2011-05-04 14:37:12

Mesazhi i Benediktit XVI Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore: Selia e Shenjtë kërkon respektimin e lirisë fetare nga të gjitha vendet e botës


U paraqitën sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, rezultatet e Sesionit XVII të përgjithshëm të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore me temë: “Të drejtat universale në një botë të larmishme. Çështja e lirisë fetare”. Ekspertë ndërkombëtarë u mblodhën në Vatikan, nga data 29 prill deri më 3 maj, për të diskutuar mbi katër fusha kryesore, në të cilat shihet qartë kërcënimi ndaj lirisë së fesë. Siç shpjegoi kryetarja e Akademisë, zonja Meri En Glendon, ato janë:
“E para, persekutimi shtetëror i besimtarëve – që do ta quanim kërcënim standart kundër lirisë së fesë. Së dyti, kufizimi i lirive fetare të pakicave nga ana e shtetit. Së treti, presioni shoqëror mbi pakicat fetare, që varet ose jo nga shteti, por që cënon jo më pak liritë e këtyre pakicave. Dhe, e katërta, rritja e fondamentalizmit shekullar në vendet perëndimore, që i konsiderojnë besimtarët kërcënim për politikën e lirë e demokratike”.
Ishte pikërisht profesoresha Glendon, ajo që kujtoi pikat kryesore të mesazhit të Papës Benedikti XVI, i cili u lexua dje në ditën e fundit të asamblesë. Në reflektimin e tij, Ati i Shenjtë përmend mohimin e lirisë së fesë nga regjimet ateiste të shekullit XX, duke e parë këtë si një nga arsyet, që e shtynë bashkësinë ndërkombëtare ta përfshijë lirinë e fesë ndër të drejtat themelore të njeriut. Sot, vazhdon Papa, kjo liri kërcënohet sërish nga sjellje dhe ideologji, që pengojnë shprehjen e lirë të fesë. Por, feja është e shkruar në natyrën e njeriut. “Për sa kohë njeriu gëzon aftësinë të zgjedhë lirisht e personalisht të vërtetën, - thekson Benedikti XVI - e për sa kohë Zoti të presë prej njeriut përgjigjen e lirë ndaj thirrjes së Tij, e drejta e lirisë së fesë duhet të shihet si pjesë e dinjitetit bazë të çdo njeriu, së bashku me aftësinë e lindur për t’ia hapur zemrën Zotit”.
Papa kujton se Koncili II i Vatikanit kërkoi që e drejta e lirisë së fesë të mbrohet e të promovohet me ligj. Natyrisht, çdo shtet ka të drejta sovrane për miratimin e ligjeve, por Selia e Shenjtë, përfundon Benedikti XVI, vazhdon të bëjë thirrje për njohjen e lirisë së fesë nga të gjitha vendet, sidomos për mbrojtjen e pakicave fetare, që t’u mundësohet atyre pjesëmarrja në jetën shoqërore e politike, për të mirën e të gjithëve.
Akademia Papnore e Shkencave, siç kujtoi gjatë konferencës për shtyp kryetarja e saj, Meri En Glendon, u themelua nga Papa i lum Gjon Pali II në vitin 1994, pas reflektimeve mbi doktrinën shoqërore të Kishës Katolike, të cilat Papa Vojtila i pati përmbledhur në enciklikën “Centesimus Annus”, publikuar në vitin 1991. 1 maji, dita e lumnimit, përkoi bukur me 20 vjetorin e botimit të kësaj enciklike.







All the contents on this site are copyrighted ©.