2011-05-04 17:27:55

Të lutesh, do të thotë të flasësh me Zotin: në audiencën e përgjithshme, Papa nisi një cikël të ri katekizmi.


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku këto ditë vijojnë të dynden besimtarë nga të katër anët e botës, Papa nisi një cikël të ri katekizmi, kushtuar lutjes. Njeriu i të gjitha kohëve, vërejti Benedikti XVI, nuk ka pushuar së luturi, sepse ka vijuar të kërkojë, në rrjedhë shekujsh, kuptimin e jetës njerëzore. Në çastin e përshëndetjeve, Ati i Shenjtë iu drejtua posaçërisht besimtarëve polakë, ardhur në Romë për Lumnimin e Gjon Palit II e, në fillim të muajit marian, ia besoi Virgjërës Mari të rinjtë, të sëmurët, familjet.........RealAudioMP3

Të lutesh, do të thotë të flasësh me Zotin: këtë nënvizoi Benedikti XVI. Në katekizmin e parë kushtuar lutjes, Papa Racinger shpjegoi se njerëzit e të gjitha kohëve nuk kanë pushuar s’i lartuari sytë kah Zoti, duke iu drejtuar në mënyra nga më të ndryshmet. E në katekizmat e tjera, vijoi Papa, do të përpiqemi të mësojnë pikërisht mënyrat, që na ndihmojnë ta jetojmë gjithnjë më thellë lidhjen tonë me Zotin. Do të jetë gati-gati si një shkollë, në bankat e së cilës do të ulemi, për të mësuar si të lutemi:
Kuptohet vetvetiu se lutja nuk është gjë, që dihet: njeriu duhet të mësojë të lutet, gati-gati duke u përpjekur ta rifitojë gjithnjë këtë art: edhe ata, që janë shumë të përparuar në jetën shpirtërore, e ndjejnë gjithnjë nevojën të ulen në bankat e shkollës së Jezusit, që të mësojnë për t’u lutur me vërtetësi”.
E, shtoi Ati i Shenjtë, nuk duhet harruar se mësimin e parë na e jep vetë Zoti, me shembullin e tij. Ungjijtë na e përshkruajnë Jezusin në dialog të ngrohtë e të vazhdueshëm me Atin Qiellor: është një bashkim i thellë ndërmjet Atij, që erdhi në botë jo për të bërë vullnetin e vet, por atë të Atit, i cili e dërgoi për shëlbimin e njeriut. Benedikti XVI vijoi të shpjegonte historinë tejet të lashtë të lutjes. Kulturat e moçme, duke nisur nga Egjipti, tek Greqia e Vjetër; nga besimet e Mesopotamisë, tek ato të Romës së lashtë, ndonëse në mënyra nga më të ndryshmet, shprehën gjithnjë dëshirën ta njohin Zotin e të gjejnë mbështetje në krahët e tij. Papa citoi Mark Aurelin, i cili pohonte se lutja është e nevojshme, për të krijuar bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet veprimtarisë hyjnore e asaj njerëzore. Perandori-filozof, vërejti Papa, dëshmon, kështu, se jetës njerëzore pa lutje, i mungon kuptimi e pikëmbështetja:
Në çdo lutje shprehet gjithnjë e vërteta mbi krijesën njerëzore e cila, nga njëra anë e ndjen ligështinë dhe mangësinë e vet, e prandaj kërkon ndihmë nga Qielli; ndërsa nga ana tjetër, është e pajisur me një dinjitet të jashtëzakonshëm, sepse, duke u përgatitur për të pranuar Zbulesën Hyjnore, kupton se është e aftë të bashkohet me Zotin”.
Në lutjet e të gjitha epokave e të të gjitha qytetërimeve, shtoi Papa, del në pah vetëdija e njeriut për ligështinë e për vartësinë e tij. Në lutje njeriu pohon gjithnjë se është krijesë e se varet nga Krijuesi, nga një Tjetër, shumë më i lartë se ai, e burim i të gjitha të mirave:
“Njeriu i të gjitha kohëve lutet, sepse nuk mund të mos pyesë cili është kuptimi i jetës së tij, që mbetet krejtësisht i errët e shkurajues, në se nuk lidhet me misterin e Zotit e me planin e tij për botën. Jeta e njeriut është gërshetim i së mirës me të keqen; i vuajtjes së pamerituar, me gëzimin e bukurinë, që vetvetiu e në mënyrë të pakundërshtueshme, na shtyjnë t’ia kërkojmë Zotit atë dritë e atë forcë shpirtërore, të cilat na ndihmojnë të jetojmë mbi tokë e na hapin portën e shpresës, përtej kufijve të vdekjes”.
Pohoi, kështu, se besimet pagane mbeten një britmë e thekshme e cila, e nisur prej Toke, pret një fjalë nga Qielli. Kjo fjalë, që njerëzit e pritën me ankth e shpresë brezni pas breznie, është Zbulesa. Vetëm në Jezusin, tha Papa, njeriu bëhet i aftë t’i afrohet Hyjit me atë ngrohtësi, që mund ta ketë vetëm biri për atin. Është vetë Jezusi në lutje, Ai që na ofron mundësinë për të krijuar lidhje më të thella me Atin Qiellor.
Në çastin e përshëndetjeve, duke iu drejtuar shtegtarëve në gjuhën polake, Papa rikujtoi gëzimin për Lumnimin e Gjon Palit II, më 1 maj:
“Niech Jego zawierzenie Matce Bożej, zawarte w zawołaniu „Totus Tuus”...
“Uroj që mënyra sesi Ai ia besoi vetveten Nënës së Zotit, me moton “Totus tuus”, të jetë inkurajim për ju e për mbarë popullin polak, i cili e ka Marinë Mbretëreshë”.
Papa përshëndeti edhe Rojet Zvicerane, që do të betohen më 6 maj. Së fundi, mendimi i Benediktit XVI nuk mund të mos shkonte tek Virgjëra Mari, në këto ditë të lulëzuara të muajit, kushtuar Nënës së Zotit. Iu drejtua, prandaj besimtarëve, duke nisur nga të rinjtë, me fjalët:
“Të dashur të rinj, uluni ditë për ditë në bankat e shkollës së Zojës së Bekuar, sepse Ajo ju mëson si të bëni vullnetin e Zotit.
Duke e kundruar Nënën e Krishtit të kryqëzuar, ju, të dashur të sëmurë, do të pranoni vlerën shpëtimtare të vuajtjes, të jetuar së bashku me Jezusin.E ju, të dashur të posamartuar, kërkoni mbrojtjen e saj amtare, që nën strehën tuaj të mbretërojnë gjithnjë paqja e lumnia e shtëpisë së Nazaretit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.