2011-05-04 14:36:55

Benedikti XVI: Homelia e Meshës së Lumnimit të Gjon Palit II (tekst i plotë)


Të dashur vëllezër e motra,Gjashtë vjet më parë ishim në këtë Shesh për të kremtuar salikimet e Papës Gjon Pali II. E thellë ishte dhimbja për humbjen, por edhe më e thellë, vetëdija e hirit të pamasë, i cili atë ditë mbështillte Romën e mbarë botën: hir, që ishte fryt i gjithë jetës së Paraardhësit tim të dashur, e posaçërisht, i dëshmisë së tij në vuajtje. Që atë ditë ne ndjemë si përhapej parfumi i shenjtërisë së tij, e Populli i Zotit e tregoi në shumë mënyra nderimin për të. Prandaj, duke respektuar normat e detyrueshme të Kishës, desha që çështja e Lumnimit të tij të ecte përpara me gjithë shpejtësinë e mundshme. E ja se dita e shumëpritur erdhi; erdhi shpejt, sepse kështu deshi Zoti: “Gjon Pali II është i Lum!”
Dëshiroj t’ju drejtoj përshëndetjen time të përzemërt ju të gjithëve që, me këtë rast fatlum, erdhët me shumicë në Romë nga të katër anët e botës, Zotërinj Kardinaj, Patrikë të Kishave Lindore Katolike, Sivëllezër në Ipeshkvni e në Meshtari, Delegacione Zyrtare, Ambasadorë e Autoritete, rregulltarë, besimtarë laikë, duke përfshirë edhe të gjithë ata, që në këtë çast bashkohen me ne përmes radios e televizionit.
Këtë të Diele, e Dyta e Pashkëve, i Lumi Gjon Pali II e quajti e “Mëshirës Hyjnore”, sepse, përmes një plani providencial, Paraardhësi im dha shpirt pikërisht natën e kësaj feste. Duhet kujtuar edhe se sot është dita e parë e muajit maj, muajit të Marisë; e edhe përkujtimi i Shën Jozefit punëtor. Marrë së bashku, këto elemente e pasurojnë lutjen tonë, na ndihmojnë ne, që jemi ende shtegtarë në kohë e në hapësirë; ndërsa Papa tani kremton ndryshe, në qiell, i rrethuar nga engjëjt e shenjtorët! E pra, një i vetëm është Hyji e një, Krishti Zot që, si urë, lidh tokën me Qiellin, e ne në këtë çast e ndjejmë veten më shumë se kurrë pranë Tij, gati-gati si të ishim të pranishëm në liturgjinë qiellore.

“Lum ata që nuk panë, e megjithatë besuan!”(Gjon 20, 29). Në Ungjillin e sotëm Jezusi shqipton këtë Lumni: lumninë e fesë. Ajo na prek në mënyrë të veçantë, sepse jemi mbledhur pikërisht për të kremtuar një Lumnim, e akoma më shumë, sepse sot u shpall i Lum një papë, një pasardhës i Pjetrit, i thirrur për t’i përforcuar vëllezërit në fe. Gjon Pali II është i lum për fenë e tij, të fortë, të fisme, apostolike. E menjëherë na kujton një lumni tjetër: “I Lumi ti, Simeon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im, që është në qiell” (Mt. 16,17). Ç’ i zbuloi Ati qiellor Simeonit? Që Jezu Krishti është Bir i Hyjit të gjallë. Për këtë fe Simeoni bëhet ‘Pjetër’, shkëmb e gur, mbi të cilin Jezusi mund të ndërtojë Kishën e vet. Lumnia e amshuar e Gjon Palit II, që sot Kisha ka gëzimin ta shpallë, përmblidhet e tëra brenda këtyre fjalëve: “I Lumi ti, Simeon” e “Lum ata, që nuk panë, e besuan”. Është lumnia e fesë, të cilën edhe Gjon Pali II e mori dhuratë nga Hyji Atë, për ndërtimin e Kishës së Krishtit.

Po mendja na shkon edhe tek një lumni tjetër, e cila, në Ungjill, u paraprin të gjitha lumnive. Është ajo e Virgjërës Mari, Nënës së Shëlbuesit. Asaj që, sapo ka zënë Jezusin në kraharor, Shën Elizabeta i thotë: “E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”(Lk 1, 45). Lumnia e fesë e shikon Marinë si model, prandaj të gjithë kënaqemi që Papa Gjon Pali II lumnohet pikërisht në ditën e parë të muajit marian, nën vështrimin amëtar të Asaj, që me fenë e vet, përforcon fenë e apostujve e vijon të përforcojë edhe fenë e pasardhësve të tyre, posaçërisht të atyre, që janë të thirrur për t’u ulur në fronin e Shën Pjetrit. Maria nuk duket në rrëfimet mbi ngjalljen e Krishtit, por prania e saj sikur fshihet kudo: ajo është Nëna, së cilës Jezusi ia besoi dishepujt e edhe mbarë bashkësinë. Në mënyrë të veçantë vërejmë se prania amtare e Marisë përshkruhet nga Shën Gjoni e edhe nga Shën Luka, në rrethanat, që i paraprijnë Ungjillit të sotëm edhe Leximit të parë: në rrëfimin mbi vdekjen e Jezusit, kur Maria duket tek këmbët e Kryqit (cfr Gjn 19,25); dhe në fillim të Veprave të Apostujve, që na e paraqesin në mes të dishepujve në lutje, në çenakull (cfr Vap 1,14).
Edhe leximi i dytë i sotëm na flet për fenë, e është pikërisht Shën Pjetri, që shkruan, plot me hov shpirtëror, duke i bindur të sapopagëzuarit për arsyet e shpresës së tyre e të gëzimit të tyre. Më pëlqen të vërej se në këtë fragment, në fillim të Letrës së tij të parë, Pjetri nuk përdor thirroren, por dëftoren, duke shkruar: “Jeni përplot me gëzim” – e shton- “Ju e doni, edhe pse ende nuk e shihni: dhe galdoni me hare të patregueshme e ndjeheni të lum, që ia arritët qëllimit të fesë suaj, shëlbimit të shpirtit” (1 Pjt 1,6.8-9). Gjithçka është në mënyrën dëftore, sepse jemi përballë një realiteti, që lind nga ngjallja e Krishtit, një realieti të kuptueshëm për fenë. “Kjo është dita që na dhuroi Zoti – thotë Psalmi (118,23) – një mrekulli për sytë tanë, sytë e fesë”.

Të dashur vëllezër e motra, sot shkëlqen para syve tanë, në dritën e plotë shpirtërore të Krishtit të ngjallur, figura e dashur dhe e nderuar e Gjon Palit II. Sot emri i tij i shtohet aradheve të Shenjtorëve e të të Lumëve, që i shpalli gjatë 27 vjetëve të papnisë, duke kujtuar me forcë se jeta e krishterë është thirrje e përhershme për shenjtëri, siç pohon edhe Kushtetuta konciliare Lumen Gentium për Kishën. Të gjithë anëtarët e popullit të Zotit – ipeshkvij, meshtarë, diakonë, besimtarë laikë, rregulltarë e rregulltare – jemi për udhë kah atdheu qiellor, ku na parapriu Virgjëra Mari, që mori pjesë në mënyrë krejt të posaçme e të përkryer në misterin e Krishtit e të Kishës. Karol Vojtila, së pari si Ipeshkëv-Ndihmës e pastaj si Kryipeshkëv i Krakovisë, pjesëmarrës në Koncilin II të Vatikanit, e dinte mirë se t’i kushtoje Marisë kapitullin e fundit të Dokumentit mbi Kishën, do të thoshte ta propozoje Nënën e Shëlbuesit si figurë e model i shenjtërisë për çdo të krishterë e për mbarë Kishën. Këtë vizion teologjik, që Gjon Pali II e zbuloi që i ri, e ruajti dhe e përsosi gjatë gjithë jetës. Vizioni përmblidhet në ikonën biblike të Krishtit mbi kryq, që ka pranë Marinë, nënën e tij, ikonë, të cilën e gjejmë në Ungjillin e Shën Gjonit (19,25-27), prej nga Gjon Pali II e mori, për ta vendosur në stemën e tij ipeshkvnore e, më pas, edhe në atë papnore: një Kryq ari, një ‘M’ poshtë, më të djathtë dhe motoja: “Totus tuus”, që përkon me shprehjen e njohur të Shën Luigjit Maria Grinjon dë Monfor, ku Karol Vojtila gjeti parimin themelor për jetën e tij: “Totus tuus ego sum et omnia mea tua sunt. Accipio Te in mea omnia. Praebe mihi cor tuum, Maria – Jam krejt yti e gjithçka kam, është jotja. Të marr për të mirën time. Ma jep zemrën tënde, o Mari!” (marrë nga devocioni i vërtetë ndaj Virgjërës Mari).
Në Testamentin e tij, i Lumi i ri shkroi: “Kur, më 16 tetor 1978, konklavi i kardinajve zgjodhi Gjon Palin II, Primati i Polonisë, kardinali Stefan Vishinski, më tha: “Detyra e Papës së ri do të jetë t’i prijë Kishës kah Mijëvjeçari i Tretë”. E shtoi: “Dëshiroj përsëri të shpreh mirënjohjen time për dhuratën e madhe të Koncilit II të Vatikanit, me vetëdijen se jo vetëm unë, por mbarë Kisha, e sidomos i gjithë episkopati, i jemi borxhlinj”. Jam i bindur se breznitë e reja do të frymëzohen për një kohë shumë të gjatë nga pasuritë e këtij Koncili të shekullit XX. Si ipeshkëv, që mori pjesë në Koncil që nga dita e tij e parë, e deri në të fundmen, dëshiroj t’ia besoj këtë trashëgimi të madhe të gjithë atyre, që janë e do të jenë të thirrur për ta zbatuar në jetë. Nga ana ime falënderoj Bariun e amshuar, që më dha mundësinë t’i shërbej kësaj kauze tejet të madhe gjatë të gjitha viteve të papnisë sime. E cila është kjo kauzë? Është po ajo, për të cilën Gjon Pali II foli në meshën e parë solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shqiptuar fjalët e paharrueshme: “Mos kini frikë! Hapjani, madje, në të dy kapakët, portat Krishtit”. Këtë, që Papa i sapozgjedhur ua kërkonte të gjithëve, e bëri vetë, i pari: ia hapi Krishtit shoqëritë, kulturat, sistemet politike dhe ekonomike, duke përmbysur me forcë vigani – forcë që i vinte nga Zoti - një tendencë, të cilën shumkush e shikonte si të përjetshme.
Me dëshminë e tij të fesë, të dashurisë e të guximit apostolik, shoqëruar me një forcë të madhe njerëzore, ky bir shembullor i Kombit polak i ndihmoi të krishterët e mbarë botës ta pohojnë pa frikë fenë e tyre, t’i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë, na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, sepse e vërteta është garancia e lirisë.
Edhe më përmbledhtas: na kujtoi me forcë se duhet të besojmë në Krishtin, sepse Krishti është Redemptor hominis, Shëlbuesi i njeriut: temë e enciklikës së tij të parë e fill i artë i të gjitha enciklikave të tjera.

Karol Vojtila u ul në fronin e Shën Pjetrit duke sjellë me vete reflektimin e thellë mbi ballafaqimin e marksizmit me kristianizmin, përqendruar tek Njeriu. Mesazhi i tij ishte ky: njeriu është rruga e Kishës, e Krishti është rruga e njeriut. Me këtë mesazh, që është pasuri e madhe e Koncilit II të Vatikanit dhe e “timonierit” të tij, shërbëtorit të Zotit, Papës Pali VI, Gjon Pali II i priu Popullit të Zotit për të kapërcyer pragun e Mijëvjeçarit të Tretë, të cilin pikërisht për hir të Krishtit, mundi ta quante “pragu i shpresës”. Po, përmes udhës së gjatë të përgatitjes së Jubileut të Madh, ai e përtëriu orientimin e krishtërimit drejt ardhmërisë, ardhmërisë së Zotit që, duke qëndruar mbi historinë, e skalit atë. Këtë ngarkesë shprese, që iu nënshtrua në një farë mënyre marksizmit dhe idelogjisë së progresit, ai ia riktheu ligjërisht krishtërimit, duke i dhënë përsëri fizionominë e vërtetë të shpresës, që duhet jetuar në histori me frymën e “Kohës së Ardhjes”, me një jetë personale e komunitare, të orientuar kah Krishti, përsosuri e njeriut e përmbushje e të gjitha shpresave të tij për drejtësi e paqe.

Dëshiroj, në përfundim, të falënderoj Zotin edhe për përvojën personale, për bashkëpunimin e gjatë me të Lumin Papën Gjon Pali II. Pata fatin ta njoh e ta nderoj shumë kohë më parë, por që nga vitit 1982, kur më thirri në Romë si Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, për 23 vjet me radhë isha gjithnjë pranë tij. Munda, kështu, ta nderoj përherë e më shumë. Shërbimi im u mbështet fuqimisht nga ky njeri, me thellësi të jashtëzakonshme shpirtërore e me mendjemprehtësi të pashembullt. Mbeta gjithnjë i prekur thellë e i përfocuar në fe nga mënyra si lutej, që u bë model për mua: ai shkrihej i tëri me Zotin, edhe kur i rëndote fort pesha e detyrës së tij, aq të rëndësishme. E pastaj, dëshmia që dha në çastin e vuajtjes: Zoti e zhveshi dalngadalë nga gjithçka e megjithatë, ai mbeti gjithnjë shkëmb, ashtu si e deshi Krishti. Përvujtëria e tij e thellë, me rrënjët në bashkimin me Krishtin, e ndihmoi t’i printe Kishës e t’i jepte botës një mesazh edhe më shprehës, pikërisht në kohën kur po i shteronin të gjitha forcat fizike. Kështu ai realizoi në mënyrë të jashtëzakonshme, thirrjen e çdo meshtari e të çdo ipeshkvi: të bëhet një gjë e vetme me atë Jezus, që e merr dhe e jep ditë për ditë në Eukaristi.
I Lumi ti, Papa i dashur Gjon Pali II, sepse besove! Vijo, të lutemi, ta përfocosh nga qielli, fenë e popullit të Hyjit. Shumë herë na bekove në këtë Shesh… Sot, të lutemi: Atë i Shenjtë , na beko përsëri! Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.