2011-05-05 13:08:56

Nga Venediku, më 7 e 8 maj, Papa do t’i flasë gjithë Verilindjes së Italisë.


Në Venedik, gjithçka është gati për të pritur Papën Benedikti XVI, që do të vizitojë më 7 e 8 maj, qytetin e famshëm detar, i cili duket sikur noton mbi ujëra.
Papa, i nisur nga Vatikani në orën 15.00, do të arrijë në Aeroportin “Friuli-Venecia-Xhulia” rreth orës 16.15, i pritur nga autoritetet më të larta shtetërore, politike e kishtare. Do të ndalohet, së pari, në Akuilea, seli e lashtë e patriarkatit, në provincën e Udines.
Në emblemën e zgjedhur për vizitën papnore, që duket në të gjitha afishet, shikojmë dy duar: njëra dorëzon, tjera merr. Libri, që kalon nga njëra dorë, në tjetrën, është Ungjilli. Në sfond, Kryqi i Akuilesë. Elemente thellësisht simbolike. Dora, që dorëzon Ungjillin, është ajo e Shën Pjetrit; dora, që e merr, e Shën Markut, pajtor i Venedikut; Kryqi, në sfond, simbol shprehës i bashkimit ndërmjet Kishave të Verilindjes!
Pas Akuilesë, Papa do të vizitojë Venedikun e, së fundi, të dielën, do të jetë në Mestre, në parkun e Shën Julianit, ku do të kremtojë Meshën nën qiellin e hapur, në të cilën pritet të marrin pjesë më se 150 mijë besimtarë. Është takim i Papës me Veri-Lindjen e Italisë.
Shkruan Patriku i Venedikut, kardinali Anxhelo Skola: “Më 7 e 8 majin e ardhshëm Papa do të jetë fizikisht mes nesh, me mish e me shpirt, e jo vetëm virtualisht, siç jemi mësuar ta shikojmë përmes mjeteve të komunikimit, çdo të diele, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit ose gjatë shtegtimeve apostolike në të pesë kontinentet. Do ta shikojmë, t’i flasim, në një takim të gjallë, karakteristik për krishterimin, mbi bazën e të cilit është pikërisht takimi me Krishtin. E Papa është mëkëmbësi i Tij mbi tokë.”
Benedikti XVI pritet me padurim e, jo më pak, edhe me kureshtje. Për herë të fundit Venediku pa një Papë në gondola, më 1985, kur Karol Vojtila u fotografua e u regjistrua nga telekamerat e mbarë botës, ndërsa kapërcente Canal Grande-n, me gondolën tipike veneciane.
Është një takim i ri me Papën, që besimtarët venetë e presin me gëzim të madh, ndonëse nuk mungojnë as shqetësimi e ankthi. Rreziku i terrorizmit, i ndërlikuar më tej nga vdekja e Bin Ladenit, mund të zërë prita në të katër anët e qytetit të lashtë, një nga më të bukurit në botë. Prandaj Venediku, i konsideruar gjithnjë si objektiv delikat, është blinduar për vizitën papnore. Do të jenë rreth 900, ushtarakët e kategorive të ndryshme, që do të ruajnë rendin gjatë vizitës papnore. Më se 600 janë vendas, 150 do të vijnë si përforcim nga Roma, njëqind të tjerë, nga Vatikani. Forcat e Vatikanit do të ngatërrohen mes turmave të turistëve, që sodisin takimin e madh nga pikat më të larta të qytetit detar, gati për t’iu kundëvënë çdo rreziku, që mund të vijë nga snajperët e mundshëm. Duke pasur parasysh natyrën e Venedikut, për përforcimin e sigurisë, do të impenjohen edhe mjetet ujore e nënujore.
Në Akuilea, takimi i parë do të jetë ai me banorët e qytetit, në Sheshin Kapitolo, për të marrë pjesë, në asamblenë e takimit të dytë, që do të mbahet në bazilikën patriarkale.
Pasdite, rreth orës 18.45, Papa do të jetë në Venedik ku, në orën 19.00, do të takohet me qytetarët, në Sheshin e Shën Markut. Më pas, do të nderojë reliket e Shenjtit në bazilikën homonime. Papa do të lëvizë rreth sheshit me një papamobil, veturë elektrike e realizuar me këtë rast nga ana e Komunes së Venedikut. Në fillim mendohej të përdorej papamobili i zankonshëm, por më pas u vërejt se mund të rëndonte tepër mbi kalldrëmin shumëshekullor të Sheshit.
Të dielën paradite Papa nuk do të jetë më mbi det, por mbi tokë, në parkun e madh të Shën Julianit, në Mestre, ku do të kremtojë Meshën mbi një elter të përgatitur enkas, të lartë 30 metra (masa e kupolës) e të ngritur 3 metra mbi lëndinë. Do të japin ndihmesën e tyre një mijë vullnetarë gjatë këtij kremtimi të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrjen e 700 meshtarëve e të 50 ipeshkvijve, nga të gjitha dioqezat e Veri-Lindjes. Pasdite Papa do të rikthehet me motovedetë në Venedik e, pas drekës në selinë e Kuries së Shën Markut, do të marrë pjesë në dy ngjarje të rëndësishme: në asamblenë për mbylljen e vizitës baritore dioqezane si dhe në takimin me botën e ekonomisë e të kulturës, që do të mbahet në Bazilikën e Shëndetit, përtej Canal Grande-s. Bota do të mund të shikojë përsëri një Papë, që kapërcen Kanalin në gondola, rast unik për fotografët e punonjësit e Tv-së.
Tensioni për vizitën e Papës është i lartë por, siç theksoi Patriku i Venedikut, kardinali Anxhelo Skola, gëzimi e mund shqetësimin, sepse kjo ngjarje është tepër gazmore për mbarë qytetin, i cili e pret me padurim e prej kohe këtë vizitë. Gjatë vizitës në Akuilea, shton Patriku i Venedikut, Papa do t’i flasë mbarë shoqërisë civile, besimtarëve e jo besimtarëve, e edhe atyre, që besojnë ndryshe, për t’u ofruar propozimin e krishterë të jetës së përbashkët pa tmerr e pa frikë nga kontradiktat, që e trondisin botën e sotme. Sipas Patrikut, policentrizmi i Verilindjes së Italisë është gjë e mirë, në se vihet në lëvizje nga një dialektikë krijuese. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të respektuar të gjitha identitetet, ngulmon kardinali Scola, por duke menduar gjithnjë për unitetin. Prandaj i kërkuam Papës të lexojë në zemrën e këtij qyteti, ta lexojë këtë bukuri, që dhemb paksa, për të ngjallur shpresën në zemrat e të gjithë banorëve. Papa do të flasë për problemet e edukimit, do t’u flasë të gjitha botëve, edhe asaj të politikës, duke pasur parasysh jo vetëm një pjesë, por të gjithë Verilindjen e Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.