2011-05-04 15:11:34

Berisha thirrje komisionerëve të zbatojnë ligjin në zgjedhjet e 8 majit.


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha iu drejtuar sot me një mesazh gjithë komisionerëve që do të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 8 maj. "Thirrja ime është që pa asnjë ndikim partiak, të zbatoni ligjin. Ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin", tha Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. Berisha siguroi komisionerët, se pavarësisht nga forcat politike që i përkasin, ai ka besim të plotë tek ata, morali, integriteti i tyre, vendosmëria dhe qëndrimi i tyre para ligjit. Sipas kryeministrit, fushata është shoqëruar me incidente, të cilat mund të shmangeshin dhe janë plotësisht të papranueshme. Por, pavarësisht kësaj, sipas shefit të qeverisë, fushata ishte me pjesëmarrje masive të qytetarëve, që sipas tij është dëshmi e vullnetit të tyre për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit. Berisha kujtoi se dita e zgjedhjeve përkon me festën e Evropës. "Nuk ka nderim më të madh, se pjesëmarrja dhe zgjedhjet me standarde në këtë ditë", tha kryeministri i Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.