2011-05-04 11:26:29

Dhimitër Pasko - Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes


Më 4 maj 1966 vdiq Dhimitër Pasko, shumë i njohur si Mitrush Kuteli, shkrimtar, ekonomist, publicist e përkthyes. Mitrush Kuteli e pati nisur krijimtarinë letrare qysh në vitet ’30, kur botonte “Net shqiptare”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Ago Jakupi”, si dhe përpilonte mjaft vepra ekonomike. P luftës, Kuteli botoi “Pylli i gështenjave”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “Baltë nga kjo tokës”, “Në një cep të lirisë së Poshtme”, novela “E madhe është gjëma e mëkatit” etj. Po kështu bëri edhe mjaft përkthime mjeshtërore të shkrimtarëve të mëdhenj botëror si Gogoli, Eminesku, Ostrovski, Turgenjevi etj që e vendosin në piedestalin e përkthyesve më të mirë shqiptarë.
Sa qe gjallë, me frymë e forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk preku dhe ndjeu as vlerësimin më të vogël si shkrimtar, prozator dhe poet, kritik dhe përkthyes, si botues dhe intelektual. Mbase prania e këtyre shenjave dhe shenjëzimeve identifikuese, u bënë shkasi kryesor për ta goditur me të gjitha format; goditje fizike duke e burgosur, goditje shpirtërore duke ia vrarë ëndrrat për një Shqipëri demokratike, goditje letrare duke ia heshtur veprën letrare, botuar para lirimit të vendit nga pushtuesit, e sidomos ndërprerjen e ëndrrës letrare duke e detyruar, në mënyrë pseudodemokratike apo diktatoriale, që të përkthente me normë dhe jashtë dëshirës dhe shijes letrare të shkrimtarit.
në fillim të viteve ’80 duket edhe ndonjë konsideratë, e përgjithshme dhe krejt e përciptë rreth veprës letrare kuteliane, e tipit “mjeshtër i rrëfimit”, një frazë ekuivoke, sepse në krijimtarinë e Kutelit, rrëfimi është edhe lloji letrar, njëri nga më të dashurit e shkrimtarit, por është edhe mjeti i poetikës së prozës. Ngatërrimi emërtues nuk ka gjasa të jetë i rastësishëm, përkundrazi është një qëndrim prej xhirafe, fshehje e kokës në rërë me shpresë se ka shpëtuar edhe trupi, nga ana akademikëve.
Në fillim të viteve ’90, nën përgjegjësinë e N. Jorgaqit, botohet e plotë, së paku sipas shënimeve të bëra, vepra letrare e M. Kutelit, me pesë vëllime, ku është përfshirë poezia, proza, kritika letrare etj. Megjithëqë, edhe në këtë sipërmarrje, sipas studimeve të mëvonshme letrare, lihen jashtë botimit disa tekste origjinale të shkrimtarit, dhe tanimë thellohen ndryshimet gjuhësore, të cilat e kanë zbehur ndjeshëm praninë shkrimore të autorit. Pas viteve ’90, që përkon me shembjen e diktaturës komuniste dhe fillesat e demokracisë shqiptare, figura e Kutelit i kthehet vlerave letrare të shqipes, zë e zbulohet si vlerë letrare e mëvetësishme, madje në jo pak raste hienat e studimeve të dikurshme tentojnë të fshihen prapa artit të Kutelit për të mbetur qendër e verifikimit letrar, kur me shqyrtimet e kryera vërtetojnë se u ka mbetur ora në studimet sociologjike dhe ideologjike. Mospërfilljen e veprës letrare, përkthimore, kritike dhe botuese, përsa kishte frymë, botimi i cunguar letrar dhe gjuhësor i krijimtarisë letrare autoriale, si dhe leximi i pamundshëm sociologjik dhe ideologjik prej studiuesve dhe estetëve të estetikës së brendisë, që kanë shpërfillur formën, janë një pjesë e vogël e humbjes së madhe, humbjes së disa teksteve letrare.
Megjithëkëtë, falë mjeshtërisë rrëfimore dhe tregimtarisë së shkrimtarit, prania e Kutelit është më e fuqishme dhe më funksionale se sa paprania. Prania e Kutelit, si përvojë shkrimi letrar dhe krejt origjinale në tekstet në prozë dhe patjetër edhe në shkrimet e tjera letrare, në poezi dhe kritikë letrare. Kjo prani është e prekshme me ndikimin e vetë mbi shenjat e literaritetit të letërsisë moderne shqipe. Pra, humbjet e shumta në tekstet e prozës së shkruar prej Kutelit, por edhe të pagjetura, pra të panjohura dhe të pavlerësuara, që ngërthen në vetvete një sasi të përfillshme vlerash letrare, nuk zbehin përfundimisht tipologjinë shkrimore kuteliane, e cila shpërndrit plotësinë e magjisë letrare në sendërtimin e rrëfimit dhe rrëfenjës, proza këto që e kanë origjinën tek arti gojor, me realizimin cilësor të tregimit dhe novelës, me tonalitetin dhe ngjyresat mbresëlënëse të pagjasshme në letrat shqipe, me shkrimin e romanit me nivel të ngritur literariteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.