti, me ngjalljen e tij, fitoi mbi vdekjen, duke na bërë pjesëtarë të jetës së vet të amshuar.
Pasi përshëndeti qytetarët e Venedikut, Papa hyri në Bazilikë, ku nderoi reliket e Shën Markut. Më pas shkoi qendrën e patriarkatit, seli e tij gjatë vizitës baritore.
Nesër Benedikti XVI do të jetë në Mestre, në parkun e Shën Julianit, ku do të kremtojë Meshën nën qiellin e hapur, në të cilën pritet të marrin pjesë më se 150 mijë besimtarë. Është takim i Papës me Veri-Lindjen e Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.