Al Kaeda konfirmon vdekjen e Bin Ladenit dhe premton hakmarrje
(06.05.2011 RV)Organizata terroriste Al Kaeda konfirmon vdekjen e kreut të
saj, Osama Bin Laden dhe premton hakmarrje, duke siguruar se atentatet do të vazhdojnë.
Ndërsa në Pakistan zhvillohen manifestime per t’i bërë homazhe shehut të vrarë, një
avokat denoncoi operacionin amerikan të Abotabadit e sot, Gjykata e Lartë e Lahores
e deklaroi akuzën të pranueshme. Sulmi i trupave speciale amerikane, sipas gjykatës,
“cënoi drejtpërdrejt sovranitetin e Pakistanit”. Shumë polemika pra, së bashku me
frikën e reagimeve të dhunshme, sidomos kundër bashkësisë së krishterë. Në veçanti,
Uashingtoni rriti nivelin e alarmit, pasi sot paradite u bënë të njohura planet për
një atentat, gjatë të cilit terroristët do të ndryshonin rrugën e disa trenave, që
do të shpërthenin më pas në vende të papërcaktuara të SHBA-ve, me rastin e 10-vjetorit
të sulmit të 11 shtatorit 2001. Për rreziqet e pasojat gjeopolitike të vdekjes së
Osama Bin Ladenit, flet në mikrofonin tonë analisti italian i marrëdhënieve
ndërkombëtare, Paolo Kuerçia, këshilltar i Qendrës së Studimeve të Larta për Mbrojtjen: Sigurisht
ka rrezik terrorizmi, kjo dihet, e jo vetëm në SHBA-të, por në të gjithë botën. Mund
të ketë hakmarrje. Duke pasur parasysh se tani fillon lufta për t’i zënë vendin Bin
Ladenit, mund të kemi edhe atentate, të organizuara nga anëtarët e Al Kaedës për të
përcaktuar territorin e tyre, duke vendosur kështu për pasardhësin, sipas logjikës
së më të fortit. Nga pikpamja gjeopolitike, cilat janë pasojat, që duhet të
presim? Ekzistojnë dy fusha, apo dy elemente, që duhen pasur parasysh. Njëri
është pa dyshim Pakistani, i cili është dëmtuar jashtëzakonisht nga kjo ndërhyrje,
si në rangun ndërkombëtar, ashtu edhe në rangun e brendshëm. Fakti që u bë i mundur
sulmi amerikan në territorin pakistanez mund të përdoret kundër qeverisë. Pra, Pakistani
ndodhet ndërmjet kudhrës e çekanit pasi, nga njëra anë, konsiderohet vendi, që i ka
dhënë strehim Bin Ladenit e, nga ana tjetër, opozita mund ta akuzojë qeverinë se i
ka lejuar amerikanët ta vrasin Bin Ladenin në territorin e tij. Pastaj, ekzistojnë
një seri “zonash të nxehta” në Lindjen e Mesme, në të cilat mund të kemi pasoja gjeopolitike.
E ardhmja do të na tregojë nëse ato do të jenë të mëdha apo të vogla. Duhet parë gjithashtu
se ç’ndikim do të ketë vrasja e Bin Ladenit në marrëdhëniet ndërmjet Afganistanit,
Pakistanit e Indisë. Gjykata e Lartë e Lahores e deklaroi sot të pranueshëm,
denoncimin e një avokati kundër operacionit amerikan. A mund të fillojë një proces
mbi këtë bazë e sa interes ka Pakistani ta hapë atë? Duhet të kuptojmë nëse
është fjala për dhunimin e një të drejte të brendshme, apo për dhunimin e së drejtës
ndërkombëtare. Gjithsesi, gjendja mund të ndërlikohet. Por unë do të thosha se këtu
kemi të bëjmë me një ngjarje shumë të madhe, të jashtëzakonshme, nga pikpamja e marrëdhënieve
ndërkombëtare. Megjithëse Bin Ladeni ishte pothuaj jashtë loje nga komanda operative
e Al Kaedës, lufta kundër terrorizmit të frymëzuar prej tij ka lënë shenjë në marrëdhëniet
ndërkombëtare të dhjetë vjetëve të fundit, prandaj trajtimi i çështjes nga ana ligjore,
me gjykata, është më tepër diçka, që mund të shfrytëzohet nga politika për qëllimet
e saj, por nuk mund të lihet në dorën e sallës së gjyqit.