2011-05-05 14:51:48

Kisha vajton për vdekjen e ipeshkvit kinez Pietro Li Hongye: pati kaluar një të tretën e jetës në burg


Më 23 prill, gjatë lutjes së vigjiljes së Pashkëve, ndërsa bekonte ujin e pagëzimit të disa fëmijëve, vdiq ipeshkvi i dioqezës së Luoyang-ut në provincën e Hananit të Kinës, imzot Pietro Li Hongye, 91 vjeçar.
U lind më 6 janar 1920 në një familje katolike që prej tri brezash. 12 vjeç hyri në seminarin e vogël e më pas, në seminarin e madh të Kaifengut. U shugurua meshtar më 22 prill 1944. U arrestua e u burgos disa herë nga komunistët, duke filluar nga viti 1955. Më 1956 u gjykua si “kryeneç” dhe u dënua me burg e internim në provincën e largët të Qinghai-t, ku qëndroi për 28 vjet. U lirua më 1984 e u kthye në dioqezën e tij të Luoyang-ut, ku kishte mbetur i vetmi meshtar. Më 10 shtator 1987 u shugurua ipeshkëv i kësaj dioqeze. Por vetëm pas pak vitesh, më 25 qershor 1994, u arrestua sërish e pastaj, edhe në vitin 2001, ndërsa predikonte ushtrimet shpirtërore për murgeshat e dioqezës.
Besimtarët e kujtojnë për besnikërinë ndaj thirrjes së tij e për vuajtjet e kaluara sa në burg, sa në arrest shtëpiak, sa nën kontroll të rreptë. Vlerësohej nga të gjithë për jetën e patrembur, inteligjencën e hollë, fenë e thellë, kujdesin e vendosmërinë, si edhe për lidhjen e fortë me Atin e Shenjtë. Njeri me kulturë të gjerë, ishte i njohur për njohjen e përsosur të gjuhës latine. Vizitonte shpesh bashkësitë katolike, të cilat mblidheshin në shtëpinë e ndonjë besimtari, pasi kishat ishin sekuestruar nga regjimi komunist kinez. Ishte një veprimtari, që i shkaktonte shumë lodhje, pasi shpesh duhej të ecte në këmbë për të arritur te besimtarët, ku nuk shkonin autobuzat, apo mjete të tjera. Në fund, e la zemra.
Historia e tij është tepër e ngjashme me sa e sa meshtarë të Shqipërisë, ku Kina la modelin e revolucionit të saj kulturor, që shkaktoi martirizimin e Kishës e të besimtarëve katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.