Papa në koncertin, ofruar nga Napolitano: “I krishteri nuk beson në diçka, por në
Dikë”.
Feja e krishterë nuk thotë “Besoj në diçka”, por “Unë besoj në Dikë”, në Hyjin, që
u dëftua në Jezu Krishtin. Këtë pohoi Papa mbrëmë, në përfundim të koncertit, dhënë
nga Presidenti i Republikës së Italisë, Napolitano, për nder të gjashtëvjetorit të
papnisë së Benediktit XVI. Orkestra dhe Kori i Teatrit të Operas të Romës, drejtuar
nga Mjeshtri Jesus López Cobois dhe Roberto Gabianni, ekzektuan “Besojmën” e Vivaldit
dhe “Stabat Mater” të Rosinit. Pikërisht kuptimin semantik e muzikor të titujve,
shpjegoi Papa në përshëndetjen drejtuar artistëve, në përfundim të koncertit, duke
theksuar se të dyja kompozimet janë meditim i thellë e prekës muzikor për Besojmën,
për Misterin e vdekjes së Jezusit dhe për dhimbjen e thellë të Marisë. Para se
të fillonte koncerti, Presidenti Napolitano, duke përshëndetur Papën, foli për afërsinë
ndërmjet Italisë e Vatikanit, theksuar edhe nga Ati i Shenjtë me rastin e 150-vjetorit
të kremtimit të bashkimit kombëtar. Kujtoi, më pas, me emocion të thellë, pjesëmarrjen
korale të italianëve në Lumnimin e Gjon Palit II. Në përfundim e falënderoi Atin e
Shenjtë për qortimin drejtuar Evropës, duke i kujtuar parimet e mikëpritjes e të solidaritetit,
në emër të paqes e të respektimit të të drejtave të njeriut, përballë tensioneve tronditëse
në Afrikën Veriore e në Azi.