2011-05-06 17:49:04

Ipeshkvijtë e Mesdheut: “jo” luftës në Libi, “po” pranimit të emigrantëve në Evropë


(06.05.2011 RV)Përfundoi në Tunizi mbledhja e Komisionit të Përbashkët Mesdhe-Magreb-Evropë, gjatë së cilës ipeshkvijtë e Magrebit, së bashku me delegacione nga Franca e nga Spanja, diskutuan mbi gjendjen në Afrikën e Veriut e mbi çështjen e emigrantëve, të cilët gjithnjë e më tepër synojnë Perëndimin.
Në notën përfundimtare, ipeshkvijtë mbështesin opinionet e Papës Benedikti XVI dhe të vikarit apostolik të Tripolit, imzot Martineli mbi luftën në Libi. Prelatët kërkojnë t’i jepet përparësi dialogut politik e theksojnë se askush nuk mund të kontrollojë pasojat e ndërhyrjeve të armatosura, që shkaktojnë viktima të pafajshme.
Argument tjetër në qendër të vëmendjes së mbledhjes në Tunizi ishte çështja e emigrantëve, për të cilën opinioni publik është ndarë më dysh: nga njëra anë, ata që mendojnë vetëm për sigurinë e qytetarëve të vendeve ku shkojnë personat e ardhur nga Afrika e Veriut, shpesh me rrezik jete e, nga ana tjetër, dishepujt e Ungjillit, që pavarësisht se konsiderohen “të marrë” nga bota, duan t’u shërbejnë njerëzve dhe dinjitetit të tyre. Këto dy këndvështrime, shpjegojnë ipeshkvijtë, mund të gjejnë një pikë të përbashkët nëse fondet, që shërbejnë për mbylljen e kufijve, do të përdoreshin për të arritur së paku pavarësinë ushqimore të vendeve nga vijnë emigrantët.
Së fundi, përsa i përket dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, prelatët theksojnë se shpesh dialogu ndërmjet njerëzve me horizont të ndryshëm mundëson një shkëmbim më të vërtetë e më shpirtëror, se sa kërkimi me çdo kusht i pikave të përbashkëta.








All the contents on this site are copyrighted ©.