2011-05-06 18:32:32

Papa për reformën liturgjike: gabohet kush ia kundërvë traditën progresit, liturgjia është shenjë e Krishtit të gjallë.


(06.05.2011 RV)“Shumë shpesh krijohen kundërvënie të pamotivuara ndërmjet traditës e progresit. Në realitet dy konceptet integrohen: tradita është realitet i gjallë, e prandaj përfshin në vetvete edhe parimin e zhvillimit. Është një lloj si të themi se lumi i traditës mbart me vete gjithnjë edhe ujin e burimit e, së bashku me të, shkon drejt grykës e derdhet në det. Prandaj tradita e progresi në liturgji nuk duhen parë kurrë në kundërvënie, duke pasur mirë parasysh se përtëritja e liturgjisë buron nga vetë forca e Krishtit. Është shpirti i Zotit, ai që e gjallëron, me vetë praninë e Tij”. Këto, e mendime të tjera, theksoi Benedikti XVI, duke iu drejtuar rreth 250 pjesëmarrësve në Kongresin ndërkombëtar të liturgjisë, organizuar me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Institutit Papnor Liturgjik, pranë Universitetit të Shën Anselmit, të cilët i priti në audiencë, në Vatikan.RealAudioMP3
Liturgjia, vijoi të pohonte Papa, i jep forcë Kishës, i krijon kushte për ta parë Krishtin e ngjallur në veprim, e edukon njeriun për të vënë në krye të vendit fenë e hirin hyjnor. E megjithatë, shpesh, duke nisur nga Koncili II i Vatikanit e këndej, në fushën liturgjike vërehet një farë kontradikte ndërmjet ithtarëve të së resë e mbrojtësve të së kaluarës. Papa kujtoi se në kohën e Koncilit II të Vatikanit doli në plan të parë kërkesa për pjesëmarrjen sa më aktive të besimtarëve në kremtimet liturgjike, përmes përdorimit të gjuhëve kombëtare si dhe për studimin e vëmendshëm të riteve të kulturave të ndryshme:
“Përveç këtyre, që në fillim u pa qartë nevoja e studimit më të thellë të themelit teologjik të liturgjisë, për të shmangur rrezikun e rënies në ritualizëm, në favorizim të subjektivizmit ose të protagonizmit të kremtuesit, me qëllim që reforma të mirëpërligjej në fushën e Zbulesës e në vijimin e traditës së Kishës”.
Papa i ftoi të gjithë të mos harrojnë se përtëritja e liturgjisë lidhet ngushtë me përtëritjen e gjithë Kishës e se Kisha e merr pikërisht nga liturgjia forcën jetike, në ndihmë të popullit të Zotit…
“... që të mund ta jetojë liturgjinë si shprehje e Kishës në lutje, si prani e Krishtit ndërmjet njerëzve e si aktualitet i historisë së shëlbimit. Në veprimin liturgjik të Kishës është i pranishëm vetë Krishti: atë që bëri gjatë kalimit të tij në mes të njerëzve, Ai vijon ta bëjë përmes veprimit të tij personal sakramentor, qëndra e të cilit është Eukaristia”.
Prej këndej, Papa nguli këmbë për ruajtjen e drejtpeshimit ndërmjet traditës së madhe liturgjike të së kaluarës, me atë të së sotmes.









All the contents on this site are copyrighted ©.