2011-05-05 17:47:05

Shën Irena, virgjër e martire


Shën Irena virgjër e martire ka jetuar nga fillimi i shekullit të katërt. Jetëshkrimin e saj na ofron shën Bazili II i shekullit të X. Ajo lindi në qytetin Megjedo të Persisë dhe emri i saj i parë ishte Penelopi. Babai i saj i cili ishte qeveritar i një krahine në Persi, quhej Liqin dhe e ëma Liqinia. Që në vogëli ishte e bukur dhe e zgjuar. Prindërit e donin shumë se e kishin dhe të vetme. Zoti nuk u kishte falur fëmijë tjetër. Kur u bë gjashtë vjeç i morën një mësues, një plak që e quanin Apelian, për ta edukuar.

Plaku ishte i pamartuar dhe ishte nga ata njerëz që lenë mënjanë çdo prirje tjetër dhe me pasion jepen pas studimit dhe mësimit. Për këtë arsye, një lloj ftohtësie i kishte pushtuar shpirtin, ashtu siç ngjan me të gjithë ata që duke rrojtur të ndarë nga shoqëria, zhvillojnë vetëm mendjen dhe nuk e çajnë kokën fare për thesaret e zemrës. Mirëpo Penelopi e vogël kishte mundur t'ia zhdukte atë ftohtësi plakut të ditur dhe t'ia kthente shpirtin për bukuri. Ajo nxënëse e njomë dhe e paditur u tregua nga kjo pikëpamje më e fortë se mësuesi i saj i urtë. Shpirti i tij i thatë e i pathyer, nga shoqërimi me atë krijesë të padjallëzuar e plot me hir, nuk vonoi ta ndiente e të kuptonte virtytin e ëmbël të dashurisë. Ai që nuk e ndjente nevojën e fëmijëve, që kujtonte se ishin të mjaftueshme për të vetëm librat, kuptoi pa ditur se ishte gënjyer, se njeriu nuk përbëhej vetëm prej mendjes, por dhe prej zemrës dhe se është e metë ajo dituri së cilës i mungon njohja e njërës prej ndjenjave më të shenjta të shpirtit të njeriut, simpatia, dashuria, thjeshtësia dhe sinqeriteti i fëmijëve. Ky zbulim e hidhëroi, pse kish kaluar tërë kohën e vet për ta pasuruar vetëm mendjen, po nga ana tjetër dhe e gëzoi. Dhe kështu një ditë, kur vuri re se nxënësja e tij e vogël e kish frymëzuar të bëhej dhe më i ditur, i tha vetes: "Më mirë vonë se kurrë".

Nxënësja e tij e vogël ishte shembull në të gjitha. E hijshme, por jo fodulle, e gjallë, por jo e paturpshme. Me guxim por dhe me bindje e respekt. E zgjuar, por dhe e kujdesshme e studioze. Kënaqej mësuesi që e mësonte, kënaqej dhe nxënësja që e dëgjonte. Prindërit shihnin entuziazmin e Apelianit dhe gëzoheshin me përparimet e jashtëzakonshme të vajzës së tyre të vetme. Muajt e verës i kalonte në një çiflig jashtë qytetit, ku ishte një kështjellë e madhe, e stolisur përbrenda me të gjitha të mirat. Penelopi gëzohej pa masë me bukuritë e rralla të kopshtit, ku lloj-lloj pemësh lëshonin hijet e tyre dhe ku shushurimat e rrëkeve të panumërta bashkoheshin me këngët melodioze të zogjve. Një bukuri të veçantë kishte dhe lindja e perëndimi i diellit. Apeliani e ndjente veten përsëri të ri në atë rreth të mrekulueshëm dhe mësimet i bënte zakonisht jashtë, duke marrë shembuj të ndryshëm nga natyra për të pasuruar më tepër mendjen e vajzës, e cila ishte në gjendje tani të shfaqte dhe mendimet e veta, mendime që shpesh herë i bënin përshtypje mesuesit plak dhe i dëgjonte me kënaqësi, se kishin kaluar vite bashkë.

Një ditë iu shtua shërbëtorëve dhe një vajzë e re e krishterë. Prindërit e Penelopit nuk e dinin atë se qe e tillë, veç asaj që qe një vajzë e ndershme dhe besnike. Dhe vërtet. Asnjë nga gratë dhe vajzat që kishin shërbyer në shtëpi të Liqinit nuk ishte aq fisnike dhe e ndershme, si ajo. Liqini me të shoqen ishin tepër të gëzuar për këtë. Bile dhe plaku Apeliani nuk kishte fjalë për të shprehur simpatinë për atë vajzë të virtytshme. Dhe kur ndonjëherë e quanin të ditur, ai u përgjigjej: "Eshtë këtu një shpirt më i ditur se unë" dhe duke treguar shërbëtoren e re shtonte: "Kjo ka diçka më të lartë se dituria, zbatimin e kësaj në jetë".

Por më tepër e kënaqur se gjithë të tjerët ishte Penelopi. Ndërsa prindërit e këqyrnin vajzën e re si një shërbëtore të mirë dhe Apeliani si një femër të ditur, ajo e donte si shoqen e saj më të dashur dhe si motër të vërtetë. Që në ditët e para e ka çmuar, e ka dashur dhe i ka hapur zemrën.

Shërbëtorja, këtë dashuri të përzemërt nuk e priti menjëherë. Ajo sillej gjithnjë si shërbëtore. Nuk harronte se vajza e kishte babain qeveritar, se ajo ish marrë si shërbëtore dhe se e kishte detyrë të mos bëhej shkaktare urrejtjeje nga ana e të tjerëve për simpatinë që ushqente për të vajza e qeveritarit. Mirëpo Penelopi aq shumë ishte tërhequr nga cilësitë morale të shërbëtores së re, saqë dëshironte ta kishte gjithnjë me vete. Kur mbaronte mësimet, e thërriste pranë ose bënin shëtitje bashkë përmes pemëve të shumta të kopshtit, ose të mbyllura në dhomën e studimit, bisedonin për çështje të ndryshme, fillimin e të cilave e bënte gjithnjë vajza e Liqinit.

Gjatë këtyre bisedave, ajo që i bënte përshtypje Penelopit, ishte morali që shkëlqente në sjelljet, në të folurit dhe në mendimet e shërbëtores. E ndjente të sinqertë dhe në mendimet e saj më të thella dhe në dëshirat e saj më të fshehta, e shihte zotëruese të zotësisë, të zemërgjerësisë dhe të dashurisë më të kulluar e më e devotshme.

Nga bisedat rreth çështjeve morale, ngadalë kaluan në çështje fetare e filozofike. Apeliani e kishte bërë mjaft të fortë nxënësen e tij. Mirëpo mësimi i tij ishte i përzier me mësimet e kota të fesë persiane. Dhe mendja e Penelopit nuk ishte e zonja të ecte drejt të vërtetës dhe dritës. Ndonëse mendimet e saj i rregullonte dhe i frymëzonte feja stërgjyshore, shpirti i saj nuk ishte krejt i kënaqur. Një instinkt i brendshëm i pëshpëriste fshehurazi se do të kishte ndonjë të vërtetë tjetër të plotë e të kënaqshme. Dhe këtë gjë nuk ia fshehu shoqes së saj besnike.

Shërbëtorja atëherë vendosi ta vërë në zbatim më shpejt planin për të cilën kishte hyrë si shërbëtore. E bindur se nuk do të shkaktonte ndonjë ngatërresë në mendjen e vajzës, e bindur se ara e shpirtit të saj ishte përgatitur me veprimin e fshehtë dhe të hirit hyjnor, nisi të tregojë se ç'besonte ajo vetë për prejardhjen e njeriut, për qëllimin e krijimit të tij, për jetën e pasosur, duke u kujdesur vetëm të mos i tregonte gjë që në fillim në lidhje me Zotin tonë Jezu Krisht. Edhe këtë e bënte që të ndiqte një udhë të sigurt, e cila do t'i sillte pemë të mira e të shumta. Penelopi i dëgjonte këto mësime plot shpresë, shpirt dhe dashuri, me vëmendje të madhe dhe ndjente në zemër kënaqësi e gëzim të madh sa asnjëherë tjetër. I shfaqej tani një botë e re, një dritë e re, që i jepte tjetër kuptim jetës. Shërbëtorja e krishterë, duke iu përgjigjur në shumë pyetje, i thoshte se ato mësime i kishte degjuar prej një mësuesi të mirë që u kish ardhur njëherë si mik në shtëpi dhe i cili dukej njeri shumë i ditur dhe i virtytshëm.

Feja e krishterë kishte atëherë mjaft pasues në Persi. Mirëpo kufizimi nën të cilin rronte vajza e Liqinit s'e kishte lejuar të mësonte diçka nga mësimet e Ungjillit. Por, për të krishterët kishte dëgjuar; dhe kishte dëgjuar gjëra jo shumë të mira, si për sjelljen e tyre, ashtu dhe për mësimin. Dhe tani e shtyrë nga dëshira e madhe për të kërkuar të vërtetën si dhe nga Provania Hyjnore, një ditë Penelopi i tha shoqes së saj të dashur, shërbëtores, për të krishterët dhe shfaqi dëshirën të mësonte gjëra të sigurta, si për ta dhe për mësimet e tyre. Shërbëtorja kërceu nga gëzimi dhe falënderoi Zotin që ia kishte lehtësuar kaq shumë punën. Natën pastaj, e ulur në gjunjë u fal për mjaft kohë dhe iu lut Zotit Krisht për përmbushjen e dëshirës së saj të shpejtë.

Në këtë orë e sipër edhe Penelopi rrinte zgjuar duke menduar mbi çështjet e mëdha të jetës dhe, duke u falur për njohjen sa më shumë të dritës. E lodhur pastaj nga mendimet, u pushtua prej gjumit dhe pa një ëndërr: Në fillim pa sikur një pëllumbeshë e bardhë hyri në kështjellë me një degë ulliri në gojë dhe e la këtë degë sipër një tryeze prej ari. Pastaj pa një shqipojë që mbante një kurorë prej lulesh, të cilën e la po sipër tryezës ku qe dega e ullirit. Më në fund pa një korb, i cili po në atë tryeze la një gjarpër të vrarë. Endrra e zgjoi. Ç'kuptim do të kishte vallë?

Ndaj të gdhirë e zuri prapë gjumi dhe prapë pa një ëndërr. Sikur i erdhi një engjëll i veshur me të bardha, me fytyrë tepër të bukur dhe i tha se ishte i dërguar nga Zoti, i cili u dhembshurua për dëshirën e saj shpresëtare dhe të pastër dhe e ftoi të vinte në besimin e vërtetë, ku do të gjente dhe kuptimin e vërtetë të jetës. E trembur, por e gëzuar, e pyet engjëllin se nga mund t'i besonte këto. Dhe engjëlli iu përgjigj se për këtë qëllim i qe dërguar nga ana e Zotit Jezu Krisht shërbëtorja e saj e dashur.

Vajza u zgjua plot me shqetësim, por dhe me gëzim. Herën e parë takoi plakun Apelian, të cilit i tregoi ëndrrën e parë të pëllumbit, të shqiponjës dhe të korbit. Apeliani e dëgjoi me kujdes dhe si u mendua për ca kohë, i tha se një shpjegim të sigurt s'mund t'i jepte, por nga sa dinte ai, pëllumbi tregon pastërtinë e saj shpirtërore, dega e ullirit paqen që do të hynte në zemrën e saj, kurora prej lulesh tregonte shpërblimin e virtyteve të saj dhe korbi me gjarpërin e vrarë tregonte hidhërimin që do ta gjente, por nga të cilat ajo do të dilte fituese. Penelopi u kënaq me këtë shpjegim dhe e la plakun Apelian.

Pastaj shkoi me vrap të thërriste shërbëtoren. Porsa e pa, e kapi në qafe dhe i tregoi shfaqjen e engjëllit dhe fjalët e tij. Shërbëtorja u bë e verdhë si dylli dhe vajza e qeveritarit duke e vështruar në sy me tërë çiltërsinë e saj e pyeti: "Je pra e krishterë? Eshtë e kotë që të ma fshehësh, ma tregoi engjëlli."

Shërbëtorja deshi t'i kërkonte ndjesë pse ia kishte fshehur për kaq kohë. Po Penelopi e ndërpreu: "S'je fajtore. E marr vesh që kështu duhej të veproje. Atij që del nga errësira nuk ia hapin menjëherë tërë dritën". Atëherë vajza e krishterë i tregoi gjerë e gjatë për Jezu Krishtin, për ardhjen e Tij të mrekullueshme dhe për shpëtimin që i solli njerëzimit. Hiri i Zotit nga ana tjetër u derdh më tepër, saqë vajza e ditur e qeveritarit Liqin, e njohu besën e Krishtit, përqafoi shërbëtoren dhe me lot në sy i tha: "Të faleminderit, o motër, se me anën tënde njoha të vërtetën dhe jetën." Që prej asaj dite të dy vajzat nuk kishin tjetër fjalë veç për Krishtin dhe për mësimet e tij. Dhe një ditë Penelopi shfaqi dëshirën për t'u pagëzuar. Mënyra u gjend. Një prift i krishterë, si mësoi prej shërbëtores sa kishin ngjarë, erdhi një natë fshehurazi në kështjellë dhe e pagëzoi vajzën e qeveritarit duke ia vënë emrin Irini, që në shqipe do të thotë: Paqe.

Veprimi nuk vonoi të përhapet. Vajti dhe në vesh të Liqinit. Ky në fillim nuk e besoi, duke kujtuar se ishin fjalë rruge. Por kur i tha vetë vajza e tij, mbeti si i ngrirë. Më kot u përpoq që t'i kthente mendjen. Me lutje e kërcënime. Kot shkuan dhe të qarat e së ëmës, që i kujtoi se në ç'mjerim po e zhyste. Irini iu përgjigj se i donte që të dy dhe i nderonte se ishin prindërit e saj, por në këtë pikë s'kishte asnjë arsye që të pengonte një shpirt për ta njohur Perëndinë e vertetë. Dhe shtoi: "Ajo që duhet të ankohet, jam unë, të cilën ju kërkoni ta shkëpusni nga udha e shpëtimit dhe e jetës. Po ta njihnit Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht, do të gëzoheshit pa masë që vajza juaj u vlerësua të gjejë dritën e plotë. Edhe fakti që une ju dua përsëri me gjithë zemër, është prova më e mirë qe unë falem natë e ditë te Zoti t'ju shoh edhe ju trashegmitarë të kësaj mbretërie të Krishtit". Nga një gojë në tjetrën lajmi u përhap në të gjithë qytetin. Të tërbuar atëherë priftërinjtë persiane erdhën te qeveritari Liqin dhe protestuan, pse ai mbante në pallat të tij një armike të perëndive të kombit persian dhe kërkuan që t'ua sillte përpara tyre që t'ia kthenin mendjen. Liqini e thirri vërtet, vajtën priftëinjtë dhe folën me të, po u detyruan që ta prisnin bisedën sepse nuk kishin fakte për t'ia mbyllur gojën. Dhe nisën atëherë talljet dhe kërcënimet. I ati i saj deshi t'i ndihmonte priftërinjtë në punën e tyre duke ndërhyrë dhe ai në fillim me këshilla e pastaj me frikësime. Por vajza iu përgjigj që si baba e donte dhe e respektonte siç i kishte thënë dhe radhën e parë; por, pasi tani i fliste dhe si qeveritar, i kujtoi se të drejtat e qeveritarëve pushojnë atje ku fillojnë detyrat kundrejt Zotit dhe se në raste të tilla, të krishterët kanë një ligj, fjalët e Apostull Petrit që tingëllojnë kështu: "Më tepër duhet t'i bindemi Zotit se njerëzve".

Kjo përgjigje e zemëroi Liqinin. E shau vajzën e tij dhe i tha se do ta trajtonte si të huaj dhe si një nga gratë më të fundit të Persisë. Priftërinjtë nga ana tjetër me të dalë jashtë, fanatizonin popullin dhe e shtynin kundër Irinit. Si përfundim i kësaj lëvizjeje ishte vendimi i Liqinit për t'i dhënë çështjes një zgjidhje të shpejtë. U përpoq dhe një herë që me çdo mënyrë ta shkëpuste vajzën nga besimi i krishterë, por përsëri dështoi. Gjithashtu dështuan dhe përpjekjet e priftërinjve që i kishte thirrur i ati. Atëherë, popull, fisnikë e priftërinj, nisën të bërtasin e të kërkojnë vdekjen e Irenes.

Dhe i ati, jo aq nga ky shtrëngim, sa nga fanatizmi, nisi ta vërë në zbatim këtë kërkesë. Urdhëroi pra ta lidhnin e ta vendosnin ndërmjet kuajsh të egër për ta vrarë me shkelmimet e tyre. Po pikërisht në këtë kohë kur ai po jepte urdhrin e po kujdesej për zbatimin e tij, një prej kuajve, i trembur nga pamja e popullit, iu vërsul Liqinit dhe me shkelma e la pa frymë. Atëherë u bë trazirë e madhe në popull. Një pjesë u tërbua më shumë kundër vajzës së shenjtë që u bë shkaktare e një vdekjeje të tillë për babain e saj, kurse pjesa tjetër u tremb, pse kujtonte se vajza do të kishte ndonjë fuqi të jashtëzakonshme ose magjike.

Irena u hidhërua pa masë për atë vdekje tragjike që e kishte gjetur babanë. Duke harruar se ai donte t'i merrte jetën, ndjente vetëm se ishte pjellë e tij dhe i vinte keq, sidomos pse ai vdiste i pandriçuar si ndjekës i Jezu Krishtit, prej të cilit nuk meritonte asnjë lloj mëshire. O, sikur të mundte ta sillte përsëri në jetë dhe ta kthente në besimin e Krishtit që ishte dhurues i çdo të mire dhe lumturie. Shenjtorja mblodhi veten dhe vështroi qiellin, sikur të kërkonte që andej përmbushjen e dëshirës së saj. Mendja i shkoi atë kohë në Shkrimin e Shenjtë. Iu kujtua Eliseu i cili ngjalli djalin e Sunamitës, iu kujtua Shën Petri që e solli përsëri në jetë kaprollen dhe i erdhën ndër mend fjalët e Shpëtimtarit "Në mund të besosh, të gjitha janë të mundshme për atë që beson." Kërkoi pra që t'i forcohej besimi dhe e armatosur kështu me këtë armë çudibërëse, u ul në gjunjë para trupit të vdekur të babait dhe iu lut Krishtit që ta ngjallte. Shumica e popullit që ishte mbledhur atje, e vërente në heshtje atë skenë, pa ditur ç'kërkonte të bënte ajo vajzë e çuditshme që ishte ulur në gjunjë, por, duke parandjerë se diçka e jashtëzakonshme do të ngjiste. Dhe papritur, qe vërtet e çuditshme: i vdekuri Liqin nisi të lëvizte dhe i ndihmuar prej vajzës, u ngrit në këmbë krejt i shëndoshë. Dhe, si mori vesh ç'i kishte ngjarë, përqafoi Irenen me lot në sy, duke i kërkuar njëkohësisht edhe ndjesë për sa i kishte bërë, ndërsa një habi e madhe e përzier dhe me frikë e kishte pushtuar turmën. Priftërinjtë e persëve, të shpërndarë menjëherë në mes të turmës, përpiqeshin ta zvogëlonin përshtypjen e madhe që kishte shkaktuar çudia, duke thënë se ishte punë magjie. Me gjithë këtë, tre mijë veta nga ata që ishin atje pranuan që atë ditë besimin e krishterë, ndërmjet të cilëve të parët qenë qeveritari Liqin dhe gruaja e tij Liqinia. S'mund të përshkruhej gëzimi i Irenen për fitoren e madhe që kishte korrur dhe sidomos për kthimin në besimin e Krishtit të prindërve të saj.

Mirëpo pas gëzimit të tij, Liqini nuk mund të qëndronte më në fuqi. Mbreti i gjithë tokës persiane ishte armik i fesë së krishterë dhe prej këtij fanatizmi ftymëzoheshin dhe nënshtetasit e tij.

Të krishterët përbënin një numër shumë të vogël dhe ajo që ata dëshironin nuk ishte të formonin shumicën, por vetëm te gëzonin një lloj lirie. Prandaj Liqini mendoi se duhej të hiqte dorë nga detyrat e tij, gjë të cilën dhe e bëri. Dorëheqja e tij qetësoi dhe atë pjesë të popullit, e cila po përgatitej kundër tij, e shtyrë nga priftërinjtë e fesë persiane. Dhe kështu ai mundi të mblidhej bashkë me të shoqen dhe me vajzën në pallatin, për të cilin kemi bërë fjalë, ku kaloi pjesën tjetër të jetës së vet në pendesë dhe në punë të mirë.

Irena ishte dora e djathtë e tij në të gjitha mirëbërjet. Çonte lëmoshë në familjet e këputura, vishte jetimet, ndihmonte gratë e veja, hidhte rreze ngushëllimi ndër kasollet e mjerimit, mjekonte shpeshherë të sëmurët dhe bashkë me këto kujdesej të përhapte kudo dritën e Ungjillit. Pas vdekjes së prindërve të saj, ajo iu dha më me zell pas kësaj detyre, pa marrë parasysh rreziqet që mund të vinin nga kjo veprimtari.

Dhe këto rreziqe nuk vonuan të vijnë. Punët e saj të mira në dobi të fesë, arritën gjer te veshët e Sedekiut, që kishte ardhur në vendin e babait të saj. Ky, pra, dha urdhër që ta kapnin e t'ia sillnin përpara. Kur ia sollën, e kritikoi për përbuzjen që tregonte për fenë stërgjyshore persiane dhe e këshilloi që të kthente mendim e të mohonte Krishtin. Shenjtorja nuk dëgjoi në asnjë mënyrë të kthente mendim dhe Sedekiu e dënoi të hidhet në një gropë, të cilën më përpara e kishte mbushur me gjarpërinj e shtërpinj të tjerë. Po Perëndia s'e la pa e ndihmuar. Ai që ruajti Danielin të paprekur në gropën e luanëve, shpëtoi edhe Irinin nga gjarpërinjtë. Pas ca ditësh Sedekiu bashkë me priftërinjtë e një shumice nga populli, erdhën për t'u tallur me dobësinë e Perëndisë së saj. Mirëpo për çudi dhe për turp të tyre, e gjetën të gjallë e krejt të shëndoshë. Kjo mrekulli si dhe të shpëtuarit e saj nga rrotat, në të cilat e kishin lidhur menjëherë pas nxjerrjes nga gropa për ta bërë copë-copë, nuk mbetën pa përfundime të mira për besimin. Me gjithë frikësimet e Sedekiut, tetë mijë persianë përqafuan fenë e krishterë. Edhe mbreti i persëve Shapur I e ndoqi Shën Irenen. Po një shumicë plagësh në sy dhe vdekjesh të ndryshme pllakosën atëherë ushtrinë që do të vazhdonin me përfundime të rënda, po të mos falej ajo e t'i shëronte. Për këtë gjë u la për mjaft kohë e lirë të predikonte Ungjillin. Dhe duke shëtitur prej një vendi në tjetrin e ndihmuar dhe prej priftit Timoteut, që e kishte pagëzuar, mundi ndër të tjera të sillte në besën e Krishtit dhe pesë mijë paganë. Më vonë pastaj, pësoi edhe ndjekje e mundime të tjera Shenjtorja jonë, nga të cilat shpëtoi në mënyrë të çuditshme, e ndihmuar prej Zotit tonë Jezu Krisht.

Gojëdhënat na thonë se Shën Irena ishte ngjallur dhe prej së vdekurish, kur qe dënuar një herë me vdekje prej mbretit Shapur. Sepse ajo ishte fytyra më e njohur dhe më e ndritshme nga të gjithë misionarët e tjerë që përhapnin besimin e Krishtit në Persi dhe veprimtaria e saj ishte e njëjtë me veprimtarinë e Kishës së tërë, Pas kësaj vazhdoi përsëri veprën e saj misionare duke vajtur në çdo vend, duke predikuar dhe duke bërë vërtet çudira. Dhe kudo e shoqëronte edhe prifti Timoteu. Duke shëtitur kështu, arriti gjer në Efes, ku i qe ruajtur një gëzim i madh. Gjeti atje në një moshë të kaluar mësuesin e saj të vjetër, Apelianin. Sidomos e papërshkruar qe kënaqësia e saj kur mori vesh prej gojës së tij se dhe ai ishte bërë i krishterë. Efesi edhe në këtë kohë vazhdonte të ishte një nga qendrat më të mëdha të botës pagane. Por dhe fuqia e Kishës së krishterë, themelet e së cilës i kishte hedhur me kujdes e dashuri Apostull Pali, ishte e madhe dhe inkurajuese. Kështu Shën Irena gjeti edhe në këtë qytet një fushë të gjerë veprimtarie me predikimin dhe çudirat e saj.

Mirëpo, koha e misionit të saj në këtë botë po i afrohej mbarimit të vet. Perëndia e gjeti të udhës që pas aq mundimesh e përpjekjesh ta merrte pranë vetes në lumturinë e Tij të pambaruar, atje ku prehen të dejtët dhe punëtorët e palodhur të së mirës. Dhe e mori duke e kurorëzuar me kurorën e pafishkur të lavdisë, kurse Kisha jonë nga ana tjetër i dha vendin e merituar në korin e lavdishëm të dëshmorëve të mëdhenj dhe kremton kujtimin e saj në 5 maj të çdo viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.