Atmosferë e hareshme në Venedik. Qyteti i lashtë pret Papën.
Benedikti XVI do të jetë për vizitë baritore dyditore në lindje të Italisë, nesër
e pasnesër. Së pari Papa do të ndalohet në Akuilea, seli e lashtë e patriarkatit,
në provincën e Udines. Pas Akuilesë, do të vizitojë Venedikun e, së fundi, të dielën,
do të jetë në Mestre, në parkun e Shën Julianit, ku do të kremtojë Meshën, takim
solemn me Veri-Lindjen e Italisë, gjashtë vjet pas uljes në fronin e Shën Pjetrit.
Por, cili është qëllimi kryesor i këtij shtegtimi baritor, në Verilindjen e pasur
të Italisë, tokë që e mori Ungjillin nga predikimi i Shën Markut, vend, prej nga
shumë njerëz largohen, në kërkim të punës në vise të tjera, për një mori arsyesh.
Intervistuam kardinalin Anxhelo Skola, në mikrofonin tonë:
Përgjigje:
- Besoj se motoja, që zgjodhëm e që tingëllon kështu: “Ti përforcoje fenë
tonë” (Lk. 22,32), i shpjegon fare mirë arsyet e vizitës së Papës në verilindje,
nga Akuilea, në Venedik. Njeriu i sotëm ndjehet i pasigurt. Në zemrën e njeriut të
të gjitha kohëve nuk mungon kurrë pyetja: “Kush, në fund të fundit, më siguron, se
do të jetoj përtej vdekjes? Kush më dhuron një dashuri kaq të madhe, që më shtyn edhe
mua të dua, duke gjetur, kështu kuptimin e plotë të jetës? Nuk mungon as përgjigjja:
“Është feja, kjo dhuratë e madhe!”. E detyra e pasardhësit të Shën Pjetrit, siç ka
thënë vetë Jezusi, është pikërisht të përforcojë vëllezërit në fe, t’i mësojë të mbështeten
mbi shkëmbin e patundur të Krishtit, për ta përtërirë vetë jetën. Elementin
tjetër kryesor të vizitës, që përmblidhet te motoja, e thekson pikërisht fjala ‘Ti!”.
Ne nuk iu drejtuam Papës në vetën e dytë shumës, po në njëjës, ‘ti’, ashtu si u drejtohemi
njerëzve të afërt të familjes. E kjo, sepse e ndjejmë se ai është i pranishëm në çdo
Kishë të veçantë. Na dhuron shikimin e tij, dëshminë e tij, shërbimin, e është pikërisht
kjo, që do të ndikojë në përtëritjen shpirtërore të banorëve Verilindorë të Italisë.
Në një kohë kur kemi vertet nevojë për një përtëritje të tillë.